Përgatiti Xhevdet Shehu
Botuar ne DITA
Në fillim të shtatorit 1982, ish-udhëheqësi absolut i Shqipërisë, Enver Hoxha, ka thirrur në zyrën e tij Ksenofon Nushin, një diplomat karriere, për t’i komunikuar se do të shkonte ambasador i Shqipërisë në Athinë. Pikërisht atë ditë do të fillonte odiseja më e vështirë e këtij diplomati, e cila në të njëjtën kohë do të shënonte kulmin në karrierën e tij diplomatike. Ai nga ajo ditë filloi të mbante një ditar të rregullt, të përditshëm dhe të imtësishëm. Ky ditar është botuar tani së fundmi në katër vëllime dhe përbën pa asnjë dyshim një vlerë dhe një thesar për diplomatët e rinj të Shqipërisë për politikën e jashtme në përgjithësi dhe për marrëdhëniet me Greqinë në veçanti.
Sot ne po botojmë bisedën që Enver Hoxha ka patur me Ksenofon Nushin pak ditë para se ai të shkonte në Athionë si ambasador. Është një nga rastet tepër të rralla që Enver Hoxha të takonte dhe të udhëzonte një ambasador para marrjes së një detyre. Por në këtë rast duket se takimi ka qenë i domosdoshëm dhe flet shumë për rëndësinë që udhëheqësi komunist i kushtonte marrëdhënieve me fqinjin tonë jugor. Biseda që Enver Hoxha ka patur me Ksenofon Nushin në 5 shtator 1982 është tejet domethënëse.
Në thelbin e saj, kjo bisedë përmbledh gjithë shqetësimin dhe merakun e Enverit në marrëdhëniet me Greqinë. E them këtë me bindje, pasi në kuintesencë, kjo bisedë është një përmbledhje e librit që Enveri do të botonte pak para se të ndahej nga jeta nën titullin “Dy popuj miq”. Ishte një libër testamental ky për marrëdhëniet greko-shqiptare, një porosi apo amanet që Enveri u linte pasardhësve për kujdesin që duhej të tregonin me Greqinë. Ai nuk i shihte fqinjët tanë jugorë si armiq. Mendoj se ishte një parashikim profetik i tij që u provua pak vite më vonë, kur qindra mijë shqiptarë u dyndën drejt Greqisë dhe ku jetojnë edhe sot e kësaj dite… Mbase Enveri u tregoi bashkëkombasve të tij se cilët ishin këta fqinj dhe pse duhej t’i forconin lidhjet.
Ky ditar nuk ka nevojë për komente të tepërta dhe për interpretime. Ai ka vlera të gjithëkohshme për diplomacinë shqiptare, përderisa problemet me fqinjin tonë jugor, pavarësisht disa përparimeve të vogla, mbeten thuajse të njëjta si ato të para dyzet vjetëve. Në numrin e sotëm të DITA-s ne po botojmë porositë që i ka dhënë Enver Hoxha ambasadorit Nushi, para se ai të nisej në Athinë.Në hyrje të korpusit me katër vëllime të ditarit të Ksenofon Nushit, Prof. Pëllumb Xhufi nënvizon se “…ditari “grek” i njërit prej dinozaurve të diplomacisë shqiptare të periudhës së socializmit, Ambasador Ksenofon Nushit, nuk është thjesht një rrëfim autentik për historinë e diplomacisë shqiptare të periudhës 1944-1990. Nga ditari i mbajtur prej tij si Ambasador i Shqipërisë në Greqi në vitet 1982-1988, lexuesi mund të konstatojë elementët e vazhdimësisë që karakterizojnë politikën e jashtme të shtetit shqiptar ndaj një fqinji krejt të veçantë, e problematik, siç është Greqia. Elementë, që ndjekin trajektoren e hequr qysh në shek. XIX nga ideuesit e krijuesit e shtetit shqiptar, Pashko Vasa, Abdyl e Sami Frashëri dhe Ismail Qemali.”
Në numrat e ardhshëm të gazetës do të botojmë pjesë të zgjedhura nga ky ditar i Ksenofon Nushit.
**************************
Enveri: Të kemi situata të qeta me grekët!
