Ministri i Kulturës Blendi Gonxhja, në një konferencë për mediet sot në 27 mars, foli më shumë në lidhje me rolin e institucioneve kulturore në vend.
Gonxhja u shpreh se qeveria shqiptare po bën çdo gjë që institucionet artistike të fuqizohen. Ai shtoi se kemi rritje të biletave në institucione kulturore, pasi interesi qytetar është gjithashtu në rritje.
“Duhet të kemi institucione artistike të fuqizuara. Pjesëmarrja e publikut në programe artistike ka shënuar një rritje. Numri i biletave të shitura për programe artistike ka pasur gjithashtu një rritje me 57 përqind, për programe artistike. Ka një rritje të të ardhurave me 69 përqind ose me mbi 50 milionë lekë”, tha ministri.
Gonxhja nënvizoi se ka më tepër sot vizitorë në Teatrin Kombëtar. Po ashtu, interes nga qytetarët ka edhe për shfaqjet e fëmijëve dhe Cirkun.
“Sot ka më shumë vizitorë në Teatrin Kombëtar. Edhe Teatri Eksperimental ka një rritje të biletave të shitura. Ka pasur interes të shtuar edhe për Teatrin e Fëmijëve. Edhe Cirku i Tiranës ka pasur një rritje të kërkesave për të parë shfaqje”, deklaroi ai.
Po ashtu, Gonxhja vlerësoi se Ministria e Kulturës po mbështet talentet e reja dhe do të vazhdojë që ta bëjë një gjë të tillë dhe në vijim.
“Kemi një fond për talentet e reja. Ne mbështesim çdo talent, që konkurron në nivel ndërkombëtar dhe arrin rezultate të mira. Kemi një zgjerim të gamës për të suportuar talentet që kemi. Ne duam të mbështesim sa më shumë orgaizatat dhe shoqatat, që të realizohen dhe idetë që ato kanë”, u shpreh ministri Gonxhja.
Ministri foli edhe për një muze arkeologjik që do të ngrihet pranë sheshit Nënë Tereza në Tiranë. Ai dha detaje sesi do të ndërtohet ky muze.
“Muzeu i ri arkeologjik pranë Sheshit Nënë Tereza është një lajm shumë i mirë për qytetin. Sidomos për një Tiranë vibrante, është i domosdoshëm si në aspektin turistik, ashtu edhe në atë kulturor, që të ketë sa më shumë qendra që ofrojnë një ‘menu’ të pasur të historisë, të së shkuarës, të tashmes dhe tematikave të ndryshme. Deri më sot kemi vuajtur në këtë drejtim, pasi kemi pasur një narrativë të lidhur kryesisht me periudhën e Luftës së Ftohtë apo kohën e regjimit, pra një ofertë mjaft të kufizuar. Ky muze nëntokësor do të jetë i dedikuar për artefaktet arkeologjike dhe gjetje të ndryshme që lidhen me fondet e Institutit të Arkeologjisë dhe institucioneve të tjera. Ne kemi shumë fonde, shumë më tepër sesa mund të ekspozojmë aktualisht”, bëri me dije Gonxhja.
I pyetur nga gazetarët nëse do të ndërtohet një resort në Gjirin e Manastirit në Parkun e Butrintit, Gonxhja kishte këtë përgjigje.
“Nuk kam asnjë të re sa lidhet me këtë ndërtim apo qëndrimin e opozitës, kompleksi ekzistencial, ku di unë…Ndoshta do e jap përgjigjen në konferencën e ardhshme apo nga zyra ime e shtypit. Kjo zonë nuk është në zonën e mbrojtur, është e përjashtuar dhe për arsye të specifikave është një çështje që edhe s’më takon si kohë dhe nuk e kam një përgjigje sot”, tha ai. Gjithashtu, ministri u shpreh se Ministria e Kulturës do të restaurojë Kalanë e Gjirokastrës.
Përpara se të mbante konferencën për mediet, Gonxhja zhvilloi një takim me kryeministrin Edi Rama. Në fokus të këtij takimi ishte sezoni turistik dhe kulturor.











