Renditja e 10 më të mëdhave në vitin 2020 ka shënuar disa ndryshime:
Së pari, në 2020-n, “Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike” u nda në tre kompani, nën ombrellën e “OSHEE Group”, që vepruan si të ndara, duke hyrë të tria në dhjetëshe. Vitin e kaluar, OSHEE raportoi të ardhura në rreth 58 miliardë lekë. Për efekt të renditjes dhe shmangies së dublikimit të xhiros së tyre, ato do të raportohen si një e vetme në listën e 10 më të mëdhave.
Së dyti, dy shoqëri të tjera, “Global Resource Trading” dhe “INFO-Telecom”, ndonëse në renditjen numerike (sipas qarkullimit vjetor) janë ngjitur përkatësisht në vend të tretë dhe të katërt, nuk janë përfshirë në renditjen e 10 më të mëdhave të “Monitor 200”, për shkak se ato nuk e ushtrojnë aktivitetin në Shqipëri, por kryejnë faturime tranzit për subjektet jashtë vendit dhe kanë një numër minimal punonjësish në vend.
Së treti, mbarimi i përfundimit të punimeve të gazsjellësit TAP ka reduktuar ndjeshëm aktivitetin e nënkontraktorëve, që për disa vite radhazi mbizotëronin ndër 10 më të mëdhatë.
1. “OSHEE Group”
Në vitin 2020, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), kompania më e madhe në vend, në pronësi publike, pësoi transformim të rëndësishëm, në vijim të vendimit të Entit Rregullator të Energjisë (ERE) në vitin 2018 për ndarjen e aktivitetit të shoqërisë OSHEE, në tregtimin e energjisë për klientët fundorë, sigurimin e blerjes së energjisë dhe shpërndarjen.
Prej fillimvitit 2020, OSHEE Group Sh.A u shndërrua në Korporatën e parë Publike Shqiptare, duke pasur në pronësi 3 shoqëri, Furnizuesin e Shërbimit Universal, Furnizuesin e Tregut të Lirë dhe Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes (OSSH). Të tria kompaninë kanë filluar të operojnë si të veçanta nga 1 janari 2020, pas ndarjes së funksioneve.
Adrian Çela, Administrator i “OSHEE Group”, pohon se edhe në kushtet e vështira të pandemisë të COVID-19, shoqëria OSHEE arriti të sigurojë furnizim të vazhdueshëm me energji elektrike. Por situata e krijuar nga Covid-19 solli pasoja në uljen e të ardhurave, pasi bizneset, që kanë çmim më të lartë tkurrën konsumin. U ul dhe norma e arkëtimit të të ardhurave nga 97.5% në vitin 2019 në 93.4% në vitin 2020. Ndërsa investimet e realizuara kryesisht si pasojë e prezencës së ulët të punonjësve në punë ishin rreth 51% e atyre të planifikuara.
-Furnizuesi i Shërbimit Universal (FSHU)
Furnizuesi i Shërbimit Universal sh.a. (FSHU) ka objekt kryesor të aktivitetit furnizimin me energji elektrike të klientëve fundorë që veprojnë në tregun e rregulluar. Në vitin e parë të aktivitetit, kompania kishte të ardhura prej 58 miliardë lekësh, duke e renditur atë në më të madhen në vend, sipas qarkullimit vjetor. Vitin e mëparshëm, “Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike-Grup” (OSHEE Grup Sh.A) kishte të ardhura po rreth 58 miliardë lekë.
Sipas raportit vjetor, të ardhurat nga shitja e energjisë rezultojnë 2% më të larta në krahasim me ato të planifikuara, për shkak të rritjes së numrit të konsumatorëve që u planifikua të furnizoheshin në tregun e lirë dhe sasia e energjisë për furnizimin e tyre ishte më e ulët.
Të ardhurat nga kamatëvonesat ishin 3% më të ulëta se ato të planifikuara, ose rreth 22.4 milionë lekë, për shkak të uljes së arkëtimit nga shitja e energjisë, si pasojë e situatës së pandemisë dhe ndikimit të saj në ekonominë e vendit.
