Ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) janë duke u përgatitur për dislokim në Gazë, duke pritur vetëm miratimin e institucioneve shtetërore.
Kosova ka njoftuar se do të dërgojë trupa në këtë zonë të shkatërruar nga lufta në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese (FNS), e cila është pjesë e Bordit të Paqes, një nismë ndërkombëtare për ruajtjen e paqes.
Vendimi për dërgimin e trupave në Gazë kërkon miratimin e Kuvendit të Kosovës, duke përfshirë edhe ratifikimin e marrëveshjes për pjesëmarrjen e Kosovës në këtë mekanizëm. Aktualisht, Kosova është ndër pesë shtetet e para që kanë konfirmuar angazhimin e tyre, së bashku me Indonezinë, Marokun, Kazakistanin dhe Shqipërinë.
Procesi i finalizimit të dislokimit përfshin disa hapa: pas miratimit nga Qeveria, vendimi kalon në Kuvend dhe më pas miratohet nga Presidenti i Kosovës. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, propozimvendimi për dislokimin e FSK-së në Gazë është dorëzuar për miratim në qeveri më 3 mars 2026.
Forca Ndërkombëtare Stabilizuese pritet të nisë operacionet në Gazë nga muaji maj, duke përfshirë edhe kontigjentin e ushtarëve të FSK-së.
Planifikimi fillestar parashikon dërgimin e mbi 20 ushtarëve të specializuar në deminim dhe operacione speciale, si dhe oficerë planifikues dhe ekipe mjekësore të integruara në komandën e FNS-së.
Ky angazhim është pjesë e një procesi të vazhdueshëm për ndërveprim ndërkombëtar dhe përforcim të rolit të Kosovës në mekanizmat paqeruajtës. FSK-ja ka marrë pjesë më parë në misione jashtë vendit, përfshirë Kuvajtin (2021) dhe Ishujt Falklands (2022), dhe ka një bashkëpunim të ngushtë me Gardën Kombëtare të shtetit të Ajovës në Shtetet e Bashkuara.
Shndërrimi i FSK-së në ushtri pritet të përmbyllet deri në vitin 2028, duke forcuar kapacitetet e saj për pjesëmarrje në misione ndërkombëtare dhe bashkëpunim me aleatët kryesorë të Kosovës./Marrë nga REL











