Këshilli i Ministrave ka miratuar sot, më 30 mars 2026, disa vendime të rëndësishme, duke përfshirë emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe masat e mbështetjes për bujqësinë dhe zhvillimin rural për vitin 2026.
Sot Skënder Hita është emëruar Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe i është dhënë grada “Drejtues madhor”.
ë fushën e bujqësisë, Këshilli miratoi një fond të konsiderueshëm për mbështetje investimesh në sektorët bujqësorë dhe blegtoralë, me qëllim rritjen e konkurrueshmërisë dhe mbështetjes për fermerët.
Masa të tjera përfshinë pagesat direkte për fermerët për sipërfaqet e kultivuara dhe kafshët riprodhuese.
Po ashtu, janë parashikuar investime në infrastrukturë bujqësore, agropërpunim dhe agroturizëm, me një fond total që arrin deri në 2.5 miliardë lekë. Këshilli i Ministrave miratoi gjithashtu ndryshime të rëndësishme në ligjin për vlerësimin e ndikimit në mjedis, duke i bërë procedurat më të shpejta dhe efikase. Ky veprim synon të përmirësojë shërbimet për qytetarët dhe të mbështesë zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.
Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 30 mars 2026:
V E N D I M PËR EMËRIMIN E DREJTORIT TË PËRGJITHSHËM TË POLICISË SË SHTETIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 56, pikat 1 e 2, e 85, pika 10, të ligjit nr.82/2024, “Për Policinë e Shtetit”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Skënder Hita emërohet Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe i jepet grada “Drejtues madhor”.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E KRITEREVE BAZË TË SEKTORËVE QË DO TË MBËSHTETEN DHE TË MASËS SË FINANCIMIT NGA FONDI I PROGRAMIT PËR BUJQËSINË DHE ZHVILLIMIN RURAL, PËR VITIN 2026
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 3, të nenit 6, të ligjit nr.9817, datë 22.10.2007, “Për bujqësinë dhe zhvillimin rural”, të shkronjës “c”, të pikës 2, të nenit 18, të ligjit nr.64/2012, “Për peshkimin”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Fondi i miratuar në buxhetin e vitit 2026 për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në zërin “Transfertë në buxhetet familjare” (llogaria ekonomike 606), përdoret për:
a) rritjen e konkurrueshmërisë së prodhimeve bujqësore dhe blegtorale, duke ulur kostot nëpërmjet pagesave direkte për sipërfaqe të kultivuar dhe për kafshë të matrikulluara;
b) kontrollin biologjik të dëmtuesve të perimeve në serra, certifikimin e produkteve bujqësore dhe të fermave organike;
c) mbështetjen me grante për investime në ferma, agropërpunim, akuakulturë dhe agroturizëm.
Masat e mbështetjes dhe masa e financimit nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural janë, si më poshtë vijon:
2.1. Pagesa direkte në bujqësi dhe blegtori është, si më poshtë vijon:
a) Në vlerën deri në 12 000 (dymbëdhjetë mijë) lekë/krerë, për tufën bazë të matrikulluar (kafshët riprodhuese), për fermer/aplikant, me jo më pak se 5 (pesë) krerë lopë dhe /ose mëshqerra.
Për pjesën mbi 50 (pesëdhjetë) krerë, masa e përfitimit zvogëlohet me 50%, përjashtuar rastet e aplikantëve me status “Shoqëri të bashkëpunimit bujqësor (në vijim SHBB)”;
b) Në vlerën deri në 1 500 (një mijë e pesëqind) lekë/krerë për tufën bazë të matrikulluar (kafshët riprodhuese), për fermer/aplikant, me jo më pak se 50 (pesëdhjetë) krerë dele dhen/ose dhi.
Për pjesën mbi 300 (treqind) krerë, masa e përfitimit zvogëlohet me 50%, përjashtuar rastet e aplikantëve me status “SHBB”;
c) Për mbarështimin e bletarisë, në vlerën deri në 2 000 (dy mijë) lekë për zgjua, për fermer/aplikant, me jo më pak se 25 (njëzet e pesë) zgjoje.
Për pjesën mbi 150 (njëqind e pesëdhjetë) zgjoje, masa e përfitimit zvogëlohet me 50%, përjashtuar rastet e aplikantëve me status “SHBB”;
ç) Për dosa dhe/ose paradosa të matrikulluara, në vlerën deri në 7 000 (shtatë mijë) lekë/krerë dosë/paradosë, për fermer/aplikant, me jo më pak se 5 (pesë) krerë dosa dhe/ose paradosa.