Rritja e të ardhurave të tjera, prej rreth 1.7 miliardë lekësh në krahasim me atë të planifikuar, lidhet me faturimin e penaliteteve ndaj KESH për mosrealizim të planit të furnizimit me energji elektrike në vitin 2020, thekson raporti i aktivitetit.
-Furnizuesi i Tregut të Lirë (FTL)
Furnizuesi i Tregut të Lirë (FTL) ka objekt kryesor të aktivitetit sigurimin e blerjes së energjisë për operatorët brenda OSHEE Grup nga tregu i lirë (OSSH dhe FSHU) dhe operimin e drejtpërdrejtë të shitblerjes së energjisë në tregun e lirë. Ai ushtron aktivitet në fushën e furnizimit me energji elektrike për shoqëritë brenda OSHEE Grup, si dhe për klientët në tregun e parregulluar të energjisë, të cilët lidhin marrëveshje të furnizimit me këtë shoqëri.
Përkohësisht, FTL kryen detyra të shitblerjes së energjisë nga prodhuesit e burimeve të rinovueshme, që janë të lidhur në rrjetin e shpërndarjes, si dhe të balancimit të energjisë së këtij grupi, të cilat pritet që brenda vitit 2021 t’i kalojnë shoqërisë së Operatorit të Balancimit të Tregut që do të krijohet. Në vitin 2020, shoqëria realizoi një qarkullim vjetor prej 26 miliardë lekësh.
-Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH)
Operatori i Sistemit të Shpërndarjes sh.a. (OSSH) ka objekt kryesor të aktivitetit shpërndarjen e energjisë elektrike, ndërtimin, funksionimin dhe mirëmbajtjen e rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike, për sigurimin e përdorimit të energjisë elektrike nga klientët fundorë dhe furnizuesve përdorues të rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike.
Në vitin 2020, qarkullimi vjetor i kompanisë ishte gati 27 miliardë lekë.
2. “Kastrati Group”
Kompania më e madhe e importit dhe tregtimit të naftës me shumicë, “Kastrati Group”, është renditur e dyta në vend dhe më e madhja me kapital privat, në listën e “MONITOR 200”. Kompania raportoi 45.7 miliardë lekë qarkullim vjetor (rreth 372 milionë euro), me një rënie prej 28.4%, si rrjedhojë e frenimit të konsumit të karburantit gjatë muajve të karantinës dhe rënies së çmimit të tij në vend. Vitet e fundit, grupi Kastrati është diversifikuar edhe në ndërtim e hoteleri, si dhe me një seri projektesh në infrastrukturë (port, aeroport e autostrada).
“Kastrati Group, ka realizuar një nga blerjet më strategjike të aksioneve të “Tirana International Airport” në vitin 2020. Përfshirja e kompanisë në këtë fushë shërbimesh për aviacionin civil do të shoqërohet me investime të dukshme dhe do të ofrojë një model biznesi, me fokus pasagjerin.
Krahas aeroportit, ndonëse në kushtet e një pandemie më shumë se njëvjeçare, kemi zgjedhur të investojmë në kapitalin njerëzor si aseti më i madh i kompanisë dhe të mbajmë të qëndrueshëm rritjen në sektorët ekzistues të kompanisë sonë: në energji, tregtinë e hidrokarbureve me shumicë dhe pakicë, hoteleri, turizëm elitar, agroturizëm dhe ndërtimin e resorteve luksoze në bregdet apo portet e jahteve. Në gjykimin tonë, turizmi është e ardhmja për zhvillimin e vendit dhe “Kastrati Group” është në shërbim të këtij zhvillimi, që e përparon dhe forcon cilësinë e jetës në Shqipëri”, thotë Zëvendëspresidenti i “Kastrati Group”, z. Leonard Kastrati.
3. “Banka Kombëtare Tregtare”
“Banka Kombëtare Tregtare” (BKT), e cila prej disa vitesh është banka më e madhe në vend në të gjitha drejtimet, asetet, depozitat dhe të ardhurat (ndërsa ka kaluar e dyta për kreditimin e ekonomisë, pas “Credins”), është renditur e teta në dhjetë më të mëdhatë.