Më 5 shtator 1982 u takova me shokun Enver Hoxha dhe zhvilluam këtë bisedë:
Çeno, më tha, do të shkosh në Greqi dhe duhet ta dish se detyra jote atje është sa e rëndësishme aq edhe delikate.
Ne jemi për miqësi me popullin grek dhe dëshirojmë që marrëdhëniet midis të dy vendeve tona të marrin zhvillim të mëtejshëm, aty ku kemi interes reciprok. Me Greqinë duhet të arrijmë të kemi një situatë sa më normale. Vitet e fundit ka një rritje të dashamirësve të Shqipërisë socialiste atje, por krahas kësaj rritjeje, në Greqi ka edhe armiq të shumtë, si nga radhët e reaksionit grek, ashtu edhe te ndonjë prej qeveritarëve të sotëm.
Me Greqinë kemi të pazgjidhur çështjen e “Ligjit të luftës”. Ne do të kërkojmë që ata ta heqin këtë ligj, por po shikojmë se ata nuk po e heqin dhe nuk do ta heqin sa janë amerikanët dhe kleri ortodoks grek, që nuk i lejojnë. Lëvizja panepiriote në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është kthyer në një lëvizje antishqiptare, kurse në Greqi kjo po merr një pamje tjetër dhe Kongresi Panepiriot, që u mbajt gjatë muajit gusht në Janinë, nuk ndoqi rrugën që ishte përcaktuar në SHBA, por, përkundrazi, atje u paralajmëruan vorioepiriotët që të mos e ngrinin çështjen e Vorio Epirit se, përndryshe, do të merreshin masa karshi tyre duke i nxjerrë nga salla. Ekzistenca e “Ligjit të luftës” është anakronike. Këtë e thonë si grekët, por edhe shumë të huaj të tjerë, të cilët janë shprehur edhe publikisht nëpërmjet artikujve që kanë shkruar në shtyp. Populli shqiptar asnjëherë nuk i ka bërë ndonjë të keqe popullit grek. Për këtë flet historia dhe vetë grekët këtë e dinë mirë.
Ne bëjmë dallim midis arvanitasve që janë grekë, por që kanë gjak shqiptar, dhe suljotëve që janë shqiptarë. Janë pikërisht shqiptarët që luftuan deri në pikën e fundit të gjakut të tyre për pavarësinë e Greqisë në revolucionin e vitit 1821, në një kohë kur shumë shtete të tjera e tradhtuan revolucionin e popullit grek. Pikërisht në këtë revolucion spikatën me figurën e tyre prijësit suljotë Boçari, Xhavella, Bubulina etj.
Nuk është populli shqiptar që sulmoi Greqinë në vitin 1940 dhe këtë e dinë të gjithë. Sidoqoftë edhe nëse nga grekët nuk hiqet “ligji i luftës” nuk i bëhet dëm Shqipërisë, por në të kundërtën, dëm ka Greqia. Prandaj, qeveritarët e sotëm socialistë të Greqisë duhet të tregohen realistë dhe duhet ta heqin këtë ligj absurd, që nuk mbahet në këmbë. Këto mendime, në rast se hapet biseda, t’ua thuash qeveritarëve grekë me buzëqeshje, por edhe me prudencë.
Mundet të hapësh edhe vetë biseda me personalitete të ndryshme, që janë dashamirës të Shqipërisë, që ato që do t’u thuash ti t’ua çojnë në vesh personaliteteve më të larta të Greqisë.
“Ligji i luftës” duhet hequr. Ne nuk kemi frikë nga kjo gjendje. Për më tepër të gjithë duhet ta dinë se populli shqiptar nuk ka patur frikë as nga perandoritë, as nga superfuqitë, apo fuqi të tjera dhe aq më pak akoma do të ketë frikë nga dhespotët grekë. Atyre, ndoshta, kështu ua do puna, por edhe ne t’ua bëjmë të njohur qëndrimin dhe vendosmërinë tonë.
Një historian i njohur rusomadh i shekullit të kaluar, specialist i dëgjuar i historisë së Bizantit, ka shkruar se “grekët e rinj janë prosllavë”. Kjo ka një domethënie të madhe dhe nënkupton se edhe priftërinjtë grekë bëjnë punën e tyre në këtë fushë. Grekët do të bëjnë punën e tyre, ne do të bëjmë punën tonë. Ne kemi interes të madh që marrëdhëniet tona me Greqinë të jenë sa më normale, të qeta dhe të mos kemi asnjë problem me ta.