Për pjesën mbi 100 (njëqind) krerë, masa e përfitimit zvogëlohet me 50%, përjashtuar rastet e aplikantëve me status “SHBB”;
d) Për kontrollin biologjik të dëmtuesve të perimeve (domate, speca, tranguj) në serra dhe/ose luleshtrydheve në tunele plastike, masa e përfitimit është 70% e vlerës totale të faturave tatimore, për blerjen e materialeve biologjike, përfshirë insektet e dobishme, por jo më shumë se 40 000 (dyzet mijë) lekë për dynym, në rastin e dy mbjelljeve në vit.
Për fermerët individualë, që aplikojnë për mbështetje për kontrollin biologjik, sipërfaqja minimale e kultivuar është 1 (një) dynym, ndërsa për aplikantët me status “SHBB”, sipërfaqja minimale është 1 (një) ha, për secilën nga mbjelljet;
dh) Për fermat organike për periudhën në kalim, vitin e parë, në vlerën 100 000 (njëqind mijë) lekë, në vitin e dytë 150 000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) lekë, në vitin e tretë 150 000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) lekë dhe 200 000 (dyqind mijë) lekë për fermë të certifikuar;
e) Për implementimin dhe certifikimin global GAP, përfshirë mbulimin e kostove të analizave të produkteve në perime, fruta, rrush, ullinj, agrume dhe kultura të tjera bujqësore të certifikueshme, në masën 50% të vlerës totale të faturës tatimore, por jo më shumë se:
175 000 (njëqind e shtatëdhjetë e pesë mijë) lekë, për sipërfaqe jo më pak se 1 (një) ha për certifikim individual;
ii. 500 000 (pesëqind mijë) lekë, për sipërfaqe jo më pak se 3 (tre) ha në ambiente të mbrojtura dhe jo më pak se 10 (dhjetë) ha në fushë të hapur, për certifikim në grup, me minimumi 10 (dhjetë) fermerë të përfshirë;
iii. 700 000 (shtatëqind mijë) lekë, për sipërfaqe jo më pak se 15 (pesëmbëdhjetë) ha në ambiente të mbrojtura dhe jo më pak se 30 (tridhjetë) ha në fushë të hapur, për certifikim në grup, me minimum 20 (njëzet) fermerë të përfshirë.
ë) në vlerën deri në 10 000 (dhjetë mijë) lekë për ha, për sipërfaqe të mbjellë me kultura bujqësore. Sipërfaqja totale, për të cilën aplikohet, duhet të jetë jo më pak se 3 (tre) ha.
Për sipërfaqe mbi 10 (dhjetë) ha, masa e përfitimit zvogëlohet me 50%, përjashtuar rastet e aplikantëve me status “SHBB”;
f) për mbështetje për aktivitetin ripopullim peshkimi për ujërat e brendshme për blerje rasate peshku, masa e përfitimit është në 50% e vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 200 000 (dyqind mijë) lekë për subjekt.
2.2. Mbështetje për investime për:
a) masat e përcaktuara në shkronjat “a”, “b”, “c”, “ç”, “d”, “dh”, “e”, “ë” dhe “f”, të nënpikës 2.4, të vendimit nr.150, datë 6.3.2025, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve bazë, të sektorëve që do të mbështeten dhe të masës së financimit nga fondi i programit për bujqësinë e zhvillimin rural, për vitin 2025”, të ndryshuar;
b) fermerë të rinj, për investime në ferma bujqësore dhe blegtorale, masa e përfitimit është në 70% e vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 1 000 000 (një milion) lekë;
c) ndërtimin/rikonstruksionin e staneve dhe/ose pajisjeve për përmirësimin e kushteve, masa e përfitimit është në 70% e vlerës së faturave tatimore, por jo më shumë se 3 000 000 (tre milionë) lekë për subjekt.
ç) pajisje, makineri dhe mjete bujqësore për mekanizimin dhe modernizimin e proceseve të punës në ferma bujqësore dhe blegtorale, masa e përfitimit është në 50% e vlerës së faturave tatimore, por jo më shumë se 500 000 (pesëqind mijë) lekë për subjekt dhe jo më pak se 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë për subjekt.
