Prof. asc. Dr. Pëllumb Karameta
Sistemi ynë arsimor gjendet ende në udhëkryqin midis qëllimeve të reja dhe mënyrave të vjetra të mendimit dhe veprimit pedagogjik. Në letër flasim për kompetenca, mendim kritik dhe nxënie aktive; në praktikë, shumë shkolla ende mbeten të lidhura pas modelit të transmetimit të përmbajtjes nga tekstet.
Shumë mësues dhe drejtues, për ta thënë butë, merren më shumë me letra sesa me mësimin. Në vend që të zhvillojnë aftësitë profesionale, ata merren me detyra administrative dhe dokumente formale që i largojnë nga thelbi i punës së tyre. Nxënësit, nga ana tjetër, mësojnë për testin, jo për kuptimin; grumbullojnë njohuri që zbehen shpejt, në vend që të ndërtojnë kompetenca të vlefshme për jetën. Në një sistem që ende vlerëson më shumë notën sesa zhvillimin, dija rrezikon të mbetet në letër, pa u kthyer në mendimin që udhëheq veprimin.
Reforma kurrikulare ka ndryshuar dokumentet, por jo gjithmonë mënyrën si funksionon shkolla. Mungon lidhja midis qëllimeve në letër dhe realitetit të klasës. Edhe puna e institucioneve dhe organizatave që hartojnë udhëzime apo ofrojnë trajnime mbetet e copëzuar dhe shpesh formale. Më shumë e përqendruar te raportet dhe materialet, sesa te mbështetja e vërtetë e mësuesit. Pa kuptuar këtë, çdo reformë mbetet gjysmake: ndryshon formën, jo jetën e klasës.
Shkolla shqiptare ka mësues të përkushtuar dhe nxënës plot potencial, por sistemi nuk po arrin t’u krijojë hapësirë të mjaftueshme për të menduar, për të pyetur dhe për të vepruar në mënyrë të pavarur. Sa kohë që arsimi mbetet i ndarë midis dijes në libra dhe mendimit e veprimit në jetë, do të prodhojmë nxënës që dinë përgjigje, por nuk dinë të pyesin; që dinë të riprodhojnë fjalët, por jo kuptimin e tyre – ndryshe, analfabetë funksionalë. Vetëm kur kjo të ndryshojë, do mund të flasim për shkollën e kompetencave me plot kuptimin e fjalës.
Shkolla e transmetimit: mëso, përsërit, riprodho
Modeli tradicional i mësimit, i lindur në fillim të shekullit XX, bazohej në logjikën e prodhimit industrial: saktësi, rregull, përsëritje. Mësuesi ishte burimi i dijes, nxënësi dëgjues pasiv. Procesi zhvillohej duke kaluar në tri hallka të pandryshueshme: shpjegim, dëgjim, riprodhim. Suksesi i nxënësit matej me kujtesën, jo me mendimin. Ky model funksiononte në një botë të qëndrueshme, kur dija ndryshonte ngadalë.
Shkolla e mendimit: mëso për të kuptuar dhe për të vepruar
Në dekadat e fundit, arsimi botëror është zhvendosur drejt një paradigme të re – nxënie për kompetenca. Flet vetë fakti që këtë qasje e zbatojnë, ose janë në fazë pilotimi, rreth 80 vende (UNESCO-IBE, 2017, 2021). Edhe Shqipëria ka zgjedhur këtë rrugë, duke miratuar kurrikulën e bazuar në kompetenca (KBK). Ajo e sheh nxënien si proces të ndërtimit dhe zbatimit të njohurisë dhe kuptimit, jo të riprodhimit të informacionit.
Në këtë model, nxënësi nuk është më dëgjues pasiv, por ndërtues dhe përdorues aktiv i njohurisë – mëson dhe vepron duke pyetur, kërkuar, bashkëpunuar dhe reflektuar. Mendimi kritik është mekanizmi që e vë në lëvizje këtë proces: pa mendim kritik, nxënia mbetet mekanike; me të, ajo bëhet proces krijues që ndërton kompetencën.
Mësuesi nuk është më transmetues i fakteve, por udhërrëfyes i mendimit, që krijon situata të nxënieje ku përmbajtja merr jetë dhe kthehet në mjet për të zhvilluar të menduarin. Përmbajtja mësimore nuk është qëllim në vetvete, por mjet zhvillimi që nxit aftësinë për të kuptuar dhe për të vepruar me përgjegjësi. Suksesi i nxënësit matet me mënyrën se si ai përdor dijen në situata reale – si e kupton thelbin e saj dhe e aktivizon për të drejtuar veprimin.
Pesë pyetje që sfidojnë shkollën e mendimit
1. A po e përdorim përmbajtjen mësimore për zhvillimin e nxënësit?
Çdo dije – shkencore, artistike apo kulturore – mbart brenda vetes potencial zhvillues, sepse është produkt i mendimit dhe kërkimit njerëzor. Kur ajo përzgjidhet për t’u mësuar në shkollë, kthehet në përmbajtje. Por përmbajtja ka vlerë vetëm kur rigjallëron procesin mendor që e ka krijuar. Nëse mësuesi e trajton si informacion për t’u përsëritur, ajo vdes; nëse e përdor për të nxitur pyetje dhe reflektim, ajo nxit mendimin kritik dhe kthehet në burim zhvillimi. Kështu, përmbajtja bëhet ura që lidh dijen me zhvillimin e nxënësit, duke e kthyer nxënien në proces krijues kuptimplotë.
