Pas disa muajsh përballje mes avokatëve të tij dhe prokurorisë e gjykatës, Sali Berisha është paraqitur në SPAK për të dëshmuar për privatizimin e ish-klubit Partizani, çështje për të cilën po hetohet edhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi.
Ai ndodhej në arrest shtëpie që prej 30 dhjetorit 2023 pasi deputetët miratuan në seancën e fundit të vitit 2023 kërkesën e SPAK-ut për arrestimin e tij.
Trajektorja e Berishës nga kundërshtimi për të vajtur në SPAK te dëshmia e sotme:
Arrestimi i tij kishte të bënte me privatizimin e ish-klubit Partizani, ku Malltezi dyshohet se ka përfituar në mënyrë të paligjshme prona.
Pas arrestimit të Malltezit, SPAK kërkoi dëshminë e ish-kryeministrit Berisha për çështjen në fjalë, duke e akuzuar atë për shkeljen e ligjit për të favorizuar dhëndrin e tij, gjatë kohës kur ishte kreu i qeverisë.
Gjykata e Posaçme i bllokoi pasaportën ish-kreut të PD-së, për ta ndaluar që të largohej jashtë vendit.
Berisha refuzon të paraqitet, akuza prokurorëve të SPAK-ut Kraja e Millonai e gjyqtares Irena Gjoka
Pavarësisht disa thirrjeve në SPAK, Berisha nuk pranoi të paraqitej për të dëshmuar duke thënë se kërkesa dhe bllokimi i pasaportës së tij ishte antikushtetuese.
Në të gjitha deklaratat për media ai akuzoi prokurorët e SPAK-ut për çështjen në fjalë Arben Kraja e Enkeleida Millonai se vepronin me urdhër të Edi Ramës dhe se ishin të motivuar politikisht në hetimin e tyre.
Ai gjithashtu ka pretenduar se prokuroria ka manipuluar e fshehur provat për dosjen duke publikuar dokumente të shumta sipas të cilave ai ka pohuar se nuk ka asnjë lidhje me çështjen për të cilën hetohet.
Beteja ligjore mes avokatëve të Berishës e prokurorisë
Pas kundërshtimit të Berishës për t’u paraqitur për të dëshmuar, avokatët e tij nisën një betejë disajavore ligjore në gjykatë për të shmangur vajtjen e ish-kryeministrit në prokurori.
Ata kërkuan përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga çështja pasi sipas tyre është në konflikt interesi duke qenë se është shkarkuar nga detyra në vitin 1996 nga ILD-ja, që asokohe drejtohej nga Berisha president.
Megjithatë e njëjta ILD e riktheu në detyrë Gjokën vetëm 6 muaj pas shkarkimit. Më pas ata e quajtën antikushtetuese bllokimin e pasaportës së Berishës duke thënë se për diçka të tillë duhej leje nga Kuvendi.
Ndërkohë Gjykata e Apelit hodhi poshtë kërkesën me avokatëve për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga seanca me këtë të fundit që i kërkoi Berishës të paraqitej për të dëshmuar.
SPAK dërgon në Kuvend kërkesën
Teksa beteja ligjore ne gjykatë vijonte, prokurorët e SPAK-ut, Kraja e Millonai u paraqitën në Kuvend për të kërkuar heqjen e imunitetit të Berishës.
Në seancën e komisionit të mbledhur për këtë çështje socialistët e demokratët e Bashës e miratuan duke i hapur rrugën arrestimit të Berishës.
Kuvendi miraton kërkesën e SPAK-ut
Në seancën pasardhëse në Kuvend, e fundit për vitin 2023, deputetët socialistë votuan heqjen e imunitetit të Berishës e hapjen rrugë të arrestimit.
Gjykata vendos arrest në shtëpi për Berishën
Më 30 dhjetor 2023 Gjykata e Posaçme vendosi masën arrest në shtëpi për ish-kryeministrin Berisha.
Që prej asaj kohe ai qëndron aty duke u shfaqur çdo mbrëmje në dritaren e banesës për të përshëndetur qytetarët e deputetët që e mbështesin nga poshtë.
23 janar 2024, Berisha paraqitet në SPAK
3 muaj pas arrestimit të dhëndrit të tij, ish-kryeministri Berisha është paraqitur mëngjesin e sotëm për të dëshmuar në SPAK.
Ai tha se kishte ardhur për të denoncuar kryeministrin Rama e grupin e strukturuar kriminal në SPAK që ishte angazhuar për të goditur pluralizmin në vend. (Hashtag.al)