Qarkullimi vjetor, sipas burimeve zyrtare nga banka, ishte rreth 25.6 miliardë lekë, me rritje 2.2% nga viti i mëparshëm. Të dhënat e mësipërme për të dy vitet janë raportuar nga banka, duke reflektuar efektin neto të fitim/humbjes nga vlera e tregut për investimet në letra me vlerë.
“Banka kishte një ecuri mjaft të mirë në vitin 2020 dhe deri më tani. Objektivat tona të rritjes dhe fitimit u arritën vitin e kaluar dhe ato janë në rrugën e duhur për t’u arritur edhe këtë vit. Ne hymë në krizë me likuiditet të bollshëm dhe kapital të fortë, faktorë të cilët na ndihmuan ta shndërronim atë në një mundësi”, thotë Seyhan Pencapligil, CEO i BKT.
4. “Kurum International”
“Kurum International”, me aktivitet në prodhimin, tregtimin e çeliqeve të ndërtimit e profileve të tjera të hekurit dhe energji e ka mbyllur vitin e pandemisë, me qarkullim vjetor 23.7 miliardë lekë, me një rënie të lehtë prej 3.1% me bazë vjetore. Pas pezullimit të përkohshëm të aktivitetit në prill, në kulmin e pandemisë, kompania e rimori me shpejtësi veten në gjysmën e dytë të vitit, e ndihmuar nga rimëkëmbja e ndërtimit në vend, rritja e shpejtë e kërkesës në vendet e rajonit dhe hyrja në tregun e Serbisë, si dhe shtrenjtimi i çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
Shoqëria, në vitin 2020, ka vijuar aktivitetin në prodhimin e prokateve të çelikut në fabrikën e çelikut, shufrave në fabrikën e petëzimit, gëlqeres dhe prodhimin e energjisë elektrike në katër HEC-et në pronësi të saj, sipas raportit vjetor të aktivitetit.
Më 16 mars 2016, kompania hyri në një proces “falimenti të kontrolluar” në Gjykatën e Tiranës dhe më pas, më 15 prill, u hap procedura e falimentit, për efekt ristrukturimi. Në mes të vitit 2017, u miratua plani i organizimit të kompanisë, që parashikonte kthimin e detyrimit dhe interesave deri në vitin 2023 dhe u ristrukturuan kreditë.
Sipas raportit vjetor, shoqëria vijoi me planin e ristrukturimit në 2020-n, duke shlyer 3.6 milionë euro në principale dhe rreth 2.8 milionë euro interesa ndaj kreditorëve. “Në vitin 2020, kompania me gjithë vështirësitë e krijuara në mars-qershor, periudha e kufizimeve si pasojë e Covid-19, arriti të ketë një rezultat të kënaqshëm në 6-mujorin e dytë 2020, duke amortizuar humbjet e 6-mujorit të parë”, pohon Arif Shkalla, drejtor ekonomik i “Kurum”. Ai shton se gjithsesi, shoqëria arriti të mbajë pothuajse të njëjtin nivel prodhimi dhe shitjeje, si dhe të vijojë normalisht me gjithë problematikat punën në fabrika.
5. “Gega Oil Group” (ish-Genklaudis)
“Gega Oil Group” (ish-“Genklaudis SH.A”) është renditur në vitin 2020, si operatori i dytë më i madh i naftës në vend, pas “Kastrati Group” për të tretin vit radhazi. Kompania ka deklaruar një qarkullim vjetor prej rreth 22.1 miliardë lekësh, me rënie 12.5% me bazë vjetore, e ndikuar nga pasojat e pandemisë në konsumin e karburanteve.
Në raportin e veprimtarisë theksohet se Shoqëria ka kryer investime në zonën energjetike në Porto Romano në Durrës dhe ka shtuar kapacitetin depozitues ekzistues për produktet që tregton. Investimi është financuar nga Banka OTP për një periudhë 5-vjeçare. Në mars 2021, operatori me shumicë i tregtimit të naftës, Genkaudis përthithi me bashkim Gega Oil, me të njëjtin aktivitet dhe pjesë e të njëjtit grup.
