Furtuna e politikës në Parlament e jashtë tij nuk ka arrritur deri tek reforma zgjedhore. Mbledhjet e Komisionit bipartizan në Kuvend kanë munguar, por puna përgatitore vazhdon dhe brenda qershorit do të trajtohen tre çështjet më prioritare.
“Që është votimi elektronik, shit-blerja e votës dhe abuzimi me burimet shtetërore që do të jenë deri në mesin e këtij muaji”, thotë Oerd Bylykbashi, bashkëkryetar i reformës.
Pas qershorit nis draftimi i ligjit nga ekspertët dhe kësaj here rol të dorës së parë do të kenë ekspertët e huaj.
“Që në fillim të sesionit të ardhshëm do të kemi edhe draftet për aprovim në komision dhe parlament. I kemi dhënë një rol primar këshillës ndërkombëtare europiane, Këshillit të Europës përmes Komisionit të Venecias dhe OSBE/ODIHR dhe ekspertë të tjerë me reputacion në këtë fushë”, shton Bylykbashi.
Në Tiranë zyrtarë të lartë të OSBE-së dhe ata gjermanë konfirmuan se i kanë sytë tek kjo reformë dhe nuk ju kanë munguar sinjalet për bllokim. Se puna vazhdon e konfirmojnë dhe socialistët me gojën e kryeparlamentarit.
“Unë jam besimplotë, që do të arrihet një produkt final në radhë të parë për implementimin e rekomandimeve të OSBE-ODHIR”, tha Gramoz Ruçi.
Por, ndërsa politika ka luftuar në ekstremet e saj, koha e paqes PS-PD ka sjellë marrëveshje të mëdha, kanë zemëruar të vegjlit, duke i detyruar të eksplorojnë në mënyrë të vazhdueshme skema mbijetese. Ekstremi i reagimit të tyre ishte greva e urisë e Ilir Metës dhe Nard Ndokës nëntorin e 2008-ës në dritën e një sistemi të ri zgjedhor. Ligji i ri u komentua si një goditje për Ilir Metën, por vetëm një vit më vonë partia e tij u ul në Qeveri.











