Publikohen kujtimet e gazetarit dhe publicisit të njohur, Namik Mehmeti, me origjinë nga qyteti i Shkodrës dhe me banim prej vitesh në Firence të Italisë, i cili sjell para lexuesit disa ngjarje nga periudha e fundviteve ’60, kur ai shërbente si mësues i Gjuhës dhe Letërsisë në rrethin e Mirditës, ku ka pasur rastin të njihte edhe Musine Kokalarin, shkrimtaren disidente që pasi kishte dalë nga burgu i gjatë, jetonte aty vitet e internimit.
Dëshmia e rrallë e tij se: si e etiketonin kolegët e tij arsimtarë Musine Kokalarin, kush ishte njeriu që ia kishin vënë për ta survejuar dhe çfarë përmbante pako që ajo ia dërgoi Enver Hoxhës nga Post-Telegrafa e qytetit të Rrëshenit?!
Si e kam njohur Musine Kokalarin?
(Me rastin e 37 vjetorit të ndarjes nga jeta)
Vetëm e kam njohur si fizik, pra një potret i heshtur, që edhe sot pas një gjysmë shekulli e kam të freskt në kujtesën time. Pra e kam njohur pa mundur të shkëmbeja një fjalë me të, një përshëndetje apo një buzëqeshje.
– Atëhere si jam prezantuar me Musinen në distancë?
Në vitin 1961 pasi kisha përfunduar shkollën e mesme Pedagogjike në Shkodër, isha emëruar arsimtar në rrethin e Mirditës, ku qyteti nga vija unë ishte e destinuar nga Ministria e Arësimit për të qenë një mbështetje për zhvillimin e arësimit në këtë krahinë.
Unë i ri 18-vjeçar i bashkohesha një armate mësuesish që ishin të njohur si familje qytetare shkodrane, por pothuajse të gjithë me “kleçka” në biografi, ashtu siç isha edhe unë, pasi babai im kishte vuajtur kampeve e burgjeve të Shqipërisë, si “armik i popullit”.
Kujtoj mbiemrat e mësuesve shkodranë që rridhnin nga familje me “kleçka” në biografi si: Sinani, Juka, Hoti, Baqli, Jegeni, Mjeda, Çefa, Shurdha, etj., dhe që ishin shpërndarë anë e kand Mirditës.
Fati më ndoqi pasi më kishte shkue zëri se merresha me sportin dhe me gazetari, e nga kjo më emëruan në shkollën 8-vjeçare, ku jepja lëndën Gjuhës e Leximit letrar.
Njohja e parë ishte me shkollën, ishte hapur edhe e mesmja me emrin “Bardhok Biba”. Shkolla e vjetër ishte ndërtuar mbi një kodër, ku rruga që të çonte drejt saj ishte e rrahur vetëm nga nxanësit dhe mësuesit.
Në atë zbraztirë shtëpiash, tërhiqte vëmëndjen një ndërtesë si kapanon, me mbulesa eterniti e mure të suvatuar me çimento. Nëndrejtori i shkollës, pa dyshim shkodran, më tha se aty kanë jetuar më parë arsimtarët, por me që ajo ishte bërë strehë për familjet e internuara, duhej patur kujdes.
Duke kaluar për ditë në atë rrugë, sytë gjithnjë më përqëndroheshin tek ecja e një gruaje shtatë lart, e veshur me rrobe pune të Ndërmarrjes të Ndërtimit, ose të Komunales.
Arsimtarët që e njihnin, më porositën që të mos e përshëndetja edhe qoftë se ajo të afron një përshëndetje me lëvizjen e kokës apo buzëqeshte. “Është një gjirokastrite që ka bërë disa vite burg si kundërshtare e deklaruar e regjimit komunist”, më tha dikush, e tani vuante vitet e internimit.
Kjo grua kishte një ecje të veçant, shikonte vetëm drejtë, pa kthyer kokën as majtas dhe djathtas, me një krenari prej një intelektualje, them pa ekzagjerim: edhe krenare.
Vetëvetiu pas një njohje në distancë, më lindi interesi e kureshtja të mësoja se kush ishte kjo grua e cila shpërfillte aq me kurajo atë nënçmim e internuar.
Pa dyshim edhe unë duhej të ruhesha kur të shuaja kureshtjen për emrin e saj. Një mik i babës tim që kishin kaluar dënimet në burgjet e diktaturës së bashku, avokat Sabri Quku, i cili kishte studiuar në Torino (me që Rrësheni nuk kishte avokat, në moshë të thyer, për mbijetesë, kishte ardh me punu aty, duke sakrifiku me mbajtë familjen), e pyeta se kush kjo grua.
Një ditë më pas më tha: “Është një shkrimtare dhe inspiruese në të parat poltikane që krijoj Partinë Social-demokrate, duke dalur hapur kundër Enver Hoxhës. Në gjyqin e saj ajo ka shfaq haptas urrejtjen kundër komunizmit. E quajnë Musine Kokalari. Kur të shkosh në Shkodër pyet babën, Et’hemin, se e njeh shumë mirë edhe si familje, se ka punuar në komunat e Gjirokastrës, në vitet e Monarkisë Zogiste, pse jo edhe në kampet e diktatures. Unë sa herë ndeshem me të e përshëndes”, duke lëvizur nga koka kapelen republike, përfundoi bisedën avokat Quku.