6. “Big Market”
“Big Market”, zinxhiri më i madh i supermarketeve në vend, për herë të dytë është klasifikuar ndër 10 më të mëdhatë, sipas qarkullimit vjetor të konsoliduar për të gjithë rrjetin. Të ardhurat e kompanisë, sipas të dhënave zyrtare, ishin 19.2 miliardë lekë, me një rritje prej 6.4% në krahasim me vitin e kaluar.
“Viti pandemik nuk bëri dallim në ecurinë pozitive të regjistruar ndër vite. Të gjitha degët tona ruajtën rezultate të mira, madje duke shënuar rritje dhe në varietetin e produkteve dhe të moshave të ndryshme që frekuentojnë rrjetin tonë të supermarketeve për blerjet e tyre të përditshme”, thotë Elona Koshi, CEO në “Bigalb Group”.
7.“Bankers Petroleum”
“Bankers Petroleum”, prodhuesi kryesor i naftës, që ka me koncesion fushën naftëmbajtëse më të madhe mbi tokë në Europë, Patos-Marinzën, raportoi të ardhura rreth 15 miliardë lekë, me një tkurrje prej gati 50% me bazë vjetore, sipas burimeve të saj zyrtare (bilanci në QKB nuk është dorëzuar ende).
Sipërmarrja u prek nga pandemia në pjesën e parë të 2020-s, duke u detyruar të ndërpresë aktivitetin në prill, për më shumë se një muaj, për herë të parë në histori, por nga qershori, situata u rikthye drejt normalitetit.
“Viti 2020 ka qenë, padyshim, një nga periudhat më sfiduese për kompanitë e naftës. Çmimet e naftës shënuan nivelet më të ulëta në 20 vitet e fundit, ose në histori, duke marrë parasysh çmimin WTI, por ne vazhduam të fokusohemi në zhvillimin e këtij aseti, duke ruajtur një mjedis të sigurt për të gjithë punonjësit tanë dhe duke vijuar angazhimin në komunitetet ku ne operojmë”, pohon CEO i “Bankers Petroleum Albania”, Dr. Qing Fang.
8. “Agna”
“Agna” është distributori më i madh në vend. Në 2020-n, qarkullimi vjetor i kompanisë ishte 14.8 miliardë lekë, me një tkurrje vjetore prej 6.5%, si rrjedhojë e tkurrjes së konsumit nga pandemia.
CEO i “Agna Group”, Vasil Naçi, pohon se viti i pandemisë ka qenë i vështirë, me të papritura për të gjithë shoqërinë, për biznesin në përgjithësi dhe për “Agna Group”. Gjithsesi, viti shkoi mirë për shkak të natyrës së biznesit të “Agna Group”, pra operimi në industrinë e produkteve të konsumit të shpejtë (FMCG). Gjithashtu ndihmoi shumë edhe investimi ndër vite, për të krijuar brande të dashura për konsumatorët, që janë bërë pjesë e tryezës familjare.
9. “Inter Distribution Service”
“Inter Distribution Service”, pjesë e “Infosoft Group”, është renditur në vitin 2020 ndër 10 më të mëdhatë e “Monitor 200”. Qarkullimi vjetor i kompanisë ishte 13.2 miliardë lekë, me një tkurrje vjetore 4.8%, nga efekti i pandemisë.
“Në kushtet e pandemisë së vitit 2020 puna ka vazhduar me ritme më të ulëta”, thuhet në raportin e aktivitetit. Po sipad këtij raporti, kompania po synon diversifikimin në vitet e ardhshme, për të bërë të mundur përmirësimin e rezultatit të saj.
10. “Vodafone Albania”
“Vodafone Albania”, operatori më i madh i telefonisë së lëvizshme në vend, ka raportuar të ardhura 12.7 miliardë lekë, me një tkurrje prej 20% me bazë vjetore, sipas burimeve nga kompania (bilanci në QKB nuk është dorëzuar ende).(Monitor)