Shoku Enver më foli më pas për problemin e pikës kufitare të Kakavijës. Është një pikë shumë e vogël në gjithë hapësirën e marrëdhënieve midis dy vendeve tona. Pse është një çështje e vogël ajo zgjidhet kollaj, por, para së gjithash, grekët duhet të heqin pengesën e madhe, “ligjin absurd të gjendjes së luftës”. Kur ta bëjnë këtë edhe ne do të hapim Kakavijën. Edhe ne duam që të zhvillohen marrëdhëniet dhe shkëmbimet tregtare me Epirin, që edhe ky i fundit të zhvillohet, por duhet t’u thuhet grekëve se për këtë gjendje që ekziston deri më sot “nuk jemi ne shkaktarë, por ju”. Disa herë kemi lejuar të kalojnë grekë nga kjo pikë kufitare. Do të vazhdojmë të lejojmë, por, nëse janë si Xhavella me shokë, ata nuk do t’i lejojmë.
Në rast se do të pyeteni në lidhje me problemin e fesë, t’u thuhet se heqjen e fesë e ka vendosur vetë populli shqiptar dhe se, beson apo nuk beson, kjo është puna e tij. Kur është pyetur një plakë minoritare për problemin e fesë nga një gazetar grek që vizitoi minoritetin, ajo i tha se të gjithë këto të mira që po gëzoj sot nuk m’i dha feja, por Partia. Në Shqipëri nuk ka grekë apo turq, por ka shqiptarë. Unë jam shqiptar, me gjithë emrin që kam. Tek ne ka emra të tillë si Leonidha, Odhise, Perikli, Spiro, Thoma etj, por të gjithë ata që i mbajnë këto emra janë shqiptarë. Jemi pikërisht ne që i zbatojmë më mirë se kushdo tjetër të drejtat e njeriut.
Në Shqipëri janë rreth 50.000 minoritarë grekë. Ata gëzojnë të gjithë të drejtat që gëzojnë edhe shqiptarët. Këtë ua garanton Kushtetuta jonë. Ne u ruajmë gjuhën greke dhe kërkojmë që ajo të zhvillohet edhe më tej, sepse ajo është gjuha amtare e popullit të minoritetit. Këtë e kërkon internacionalizmi proletar, e kërkon Partia e Punës e Shqipërisë, sepse është gjuha e mëmës, të cilën fëmijët duhet ta mësojnë dhe të mos e harrojnë kurrë. Krahas kësaj minoriteti shtohet gjithmonë dhe ai trajtohet si i gjithë populli shqiptar. Është gjithashtu fakt se, çdo masë që merret në Shqipëri për ngritjen dhe përmirësimin e nivelit të jetesës, para së gjithash e gëzon minoriteti.
Na intereson të dimë se sa çamë janë në Greqi, ku jetojnë dhe se a kanë qenë ndonjëherë në Çamëri, pasi, pas genocidit të ushtruar në Çamëri, një pjesë e popullsisë u shpërnda nëpër Greqi. Po shqiptarë të tjerë a ka? Sa janë dhe ku janë të shpërndarë? Qeveritë greke kanë mohuar ekzistencën e minoriteteve etnike dhe linguistike në Greqi dhe e paraqesin atë si një vend me popullsi homogjene, sepse edhe minoritetin turk në Thrakë e paraqesin si grekë, që kanë përqafuar islamizmin dhe janë kthyer në myslimanë. E vërteta është se disa studiues grekë, të paindoktrinuar nga nacionalizmi, pranojnë se në Greqi ekzistojnë disa minoritete, midis të cilëve është edhe ai shqiptar. Deri në vitin 1951 statistikat thonë se në Greqi banonin rreth 35.000 shqiptarë, ose 0,45% e popullsisë së Greqisë në atë kohë. Nga të dhënat që kemi patur për çamët del se e gjithë popullsia shqiptare që ka banuar në atë zonë dhe jeton në Greqi, është detyruar të konvertohet nga myslimanë në ortodoksë. Për grekët çdo ortodoks është grek dhe e kanë sanksionuar edhe në kushtetutën e tyre. Nisur nga këto fakte, mendohet se shqiptarët duhet të jenë edhe më shumë në numër. Ndaj shqiptarëve në Greqi vazhdojnë padrejtësitë e mëdha. Dhe kanë sy e faqe të na kritikojnë ne për të drejtat e njeriut.
