Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin e Montagnareales, në provincën e Messina-s, Sicili ku tre gjuetarë u gjetën të pajetë në një zonë të thellë pyjore të Contrada Caristia, e njohur për praninë e derrit të zi të egër të Nebrodi-t.
Trupat u zbuluan pasi një mik, i shqetësuar nga mungesa e kontaktit prej orësh, nisi kërkimet dhe njoftoi menjëherë shërbimet e emergjencës. Karabinierët mbërritën në vendngjarje, siguruan zonën dhe nisën hetimet, të mbikëqyrura nga prokurori i Patti-t, Angelo Vittorio Cavallo. Mjeku ligjor konfirmoi se vdekja kishte ardhur si pasojë e plagëve nga armë zjarri.
Viktimat janë identifikuar si Antonio Gatani, 82 vjeç, banues në Librizzi, si dhe vëllezërit Davis Pino (26 vjeç) dhe Giuseppe Pino (44 vjeç), nga San Pier Niceto. Të tre ishin të armatosur me pushkë gjuetie dhe, sipas autoriteteve, nuk kishin precedentë penalë apo lidhje me krimin e organizuar.
Hetuesit po shqyrtojnë disa pista, përfshirë një aksident gjatë gjuetisë, një konflikt të mundshëm mes gjuetarëve, ose hipotezën e një vrasjeje të ndjekur nga vetëvrasja. Po ashtu, po verifikohet prania e mundshme e një personi të katërt në zonë në momentin e të shtënave. Armë dhe municione janë gjetur pranë trupave, ndërsa testet balistike dhe autopsia pritet të hedhin dritë mbi dinamikën e ngjarjes.
Për shkak të terrenit të ashpër dhe mungesës së kamerave të sigurisë, hetimet mbështeten kryesisht në provat shkencore dhe dëshmitë e familjarëve, të cilët janë marrë në pyetje për të rindërtuar lëvizjet e viktimave para nisjes për gjueti.
Kryetari i bashkisë së Montagnareales, Salvatore Sidoti, shprehu tronditjen e komunitetit, duke theksuar se zona mbetet e rrethuar dhe se autoritetet po punojnë për të zbardhur plotësisht këtë tragjedi që ka kthyer një udhëtim gjuetie në një dramë të rëndë.











