Kuvendi i Kosovës pritet të mbajë këtë të mërkurë seancën e 26-të me radhë në përpjekje për t’u konstituuar, tre muaj pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 9 shkurt.
Pavarësisht thirrjeve për zhbllokim institucional, partitë politike ende nuk kanë arritur konsensus për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Për disa seanca me radhë nuk ka kaluar propozimi për formimin e komisionit që do të mbikëqyrë votimin e fshehtë për kryeparlamentarin.
Partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, ka vazhduar të propozojë Albulena Haxhiun për postin e kryeparlamentares, por nuk ka siguruar mbështetjen e mjaftueshme nga partitë e tjera.
Kjo situatë e zvarritur ka shkaktuar shqetësim në opinionin publik dhe mes institucioneve, me thirrje të vazhdueshme për zhbllokim institucional dhe arritjen e një konsensusi politik për të vijuar me formimin e qeverisë dhe strukturave të tjera shtetërore.
Seanca e sotme pritet të nisë në ora 11:00, ndërsa mbetet për t’u parë nëse do të ketë zhvillime të reja drejt konstituimit të Kuvendit.