Të shfrytëzojmë kontradiktat që ka Greqia. Ajo ka mosmarrëveshje të theksuara me Turqinë. Opinioni turk vazhdimisht informohet pozitivisht për Shqipërinë, megjithëse sistemet tona shoqërore janë të ndryshme dhe sot atje në fuqi është një regjim shumë reaksionar. Regjimi i ushtarakëve në Turqi nuk do ta dijë për atë që thuhet, se aleancat revolucionare kanë lidhje me Shqipërinë. Shkrimet pozitive për Shqipërinë në shtypin turk vazhdojnë megjithëkëtë. Pra, në Turqi ka një situatë shumë të favorshme për ne. Këtë situatë duhet të dimë ta shfrytëzojmë në interesin tonë, duke ndjekur qëndrimet e ndryshme të qeverisë greke dhe mbi këtë të bëjmë hapa të matur.
Jemi të kënaqur nga zhvillimi i sotëm i marrëdhënieve kulturore dhe i shkëmbimeve tregtare me Greqinë. Ne kërkojmë që këto marrëdhënie në të ardhmen të rriten edhe me shumë, duke i dhënë rëndësi edhe zonës së Epirit. Por kjo do të realizohet në rast se grekët do të heqin “Ligjin e gjendjes së luftës”.
Interesi ynë e do dhe e kërkon, që kurdoherë të kemi situata të qeta. Ne nga ana jonë nuk do të vëmë asnjë pengesë. Raportet e tua Çeno duhet të jenë sa më të sakta. Gjatë bisedës shoku Enver më shpjegoi, se në një mbledhje të Eterisë, ku merrnin pjesë udhëheqësi i Revolucionit Grek, Ipsillanti, si dhe Marko Boçari, Xhavella, Bubulina e të tjerë, Boçari propozoi që të bashkohej me ta në luftë kundër Perandorisë Osmane edhe Ali Pashë Tepelena. Aliu pranoi, por nuk bëri pjesë në Eteri.
I thashë shokut Enver se, në lidhje me pjesëmarrjen e shqiptarëve në revolucionin grek, kam lexuar një studim mjaft interesant të Dhimitër Grillos. Kujtoi një këngë shqip për rezistencën e suljotëve, e cila përfundonte me atë se “po të rronte Bubulina, do ta merrte për grua”.
Gjithashtu, shoku Enver më tregoi për mbështetjen e madhe që ka patur Baba Çeni, xhaxhai i shokut Enver, nga të krishterët dhe minoritarët në Gjirokastër, kur ushtarët grekë hynë në qytet në vitin 1916. Në atë kohë ai ishte në krye të Bashkisë së Gjirokastrës.
Më 14 shtator 1982 u vendos që të nisesha për në Greqi. Kishim pritur tre javë për të parë se çfarë vendimesh do të merrte Kongresi Panepiriot, që u mbajt në Janinë. Kur u pa se vetë kongresi nuk iu nënshtrua urdhrave që jepeshin nga CIA amerikane, atëherë u nisa me më shumë siguri.
************
Kush ishte Ksenofon Nushi
Ksenofon Nushi, pasardhës i një prej familjeve me histori të Vunoit e të krahinës së Himarës, u lind më 10 Shkurt 1925 në Korfuz të Greqisë. Babai i tij, Sokrat Nushi, pjesën më të madhe të jetës e kaloi në kurbet, duke punuar në Greqi, Francë, SHBA dhe Argjentinë. Ndonëse nënë Athinaja jetonte në Vuno, për lindjen e fëmijëve të familjes Nushi ajo shkonte në Korfuz ku kujdesej për të motra e Sokratit, e cila jetonte aty dhe qe martuar te Çomorajt, edhe kjo familje me origjinë nga Vunoi.
