I ftuar në emisionin “Shqip” nga Rudina Xhunga, Akademik. Prof Dr. Adrian Civici. ka folur rreth librit të tij “Mashtruesit Financiarë – nga Ponzi te Madoff”. Ky libër sjell një rrugëtim nga lindja e mashtruesve të parë financiarë. Civici tregon se si Ponzi ishte i pari që krijoi skemën piramidale dhe se si këto skema lindën edhe në disa vende të tjera në një periudhë kohore të njëjtë. Civici rrëfen skemën piramidale në Portugali nga një grua e cila ishte e ngjashme me Suden në vendin tonë.
“Ponzi ishte i pari që i dha këtë formë skemave që u quajtën piramidale. Ponzi u bë simbol i skemave piramidale, skemat e tij zbatohen edhe sot në shumë vende. Ponzi e bëri me pullat e postës, me kursimet e emigrantëve italianë që ishin në SHBA, por në thelb skema ishte e tillë, njerëzit depozitonin një shumë parash të cilët me një fitim që ishte marramendës në atë kohë, pasi merrje pas një viti dyfishin apo trefishin dhe për herë të parë u kuptua si funksiononte skema që ata që futeshin të parët përfitonin të parët. Mashtrimet ndodhën në të njëjtën kohë. E nisim me Suden portugeze, ka një ngjashmëri me Suden te ne, edhe kjo ishte rome, ishte analfabete, ishte e vetme në atë mënyrën se si komunikonte.
Në 10-vjeçarin e viteve 90 ndodhën të paktën katër skema të mëdha mashtrimi që çuan edhe në trazira jo si në Shqipëri por gjithsesi të rënda nga pikëpamja sociale. Ishte skema e Portugalisë e cila ishte thjeshtë një skemë piramidale por u maskua në një farë mënyre pasi arriti të bëhej pjesë edhe e financimit të politikës. Mori kursimet e të gjithë elitës dhe pjesës intelektuale. Sudja portugeze u përfshi pastaj shumë edhe në politikë, kur ra skema pati edhe një krizë politike. Po e njëjta skemë që implikoi mbi 8 milionë rumunë ishte edhe skema e Karitasit në Rumani në vitet 1994-1995, ishte njësoj pak a shumë, u gjet Karitasi organizata humanitare dhe u bë e njëjta skemë. E njëjta gjë u përsërit në 97. Nisi nga fundi i 1995 vijoi në 1996 deri në 1997, në njëfarë mënyre shqiptarët u vetëgënjyen, nuk ishte meritë tamam e Sudes pasi ajo ishte një hallkë e një sistemi. Në Shqipëri pati një devijim, pasi një pjesë e tyre filluan si skema piramidale por financiare, pra investuese, sidomos VEFA apo ndonjë tjetër filluan me investime, pra mekanizmi ishte i njëjtë dhe mashtrimi dhe mbulesa ishte investimi që këto do të bënin. Në atë kohë në Shqipëri pati një ngërç edhe sistemi bankar, kreditë, sistemi i qarkullimit monetar dhe financiar dhe kështu që u favorizua kjo lloj skeme edhe nga arsye të tjera.
Në thelb për t’u thënë është që edhe ne shqiptarët ramë viktima siç kishin rënë portugezët, rumunët, siç do binin më pas paralelisht me ne në Maqedoni dhe skema e madhe në Rusi në 1998. Në të gjitha vendet në thelb mekanizmi është i njëjtë, është një ofertë joshëse që pavarësisht nga forma në thelb është një sasi parash që ti me pak shpenzime e investime do fitosh dyfishin, pesëfishin apo dhjetëfishin pa u trembur për asgjë pasi dikush ka zbuluar një mekanizëm që nuk e bën dot publik se e shikojnë të tjerët dhe ti joshesh që më erdhi fati dhe pastaj ndodh skema. Kam pasur një rast me të njohurin tim që shiti shtëpinë dhe më tha hajde t’i çojmë të Sudja dhe e hodhi çantën me 30 mln lekë të vjetra nga dera e Sudes po nga aty i erdhi një copë letër ku mbaj 6 muajve do marrësh 60 mln dhe nuk mori asgjë.”, u shpreh Civici./Dritare.net