Kisha dëgjuar nga bisedat e babait tim që bënte në shtëpi me miqë e kushërinjtë për vuajtjet e të burgosurëve në kampet e punës, këneta e kanale, për gjyqet që bënin prokurorët e gjykatësit komunist, për qëndrimin stoik të klerikëve katolik e mysliman, e në mes të tjerave përmendëte qëndrimin në gjyq të Musine Kokalarit.
“E kam njohur Musinen dhe vëllezërit e saj që u pushkatuan pa gjyq. Një familje me tradita dhe një femër shumë intiligjente. Po më befason me këtë njohje që ke bërë”, më tha baba jo pak i habitur.
Më pyeti për shëndetin e saj, punën që bënte dhe për trajtimin e saj. “Më keq se një skllave”, ishte përgjigja ime.
Qëndrova në Rrëshen pesë vjet deri sa më erdhi radha me shkue ushtar. Në ato pesë vite njoha edhe të internuem të tjerë që ishin të shpërndarë nga Shpali deri në Kurbnesh. Në mes tyre edhe një djale trim e simpatik nga Kosova, Selim Kelmendin, që punonte me të shoqen, Dritën, një vajzë nga Shkodra, e familjes së njohur Dani.
Musinen, pas dy viteve që u riktheva në Rrëshen, e gjeta më të plakur, por krenare po ashtu si e kisha njohur në fillim. Kjo krenari i tërbonte më shumë punonjësit e Degës së Punëve të Mbrendëshme, ku ajo bënte dy herë në ditë prezencën e saj në këtë institucion kriminal.
Më kujtohet një mbas dreke, kur në postën e qytetit po prisja të flisja në telefon me prindërit në Shkodër, hyri pa ndrojtje kjo grua me një veshje tjetër nga ajo e punës së përditëshme, thjeshtë, por rrezatonte një fisnikëri dhe qytetari që të tërhiqte vëmëndjen. Mbante në dorë një çantë bezeje, nga ku nxorri një pako, duke i’a drejtuar punonjësit të postës, i cili atë mbasdreke ishte i vetem në shërbim.
Ai i hodhi një sy adresës së shkruar me një laps me ngjyrë të zezë dhe unë fiksova emrin e adresës për ku ishte nisur kjo pako: “Enver Hoxha Komiteti Qëndror P.P.SH. Tiranë”.
Çentralisti e shikoi si i trembur, këtë pako me atë adresë. Vuri në funksionim fishet dhe u lidh me Degën e Mbrendshme. Unë isha tërhequr nga sporteli dhe vetëm dëgjova përgjigjen që i tha çentralisti:
“E ke shkruar gabim adresën. Duhet shkruar: Shokut Enver Hoxha”. Nuk e dëgjova përgjigjen e saj, por pasi çentralisti përdori edhe një herë fishat, nuk e di se me kë komunikoi, por përgjigja ishte: “Lene këtu pakon dhe nesër duku përsëri dhe merr përgjigjen”.
Dëgjova që u hap një kasafortë dhe pakoja u vendos për ruajtje të sigurt.
Çentralisti pasi më afroi linjën me Shkodrën dhe unë më pas u afrova me pague tarifën e bisedës telefonike, ai pa e pyetur se çfarë do postonte Musine Kokalari në atë adresë, ai më tha: “Ishte një libër, deri sa të shkojë në adresën e shkruar në atë pako, pale në sa duar do të kalojë”.
U habita me këto fjalë të çentralistit, të cilit tani pas gjysmë shekulli ia kam harruar emrin, por e kujtoj se ai ishte në ato vite nxanës në shkollën e natës.
Duke pa se unë nuk po tregoja ndonjë kureshtje, ai përsëri foli: “Sidoqoftë, këtë që të thashë mos e bëj muhabet me kolegët.
Me një lëvizje koke ia miratova porosinë dhe u largova nga posta për tek Shtëpia e Kulturës.
Me rastin e 37-vjetorit të vdekjes së saj, më kujtohet si sot portreti i saj, ajo ecje në vetmi, trotuareve e rrugëve të Rrëshenit me një ndalesë tek dyqani i bukës apo ai ushqimor, e pastaj orët e vetmisë në atë shtëpi, vetëm shtëpi nuk ishte ku kaloi vitet e saj deri në 14 gusht 1983.
Ajo shtëpi plot lagështirë, ajo lopatë e kazmë, ajo jetë në errësirë i afruan vdekjen parakohe, pa patur as ndihmën më të vogël mjekësore, megjithëse spitali nuk ishte më larg se 100 m nga shtëpia e Argjirit.
E quanin kështu atë shtëpi, se aty jetonte i vetëm kuzhinieri i restaurantit të Rrëshenit. Kujtoj se ishte një minoritar grek nga Saranda. Ishte survejuesi i saj.
Edhe sot kur i kujtoj ato episode që përshkruava, portretin e shkrimtares dhe antikomunistes Musine Kokalari, e kam të gjallë në kujtesën time, ashtu dhe atë shtëpinë e Argjirit që të kallte frikën me pamjen e saj të zymtë, zymti që Musine Kokalari e sfidonte me shpirtin e saj prej intelektualje e demokrate./Memorie.al