Pakkush di se Edi Rama ka zëvendësuar një nga vendimet më jetëgjatë të qeverisë së Aleksandër Meksit të vitit 1992. Në fillim Ilir Meta, në pozicionin si kryeministër në vitin 2000, kishte marrë për bazë ndarjen territoriale që kishte propozuar Meksi dhe tani, Rama e Meta plot 23 vjet më pas, vendosin të ndryshojnë hartën e vendit. Pikërisht atë hartë që i çoi shqiptarët në zgjedhjet e 21 qershorit për të votuar 61 herë për 61 gratë e burrat që do t’i qeverisin në nivel lokal për katër vjet. Shifrat e djeshme dhe të sotme për një shpresë më shumë për nesër.
Nga Lorenc Vangjeli
Tani është një realitet i ngrirë. I stampuar në hartat që do të përdoren tani e tutje dhe për shumë kohë, së paku deri në momentin kur Kuvendi i Shqipërisë do të vendosë ndryshe me 84 vota. Shqipëria sapo doli nga zgjedhjet e para administrrative me ndarjen e re të vendit. Janë 61 të zgjedhurit e rinj lokalë që zëvendësojnë në detyrë rreth 390 të tillë që vazhdojnë të jenë në detyrë deri në konstituimit të bashkiakëve dhe këshilltarëve të rinj bashkiakë. Po këtë javë, ministria e financave ngriu të gjitha llogaritë bankare të bashkive dhe komunave, në pritje të depozitimit të firmave të të zgjedhurve të rinj të 2015-ës. Që me gjasë, një nga punët e para që do të vendosin të bëjnë, dhe kryesisht është fjala për Tiranën, do të nisë të bëhet auditi financiar i shpenzimeve të kryera dhe parave të mbetura në arkë. Sa për të kuptuar se deri ku e ka lënë paraardhësi, sa për të treguar politikisht se çfarë ka bërë ai, që në këtë rast është edhe kreu i opozitës.
Si nisi reforma?
Në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009, por dhe ato të katër viteve më pas, në 2013-ën, të gjitha partitë e mëdha kishin nënvizuar nevojën e një harte të re territoriale të vendit. Askush nuk jepte një propozim konkret, por të gjithë pohonin si të papërshtatshme ndarjen ekzistuese. Arsyeja kryesore se pse të gjithë kishin një qasje skeptike për ndarjen e re të hartës së vendit nuk kishte të bënte me dyshimin nëse ajo nevojite apo joj, por me mungesën e votës së cilësuar prej së paku 84 deputetësh që duhej për ta miratuar. Një gjë e tillë u arrit të realizohej vetëm në 31 korrikun e vitit të kaluar, kur bashkë me maxhorancën e dalë nga zgjedhjet e 2013-ës, u bashkuan dhe votat e PDIU-së. fillimisht si vota të opozitës, pavarësisht kundërshtimit të opozitës zyrtare.
Por veç votave të shumicës qeverisëse, në këtë projekt shumë të rëndësishëm u përfshinë në një mënyrë apo një tjetër, si financues apo në funksion ekspertize edhe shumë partnerë ndërkombëtarë: u afrua ndihmëse nga qeveria e Shteteve të Bashkuara, Suedia, Italia, Zvicra dhe organizata ndërkombëtare si Këshilli i Evropës, OSBE, PNUD e të tjerë.
Ishte ndoshta reforma më e mediatizuar e mundshme, takimet e hapura në qytete, qendër qarqesh e qendër rrethi, komunash e bashkish, u ndoqën nga mijëra banorë. Vetëm në shtypin e shkruar u botuan mbi 7200 artikuj, ndërsa rreth 75 mijë banorë vizituan faqen on line të strukturuar posaçërisht për ndarjen e re territoriale.
Ka pasur një sondazh masiv me mbi 16 mijë të intervistuar, nga të cilët, mbi 67 për qind, pohuan nevojën për reformën territoriale.
Në komisionin e posaçëm parlamentar të krijuar për ndarjen e hartës, opozita zyrtare nuk u përfaqësua. Në vend të saj, u paraqit vetëm një segment i saj, PDIU-ja, e cila, një vit mbasi bashkoi votat me qeverinë për këtë reformë, u bë edhe zyrtarisht pjesë e maxhorancës qeverisëse.
Mbas procesit të madh politik për miratimin e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisëqë nisi në periudhën shkurt 1998-nëntor 1998, ky është i dyti proces madhor që opozita vetëpërjashtohet nga pjesmarrja.
Akti i fundit i konfirmimit të hartës së re territoriale të vendit u bë në 15 dhjetor 2014; Gjykata Kushtetuese vendosi të hedhë poshtë si të papajtueshme me Kushtetutën të pretendimeve të opozitës se reforma territoriale shkonte në kundërshtim me dokumentin themelor të shtetit.
Shifrat, ishte, bëhet
Deri dje Shqipëria kishte 12 qarqe, 65 bashki dhe 308 komuna. Kjo ka qeë ndarja që ishte bërë në 31 korrik të 15 viteve më parë, në vitin 2000. Ligji që mundësoi këtë ndarje, së bashku me ligjin për organizimin dhe funskionimin e qeverisjes vendore dhe ligjin e veçantë për vetëm për bahskinë e Tiranës, ishin pjesë e paketës për reformën e decentralizimit të pushtetit vendor në Shqipëri.