Vitet e para të jetës Ksenofoni i kalon në Vuno. Në moshën pesë vjeç babai i tij, Sokrati, e merr me vete në Desinje të Francës, një zonë e banuar në periferi të Lionit, ku Ksenofoni do të bashkohet edhe me dy vëllezërit më të mëdhenj, Kozma e Gogo Nushi. Pas një viti do të bashkohej e gjithë familja, pasi në Francë do të mbërrinte edhe nënë Athinaja bashkë me vajzat. Qysh në vegjëli, Ksenofoni do te thirrej me përkëdheli Çeno, emër i cili më pas do ta shoqëronte gjatë gjithë jetës.
Në Francë Ksenofoni do të ndjekë rregullisht shkollën dhe do ta përfundojë me sukses deri vitin e tretë në një nga gjimnazet e Lionit, pasi në ditët e para të muajit tetor të vitit 1941 do të kthehet në Shqipëri bashkë me vëllanë e tij të madh, Kozmain, dhe nënë Athinanë. Në Tiranë bashkohen edhe me vëllanë tjetër, Gogon, i cili kishte ardhur në Shqipëri në gusht të vitit 1940.
Që në muajt e parë në atdhe, Ksenofon Nushi aktivizohet me rininë komuniste dhe do të marrë pjesë në grupet guerilase të Tiranës. Në 7 maj 1942 do të takohet për herë të parë me Enver Hoxhën, i cili kishte ardhur në barakën ku banonte familja Nushi, e cila ndodhej në buzë të lumit të Lanës. Pas themelimit të Partisë Komuniste Enver Hoxha do takohej dhe do të bisedonte me Kozma e Gogo Nushin, dy nga bashkëpunëtorët e tij më të afërt për organizimin e rezistencës dhe luftës kundër pushtimit fashist të vendit. Në 22 maj 1943 Ksenofon Nushi do t’i bashkohet lëvizjes së armatosur antifashiste. Fillimisht do të rreshtohet në radhët e Çetës së Pezës, e cila drejtohej nga Myslym Peza. Më pas do të jetë në përbërje të Brigadës së Tretë partizane, qysh prej ditës së parë të krijimit të saj. Më 22 Shtator 1943 Ksenofon Nushi pranohet në Partinë Komuniste Shqiptare. Në formacionet e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare Ksenofon Nushi do të caktohet me detyra të ndryshme, duke arritur deri në komisar batalioni. Do të bëjë pjesë në formacionet partizane shqiptare që do të luftojnë kundër fashizmit edhe në Kosovë, e deri ne Sanxhak të Jugosllavisë.
Kthehet në Shqipërinë në mars 1945. Gjatë viteve të para të pasçlirimit kontribuon në formacionet e Divizionit të Mbrojtjes së Popullit. Më 26 tetor 1946 Ksenofon Nushi do të ngarkohet për të shërbyer pranë Komandantit të Përgjithshëm, Enver Hoxha, me detyrën e përgjegjësit të grupit të oficerëve për sigurinë. Në fillim të vitit 1948, Ksenofon Nushi do të jetë edhe sekretar personal i Enver Hoxhës.
Në verën e vitit 1949 Ksenofon Nushi martohet me Lumnie Çipin, vajzën e motrës së Enver Hoxhës. Në shtator 1949 Ksenofon Nushi do të shkojë në Bashkimin Sovjetik për të studiuar në një nga Akademitë Ushtarake të Moskës. Nga viti 1952 e deri në vitin 1958, Ksenofon Nushi do të punojë në Drejtorinë e Zbulimit pranë Ministrisë së Mbrojtjes.
Më 6 maj 1958 Ksenofon Nushi nis karrierën diplomatike, pasi do të caktohet me detyrën e këshilltarit në ambasadën e Shqipërisë në Kajro. Në Egjipt shërbejë për më shumë se pesë vjet. Në nëntor 1965 emërohet me detyrën e këshilltarit pranë ambasadës shqiptare në Paris.
Në maj 1967 ngarkohet me detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Itali për mbi pesë vjet. Në pranverën e vitit 1972 emërohet zëvendësministër i Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Në shtator 1982 ngarkohet me detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Greqi, ku do të shërbejë për plot gjashtë vjet. Në nëntor 1988 ngarkohet me detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Francë, deri sa del në pension. Ambasadori Ksenofon Nushi u nda nga jeta më 7 mars 2000.