2. A po i ndihmojmë nxënësin të kuptojë simbolet?
Dija përfaqësohet përmes fjalëve, formulave, figurave dhe shenjave që bartin mënyrën si është ndërtuar vetë mendimi. Nxënësi ndërton kuptim vetëm kur arrin të shohë përtej simbolit, për të kuptuar çfarë përfaqëson ai. Një formulë, një metaforë apo një hartë nuk kanë vlerë më vete, nëse nxënësi nuk kupton se çfarë ideje apo koncepti përfaqësojnë. Prandaj, mësuesi duhet ta ndihmojë ta kthejë simbolin nga objekt i kujtesës në mjet kuptimi. Të kuptuarit e simbolit është hapi që ndan të mësuarin mekanik dhe analfabetizmin funksional nga ndërtimi i kuptimit të vërtetë dhe kompetencës.
3. A po e zhvillojmë mendimin kritik të nxënësve?
Asnjë përmbajtje nuk zhvillon, nëse nxënësi nuk mendon. Mendimi kritik është procesi që e vë në lëvizje nxënien, që lidh përmbajtjen me veprimin dhe njohuritë me kompetencën. Kur nxënësi pyet, dyshon, krahason dhe argumenton, ai po ndërton kuptim dhe po mëson të mendojë dhe të sillet si qytetar i lirë dhe i përgjegjshëm. Ky është momenti kur përmbajtja që mësojnë nxënësit bëhet e gjallë, sepse nxit mendimin dhe krijon kuptime të reja. Mendimi kritik është energjia që i jep kuptim çdo ore mësimore dhe e shndërron nxënien në zhvillim personal.
4. A është kjo nxënia e duhur?
Kurrikula funksionon vetëm kur përmbajtja, rezultatet e nxënies, mendimi kritik dhe vlerësimi lidhen në një proces të vetëm e të qëndrueshëm. Nëse këto mbeten të ndara, nxënia fragmentohet. Por kur bashkohen në një cikël spiral të ndërtimit të kompetencës, nxënësi përparon nga kuptimi i thjeshtë drejt aplikimit dhe reflektimit të thelluar. Vetëm kështu, nxënia bëhet e qëndrueshme dhe me ndikim. Në këtë proces, dija shërben si burim, përmbajtja si mjet ndërmjetësues, mendimi kritik si mekanizëm dhe kompetenca si rezultat i dukshëm. Nxënësi nuk përsërit, por riformulon përmbajtjen me fjalët e veta, e lidh me përvojën personale dhe e zbaton në situata reale. Në këtë mënyrë, përmbajtja nxit mendimin, mendimi ndërton kuptimin dhe kompetenca e shndërron dijen në veprim kuptimplotë.
5. Universiteti: Kurrikula e re, por mendësia e vjetër
Rrënjët e problemit nisin shpesh që në fakultetet e mësuesisë – aty ku formohet mësuesi i ardhshëm. Në vend që të jenë laboratorë të nxënies moderne, shumë fakultete vazhdojnë të funksionojnë me logjikën e vjetër të transmetimit të njohurive. Studentët dëgjojnë ligjërata për kompetencat, por rrallë i përjetojnë ato në praktikë. Në auditor mbizotëron ende modeli i “mësimdhënies”, jo ai i “nxënies”. Kështu, mungesa e përvojës reale e shoqëron më pas mësuesin edhe në shkollë. Për sa kohë universitetet nuk zbatojnë vetë parimet e Kurrikulës së Bazuar në Kompetenca, çdo reformë në arsimin parauniversitar do të mbetet më shumë teori sesa përvojë reale e ndryshimit.
Nga “mësimdhënia” te “nxënia”
Tranzicioni nga “shkolla e transmetimit” te “shkolla e mendimit” nuk është thjesht reformë teknike – është ndryshim kulture. Ai kërkon kohë, mbështetje dhe reflektim, por është i domosdoshëm, nëse duam që rezultatet e ardhshme të PISA-s – dhe mbi të gjitha vetë jeta në klasë – të përmirësohen realisht. Shkolla e së ardhmes duhet të jetë mjedisi ku dija merr jetë, ku përmbajtja bëhet burim kërkimi, ku mendimi kritik ndizet në çdo orë dhe ku nxënësi mëson të mendojë e të veprojë me kompetencë.
Në fund, unë mendoj se thelbi i arsimit nuk qëndron te libri, retorika apo deklarata, por te mënyra si nxënësit mësojnë të mendojnë vetë dhe ta aktivizojnë mendimin për të drejtuar veprimin – në klasë dhe në jetën e përditshme.