Fondi total për mbështetjen për investime, të përcaktuara në shkronjat “a”, “b”, “c”, “ç” dhe “d”, të nënpikës 2.2, është në vlerën deri në 2 500 000 000 (dy miliardë e pesëqind milionë) lekë.
Nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural, për vitin 2026, përdoret shuma deri në:
a) 159 954 159 (njëqind e pesëdhjetë e nëntë milionë e nëntëqind e pesëdhjetë e katër mijë e njëqind e pesëdhjetë e nëntë) lekë, për pagesën e vlerës së palikuiduar për kontratat, për të cilat nuk është autorizuar pagesa finale në masat e mbështetjes për investime nga Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural, në zbatim të pikave 2.3 dhe 3/2, të vendimit nr.130, datë 6.3.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve bazë të sektorëve që do të mbështeten dhe të masës së financimit nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural, për vitin 2024”, të ndryshuar;
b) 9 662 269 (nëntë milionë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë e dy mijë e dyqind e gjashtëdhjetë e nëntë) lekë, për pagesën e vlerës së palikuiduar, për subjektet përfituese, në zbatim të vendimit nr.150, datë 6.3.2025, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve bazë të sektorëve që do të mbështeten dhe të masës së financimit nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural, për vitin 2025”, të ndryshuar.
Për masat mbështetëse sipas shkronjave “a”, “b”, “c”, “ç”, “d”, “dh”, “e”, ‘ë” dhe “f”, sipas përcaktimeve të nënpikës 2.1, kur fondi në dispozicion rezulton më i vogël se totali i kërkesës së aplikimeve të bëra për masën përkatëse, vlera e financimit që përfitohet për njësi (krerë, zgjua apo ha), si dhe në total për subjekt, reduktohet në përputhje me këtë fond. Në rastet e shtesave/alokimeve eventuale të fondit, vlera e financimit që përfitohet nuk mund të jetë më e madhe se kufiri për masën përkatëse, i përcaktuar në këtë vendim.
Nga rregulli i mësipërm bëjnë përjashtim aplikantët me status “SHBB”, të cilët përfitojnë vlerën maksimale të financimit, të parashikuar në këtë vendim, edhe kur fondi në dispozicion rezulton më i vogël se totali i kërkesës së aplikimeve të bëra për masën përkatëse.
Për aplikimet për masat mbështetëse, sipas shkronjave “a”, “b”, “c” dhe “ç”, të nënpikës 2.1, të këtij vendimi, kryhet kontrolli në terren për verifikimin faktik të numrit të krerëve/zgjojeve, në jo më pak se 30%, të subjekteve përfituese, ndërsa për aplikimet sipas shkronjës “ë”, në jo më pak se 10% të subjekteve përfituese, përfshirë kontrollin e të gjitha subjekteve me sipërfaqe mbi 10 (dhjetë) ha.
Çdo subjekt, në rastet kur verifikohet se ka përfituar më shumë se 20% nga vlera, për të cilën plotëson kriteret, përjashtohet 3 (tre) vjet nga e drejta e përfitimit prej masave mbështetëse për bujqësinë dhe zhvillimin rural, të financuara nga buxheti i shtetit.
Përfitues për masat e mbështetjes nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural janë fermerët individualë, personat fizikë, personat juridikë dhe shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor (SHBB).
Ngarkohet Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.686, DATË 29.7.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLAVE, TË PËRGJEGJËSIVE E TË AFATEVE PËR ZHVILLIMIN E PROCEDURËS SË VLERËSIMIT TË NDIKIMIT NË MJEDIS (VNM) DHE PROCEDURËS SË TRANSFERIMIT TË VENDIMIT E DEKLARATËS MJEDISORE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 7, të ligjit nr.10440, datë 7.7.2011, “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.686, datë 29.7.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullave, të përgjegjësive e të afateve për zhvillimin e procedurës së vlerësimit të ndikimit në mjedis (VNM) dhe procedurës së transferimit të vendimit e deklaratës mjedisore”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
Në kreun I bëhen ndryshimet dhe shtesa e mëposhtme:
a) Në pikën 3, fjalët “… jo më vonë se 2 (dy) ditë pune …” zëvendësohen me “… brenda ditës …”.
b) Në pikën 4 bëhen këto ndryshime:
Fjalët “… brenda 7 (shtatë) ditëve punë …” zëvendësohen me “… brenda 2 (dy) ditëve punë …”;
ii. Fjalët “… brenda 30 (tridhjetë) ditëve punë …” zëvendësohen me “…brenda 20 (njëzet) ditëve punë …”.
c) Fjalia hyrëse e pikës 4/2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“AKM-ja, kur vlerëson se dokumentacioni i aplikimit apo dokumentacioni i plotësuar është i plotë, sipas pikës 1, të këtij kreu, brenda 2 (dy) ditëve punë nga marrja e aplikimit apo plotësimit të dokumentacionit, ia përcjell atë institucioneve të mëposhtme, të cilat japin mendimin e tyre brenda brenda 4 (katër) ditëve punë:”.
