Familja Reçi rezulton të ketë qenë disa herë objekt i grabitjeve dhe sulmeve me armë. Ndër vite nuk gjetën dot prehje deri në ekzekutimin e sotëm të ish-policit Xhelal Reçi.
Pista kryesore e hetimeve në lidhje me këtë ngjarje bie mbi djalin e tij Besnik Reçi i cili i shpëtoi një atentati më 15 gusht të vitit të kaluar. Por nuk është vetëm djali i tij, problematiku i familjes Reçi pasi edhe vëllai i ish-efektivit të policisë ka patur precedent dhe kanë tentuar ta grabisin në vitin 2013.
Asokohe një grabitje me armë e maska ndodhi vetëm pak metra larg Komisariatit të Policisë së Kurbinit. Pesë persona të maskuar plagosën me armë zjarri pronarin e dyqanit dhe izoluan bashkëshorten e punonjëset e tij. Më pas ata arritën të marrin një shumë të konsiderueshme parash e flori, që sipas të dhënave paraprake arrijnë në shumën e 10 milionë lekëve të rinj.
Joq shkruan se grabitësit u afruan me një mjet dhe u futën me shpejtësi në dyqanin dykatesh në pronësi të 36- vjeçarit Sami Reçi. Ata i kërkuan pronarit t’u dorëzonte paratë e floririn, por rezistenca e këtij të fundit për pak i kushtoi jetën.
Ngjarja ndodhi rreth orës 14:10, ku autorët shfrytëzuan edhe rrebeshin që po binte në Laç në atë moment. Ata janë futur në dyqan dhe rezistencës së pronarit nga fshati Gjormë i këtij rrethi i janë përgjigjur me zjarr. Për pasojë, 36-vjeçari Reçi mbeti i plagosur rëndë. Ai mori dy plumba, një në shpatull dhe një tjetër në këmbë.
Pas plagosjes, autorët kanë marrë bashkëshorten e pronarit bashkë me punonjëset dhe nën kërcënimin e armës i kanë kyçur në katin e dytë. Ata kanë marrë më pas shumën e parave dhe floririn dhe janë larguar. Gratë kanë arritur të tërheqin vëmendjen nga britmat e tyre për ndihmë, ndonëse subjektet afër dyqanit janë nisur drejt vendit, pasi dëgjuan plot 10 krisma njëra pas tjetrës të një arme automatike.
/a.r











