Nga Skënder Minxhozi
Në harkun e 48 orëve Ilir Meta ka ndërhyrë hapur dhe plot zhurmë në luftën politike brenda opozitës së djathtë. E ka bërë këtë duke deklaruar, si zakonisht të kundërtën. “Nuk dëshiroj të komentoj zhvillimet e brendshme në asnjë forcë politike”, u shpreh Meta nga Pogradeci, duke bërë sikur kishte harruar që vetëm 24 orë para kësaj deklarate kishte ftuar për drekë Evi Kokalarin, një figurë enigmatike e ardhur nga SHBA, që ditët e fundit është hedhur në sulm kundër Bashës dhe pro Sali Berishës. Takimi me Kokalarin nuk është një “koment” nga ana e Presidentit, por një gjest i hapur anësie dhe rreshtimi në favor të aleatit më jetëgjatë dhe më të palëvizshëm që Ilir Meta ka pasur në karrierën e tij 30 vjeçare: Sali Berishës.
Nga qyteti turistik në breg të liqenit, Presidenti ka hedhur edhe një deklaratë që ia vlen të analizohet, pasi përbën gjithashtu një ndërhyrje të tërthortë në luftën politike të Tiranës. “Jam i bindur, ka deklaruar Ilir Meta, se nuk ka përpjekje në botë që të realizojë atë skenar të zi për të lënë Shqipërinë pa opozitë. Një skenar që luhet prej shumë vitesh dhe jam i sigurt që shqiptarët nuk do të pranojnë kurrë të kthehen në modele që nuk janë as në kontinentin tonë”.
Kreu i shtetit njofton pra publikisht se prej vitesh ka një përpjekje për të eliminuar opozitën shqiptare. Përtej faktit që kjo deklaratë është një futje me të dyja duart në mishmashin opozitar të këtyre orëve, mes Lulzim Bashës e Sali Berishës, ajo përbën edhe një sulm të pakamufluar ndaj qeverisë. Por këtu Meta nuk habit më askënd sepse tashmë e ka treguar se sa pak mundet të qëndrojë në rolin asnjanës të kryetarit të shtetit.
Së dyti, meqë aludon se ekziston një plan për të zhdukur opozitën në Shqipëri, madje prej disa vitesh, le të përpiqemi ta ndihmojmë pak kreun e shtetit që të sqarojë më mirë tezën e tij apokaliptike.
Nëse ka pasur një plan për të eliminuar opozitën, me siguri ai plan duhet ta ketë origjinën tetë vjet më parë, kur në garën mes Lulzim Bashës e Sokol Olldashit u përzgjodh i pari. Rezultatet që pasuan provuan se vënia e Lulit në krye të partisë ishte vërtet një plan ogurzi për t’i shkurtuar ditët opozitës.
Nëse ka pasur një plan për të eliminuar opozitën, ai me shumë gjasë do të ketë pasur të bëjë me refuzimin kategorik të PD për t’u paraqitur në tryezën e reformës territoriale, duke i lënë në dorë Edi Ramës që të vizatojë sipas qejfit hartën e bashkive të reja të Shqipërisë. Rezultati: nga 61 bashki me të cilat Shqipëria hyri në zgjedhjet lokale të vitit 2015, pozita fitoi 45 të tilla kurse opozita vetëm 16! Shifrat flasin vetë.
Nëse ka pasur një plan për të eliminuar opozitën, ai duhet me siguri të ketë vazhduar me instalimin e Çadrës 100 ditëshe në pranverën e vitit 2017 në bulevardin qëndror të Tiranës. Aty u gatua fillimisht revolucioni blu, e më pas brenda pesë orëve iu shtri dora Edi Ramës, u pranua hyrja në qeverinë e tij dhe në fund të rrugës PD mori rezultatin më të keq historik që nga themelimi i saj në vitin 1990.
Nëse ka pasur një plan për ta lënë opozitën pa pushtet dhe përfaqësim të cilësdo formë, ky plan e ka pasur pikën kulmore në vitin 2019. Atëhere kur opozita hodhi në urën e Lanës mandatet parlamentare, e së dyti kur nuk hyri fare në zgjedhjet lokale të rradhës. Me shume siguri, pjesë e atij plani do ketë qenë edhe veprimi komik i kreut të shtetit që shtyu datën e zgjedhjeve pa konsultuar askënd paraprakisht!
Nëse ka pasur një plan skandaloz për të vrarë opozitën shqiptare, ai do ketë qenë i lidhur edhe me vitin fatal që do dhe tre muaj të mbarojë. Fillimisht, sipas këtij plani, PD nuk e kundërshtoi hyrjen në zgjedhje megjithëse pozita ndryshoi klauzolën e koalicioneve paraelektorale duke lëvizur në tryeza nja katër a pesë mandate në favor të saj. Sikur të mos mjaftonte kjo (me siguri, në bazë të planit që përmend Ilir Meta), partia e tij LSI doli e tha se këto ndryshime ishin në favor të saj nga ana elektorale. Rezultati: LSI mori vetëm 4 mandate në zgjedhjet e 25 prillit, shifra më e keqe që nga dita e themelimit.
Siç shihet kjo lojë ironike argumentash me deklaratën e Presidentit, ka brenda një dozë jo të vogël realizmi e vërtetësie. Ilir Meta ia hedh të gjithë fajin e dobësisë së sotme të opozitës Edi Ramës dhe Xhorxh Sorosit. Por siç duket nga sa më lart, themeli i krizës së sotme opozitare qëndron i ndërtuar mbi vendime gtë këqia, zgjedhje të gabuara dhe mungesë vizioni. Të cilat Sali Berisha është kujtuar t’i kritikojë në Foltoret e tij “pas pilafit”. Më saktë, pasi u shpall non grata nga SHBA. Ashtu si Meta, edhe ish-kryeministri e drejtojnë gishtin tek pala tjetër, por do bënin mirë të shiheshin një herë në pasqyrë se ndoshta gjejnë aty fajtorin e kalvarit tetëvjeçar të opozitës.