Pakkush e di sesi kishte nisur historia e ndarjes territoriale të vendit menjëherë mbas vendosjes së pluralizmit në Shqipëri. Vetëm me dy muaj kohë që kishte hyrë në zyrën e kryeministrit, Aleksandër Meksi firmos ndoshta një nga dokumentet më të rëndësishme të kohës. Një dokument që do të vazhdonte të mbijetonte për gati 23 vjet. Edhe ndarja e vitit 2000, ruante të njëjtën ndarje territoriale të bërë me VKM-në e Aleksandër Meksit të 25 qershorit 1992. Thelbi i saj ishte transformimimi i ish-kooperativave bujqësore dhe ndërmarrjeve bujqsore në njësi vendore që u quajtën komuna, ndërsa qytetet u quajtën bashki. Një ndarje mekanike në thelb, por që fotografonte pothuaj besnikërisht shpërndarjen e popullsisë shqiptare të kohës dhe afërsinë e saj me qendrat administrative dhe me traditën e lidhjeve mes tyre.
Por në të dy rastet problemi ishte i njëjti: fragmentarizimi i territorit dhe njësitë e vogla të qeverisjes vendore, si dhe numri shumë i madh i njësive me numër fare të vogël banorësh dhe me burime e kapacitete tërësisht të vogla e të pamjaftueshme. Një gjë e tillë u bë shumë e dukshme sidomos me proceset jashtëzakonisht të mëdha migratore, por dhe emigratore, kur zona të tëra të vendit u shpopulluan pothuaj tërësisht (kryeisht në veri) dhe të tjera zona u ndërtuan nga hiçi (kryesisht në periferi të Tiranës, Durrësit dhe në zona të tëra në bregdet në tërë ultësirën fushore). Ndryshimi i këtij realiteti ishte dhe synimi qëndror i kësaj reforme.
Hapat e reformës, përplasja me keqkuptimet
Palët politike në vend janë tërësisht mosbesuese ndaj njëra-tjetrës. Një nga mënyrat për ta shmangur një gjë të tillë kësaj here – ajo nuk funksionoi sërish – ishte tentativa për të garantuar transparencë hap pas hapi në të gjithë procesin e reformës dhe ndarjen me garanci të vendimmarrjes mes palëve. Sipas parimit të konsensusit sa më të gjerë të mundshëm. Sa kohë që një hartë e re e vendit do të shkonte menjëherë dhe në një votim popullor si ai i 21 qershorit.
Në tetor 2013, ministri i shtetit dhe komisioni i posaçëm parlamentar u konsideruan struktura vendimmarrëse për reformën. U krijuan 12 grupe pune rajonale në çdo qark dhe 12 koordinatorë rajonalë teknikë.
Gjithsej u përfshinë 30 ekspertë të fushës të shoqëruar nga një armatë shumë më e madhe specialistësh.
Kriteret
Kriteret teknike u përpiluan gjatë nëntor 2013 – mars 2014-ës. Ato përfshinin disa hapa, që parashikonin se procesi i ndarjes administrative fillon nga “rrethi” si njësi bazë e qeerisjes vendore. Po kështu, njësitë e reja vendore mund të krijoheshin vetëm nëse bëhej fjalë për zona të mundshme funksionale, nëse kishte probleme distancash të territorit për garantimin e shërbimeve apo respektohej parimi i vazhdimësisë territoriale.
Po kështu shërbente si kriter edhe tradita historike e lidhjes tradicionale të banorëve të zonave. Minimalisht e mesatarisht, çdo njësi e re vendore duhet të kishte së paku 30 mijë banorë.
Nga këto kritere kanë bërë përjashtim vetëm rastet që kanë të bëjnë me mbrojtjen e minoriteteve etnike; aty ku këto minoritete vendosin shumicën e popullsisë së njësive vendore ekzistuese. Pusteci dhe Finiqi, për shembull, ishin dy nga këto zona ku nuk u respektuan kriteret nornale të ndarjes territoriale dhe ato janë bashkitë me numrin më të vogël të banorëve në Shqipëri. .
Fillimisht u propozuan pesë variante të ndarjes së re administrative – territoriale. Komisioni i posaçëm parlamentar miratoi variantin e hartës me 39/47 njësi të qeverisjes vendore.
Në Parlament, në 31 korrik të vitit të shkuar, mbi 84 deputetë vendosën ndarjen në 61 njësi të qeverisjes vendore.
Një realitet tashmë legal dhe i vendosur edhe me votën e 21 qershorit 2015. Një hartë e re e Shqipërisë, e ndryshme nga e para, që do të shihet nëse e justifikon pritshmërinë e madhe për të që në këtë mandat të parë katër vjeçar me të zgjedhurit e rinj vendorë. Këta guvernatorë të rinj të vendit, siç është bërë e udhës të quhen me pak humor dhe me shumë cinizëm në median e përditshme. Që në fund të fundit i japin fund një epoke që kishte nisur që në muzg të komunizmit me vendimin e qeverisë së parë antikomuniste në vend të Aleksandër Meksit dhe rinis me premtimin për rilindje të një shumice qeverisëse të majtë të Ramës dhe Metës.