ç) Në pikën 5, fjalët “… brenda 2 (dy) ditëve punë nga data e marrjes së …” zëvendësohen me “… brenda ditës nga marrja e … ”.
d) Në pikën 7, fjalët “… brenda 22 (njëzet e dy) ditëve punë …” zëvendësohen me “… brenda 10 (dhjetë) ditëve punë …”.
dh) Pas pikës 9 shtohet pika 9/1, me këtë përmbajtje:
“9/1. AKM-ja ia përcjell brenda ditës informacionin apo dokumentacionin e plotësuar nga zhvilluesi institucioneve të konsultuara në pikën 9, të këtij kreu, të cilat shprehin mendimin e tyre mbi informacionin shtesë brenda 2 (dy) ditëve punë.”.
e) Pika 12 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“12. Afati maksimal për dërgimin e vendimit te zhvilluesi është 12 (dymbëdhjetë) ditë pune nga aplikimi pranë ministrisë. Në rastet e plotësimit të dokumentacionit, duke llogaritur afatet sipas pikave 4 dhe 9, të këtij kreu, afati maksimal për dërgimin e vendimit te zhvilluesi është 14 (katërmbëdhjetë) ditë pune, duke mos llogaritur këtu afatin që i duhet subjektit zhvillues për të kryer plotësimin e dokumentacionit. Në rast se zhvilluesi nuk plotëson dokumentacionin/informacionin brenda afateve të përcaktuara në pikën 9, nënkupton që zhvilluesi ka hequr dorë nga aplikimi për VNM-në paraprake.”.
Në kreun II bëhen këto ndryshime:
a) Në pikën 3, fjalët “… jo më vonë se 2 (dy) ditë pune …” zëvendësohen me “… brenda ditës …”.
b) Në pikën 4 bëhen këto ndryshime:
Fjalët “… brenda 7 (shtatë) ditëve punë …” zëvendësohen me “… brenda 2 (dy) ditëve punë …”;
ii. Fjalët “… brenda 30 (tridhjetë) ditëve punë …” zëvendësohen me “… brenda 20 (njëzet) ditëve punë …”.
c) Në pikën 4/2 bëhen këto ndryshime:
Fjalët “… brenda 5 (pesë) ditëve punë …” zëvendësohen me “… brenda 2 (dy) ditëve punë …”;
ii. Fjalët “… brenda 7 (shtatë) ditëve punë …” zëvendësohen me “… brenda 4 (katër) ditëve punë …”.
ç) Në pikën 5, fjalët “… brenda 2 (dy) ditëve punë nga data e marrjes së …” zëvendësohen me “… brenda ditës nga marrja e …” .
d) Në pikën 7, fjalët “… është 25 ditë pune …” zëvendësohen me “… është 12 (dymbëdhjetë) ditë pune …”.
dh) Në pikën 11, fjalët “… brenda 3 (tri) ditëve punë …” zëvendësohen me “… brenda 2 (dy) ditëve punë …”.
e) Në pikën 12, fjalët “… brenda 5 (pesë) ditëve punë …” zëvendësohen me “… brenda 3 (tri) ditëve punë …”.
ë) Në pikën 13, fjalët “… brenda 30 (tridhjetë) ditëve punë …” zëvendësohen me “… brenda 20 (njëzet) ditëve punë …”.
f) Në pikën 14, fjalët “… brenda 7 (shtatë) ditëve punë …” zëvendësohen me “… brenda 5 (pesë) ditëve punë …”.
Në pikat 2 dhe 4, të kreut III, fjalët “… brenda 10 (dhjetë) ditëve …” zëvendësohen me “… brenda 7 (shtatë) ditëve …”.
Ngarkohen Ministria e Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA











