Pas miratimit në Komisionin e Ligjeve dhe atë të Sigurisë, projektligji për amnistinë me rastin e festave të fundvitit do të votohet në Kuvend ditën e hënë. Në total pritet të përfitojnë më shumë se 720 të dënuar për vepra të lehta penale. Përfitojnë amnisti ata që janë dënuar deri në dy vjet.
U falen 1.5 vite dënim të gjitha grave dhe 1 vit të gjithë burrave. Por ndërkohë pritet që nga kjo amnisti të përfitojnë edhe deputetët Tom Doshi e Mark Frroku të cilët akuzohen për “kallëzim të rremë” kundër kreut të Kuvendit, Ilir Meta. Kjo vepër penale përmbush kriteret për tu amnistuar dhe deputetët pritet të zhvishen nga akuzat, raporton Shqiptarja.com
Po kështu përfiton nga kjo amnisti edhe ish-kryebashkiaku i Fierit Baftjar Zeqo, i cili megjithëse u shpall i pafajshëm, çështja e tij vijon të mbetet ende në gjykim.
Përfiton gjithashtu kryebashkiaku i Kamzës Xhelal Mziu, i cili u dënua me 2 vjet burg nga Gjykata e Tiranës, me akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Shkelje të pabarazisë në tendera”.
Përfiton nga amnistia edhe ish-këshilltari i ibashkisë Fier, Fatmir Kajolli dhe djali i tij, Florim Kajolli, të cilët janë dënuar me 1.4 vite burg për “kanosjes ose dhunimit të pjesëmarrësve në zgjedhje”, “kundërshtim të punonjësit të policisë” dhe “shkatërrimit të pronës me dashje”.
Tjetër person që përfiton është Besim Ndregjoni, kreu i shoqatës së ish-të përndjekurve politikë, si dhe 5 protestues të opozitës që u proceduan pas protestës së 8 dhjetorit.