Që pas rënies së regjimit komunist vështirë të gjendet një personazh tjetër që është akuzuar me fakte dhe prova konkrete sa Armand Duka, për një sagë aferash korrupive, shtrirë në një hark kohor prej dy dekadash. Sot nën verifikim nga të paktën pesë prokurori, Armand Duka mund të jetë përfshirë edhe në evazion masiv fiskal me kompanitë e tij familjare, të cilat i ka gërshetuar me Federatën Shqiptare të Futbollit, që drejton prej 20 vitesh. Në prill të vitit 2021, të paktën 29 punonjës të kompanisë së pularisë A.I.B.A. të Armand Dukës, rezultojnë me pagë nën 30 mijë lekë në muaj, që është edhe paga minimale e vendosur me ligj që në janar të 2021.
Teksa fëmijët e Armand Dukës ‘notojnë’ në para dhe luks nga Tirana në Londër, shfaqen mes tymit të shishave dhe makinave luksoze, punonjës të kompanisë së pularisë së tij paguhen edhe me 5 mijë lekë në muaj, ndërsa nuk mungojnë as punonjës të deklaruar pa pagë fare. Ndërkaq, 182 punonjës të tjerë të pularisë së Armand Dukës rezultojnë me pagë 30 mijë lekë në muaj, duke ngritur dyshime të forta se një pjesën të rrogës e marrin në të zezë.
Dyshimet për evazion masiv fiskal thellohen nisur nga fakti që vetë Armand Duka figuron me një pagë prej 40 mijë lekë në muaj si ekonomist tek kompania e tij e pularisë në Durrës, “A.I.B.A. Kompani”. Duka nuk ka marr dhe nuk merr pagë si kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, pasi me sa duket nuk ka nevojë për rrogë, për shkak të përdorimit të FSHF dhe futbollit për bizneset e tij familjare.
Autoriteti i Konkurrencës ka konstatuar se FSHF me në krye Dukën ka kontraktuar vetëm DIGITALB duke i dhënë drejtën e transmetimit të ndeshjeve zyrtare, në një kohë kur Duka është aksioner tek DIGITALB, me anë të kompanisë së pularisë A.I.B.A. FSHF me në krye Dukën ka kontraktuar AMA Caffee për sponsorizimin, në një kohë kur Duka është aksioner tek AMA Caffee. Pra, Duka e ka kthyer FSHF-në një biznes të familjes.
Ndërkaq, rrugën e Dukës duket se e kanë ndjekur edhe klubet e futbollit, të cilët ngjajnë si një lavatriçe gjigante pastrimi parash. Shumica e futbollistëve në Shqipëri, përfshirë edhe ata profesionistë, pjesë e skuadrave në Superiore, rezultojnë me pagë 30 mijë lekë në muaj, një shifër kjo jo vetëm qesharake, por diskredituese për qeverinë e futbollit. Një numër i madhe lojtarësh kanë vetëm emrat, por nuk figurojnë me pagë.
Autoritetit të Konkurrencës ka nxjerrë në pah edhe miliona euro të ardhura të FSHF-së, para të cilat nuk dihet se ku dhe si kanë përfunduar. FSHF ka të ardhura mbi 5 milionë euro në vit, ndërsa klubeve u jep vetëm 600 mijë euro. Dhe shifra 5 milionë euro është vetëm një pjesë e të ardhurave të konstatuar. Nuk dihet se ku kanë përfunduar paratë.
Të ardhurat e FSHF ndahen në dy kategori; të ardhura të ligjshme nga UEFA, qeveria shqiptare, FIFA, shitja e biletave, shitja e të drejtave televizive, reklamat etj., si dhe të ardhurat e paligjshme nga shitja e ndeshjeve dhe loja me bastet. Të ardhurat e paligjshme, nisur nga akuzat sistematike të autoriteteve ndërkombëtare të futbollit dhe ndëshkimet, besohet se janë shumë herë më të larta se sa të ardhurat e ligjshme. Vetëm në organet hetimore shqiptare janë referuar nga autoritetet ndërkombëtare mbi 100 çështje dhe sinjalizime për shitje ndeshjeve nga kupola e FSHF-së./ Adriatik Doci-shqiptarja.com