Katër presidentë amerikanë kanë vdekur nga shkaqe natyrale ndërsa ishin në detyrë, dhe për disa prej tyre shkaku i vdekjes mbetet ende sot i diskutueshëm. Ndërkohë 4 të tjerë u vranë. Presidentët kanë pësuar goditje në tru, sulme në zemër, dhe sëmundje të rënda gastrointestinale.
Por për pjesën dërrmuese të historisë, ka qenë e paqartë se çfarë duhet të ndodhë saktësisht kur një president sëmuret rëndë. Kushtetuta ishte e paqartë në lidhje me detajet. Ajo vetëm parashikonte që kompetencat e presidentit i “kalojnë” zëvendëspresidentit.
Gjërat nisën të qartësohen disi në mesin e shekullit XX-të, pas problemeve të gjata shëndetësore të Duajt Ajzenhauerit në vitet 1950, dhe pas vrasjes së Xhon Kenedit në vitin 1963. Në 1967, shtetet ratifikuan Amendamentin e 25-të, që pohon se zëvendëspresidenti bëhet president kur vdes presidenti, dhe bëhet president i përkohshëm nëse presidenti “nuk është në gjendje të kryejë kompetencat dhe detyrat e tij”.
1841: Uilliam Herrison vdes nga pneumonia ose Ethet e Tifos
Herrison kishte vetëm 32 ditë që e kishte marrë mandatin e tij si presidenti i 9-të i Shteteve të Bashkuara, kur u bë presidenti i parë që vdiq në detyrë. Historianët besojnë se ai u sëmur pasi mbajti një fjalim prej gati 2-orësh në ceremoninë e përurimit të tij në detyrë, pa pasur veshur një pallto apo kapele mëngjesin e ftohtë të 4 marsit 1841.
Shëndeti i tij u përkeqësua me shpejtësi në javët që pasuan, dhe ai vdiq nga pneumonia më 4 prill 1841. Por në vitin 2014, ky variant u vu në pikëpyetje nga një studim i të dhënave mjekësore të Herrison.
Edhe pse mjeku i Herrison, Tomas Miler përmend pneumoninë si shkakun e vdekjes, studiuesit Xhejns Mekhjuxh dhe Filip Makoviak, mendojnë se ethet tifoide ishin ato që e rënduan më tej shëndetin e tij, dhe ato përputhen me simptomat e Herrison, të cilat përfshinin dhimbjen e barkut, diarrenë, kapsllëkun , të dridhurat, dhimbjet muskulore dhe problemet me frymëmarrjen.
1850: Zakari Tejlor vdes nga kolera
Tejlor vdiq vetëm 16 muaj pasi ishte betuar si presidenti i 12-të i Shteteve të Bashkuara. Më 4 korrik 1950, ai mori pjesë në festimet e 4 Korriku në një ditë përvëluese për shkak të vapës në Uashington. Pastaj u rikthye në Shtëpinë e Bardhë ku hëngri qershi, dhe piu qumësht të ftohtë dhe ujë.
Atë natë, ai u sëmur me dhimbje të forta barku që u diagnostikuan si kolerë. Ai vdiq 5 ditë më vonë, më 9 korrik, ndërsa Milard Filmur u betua të nesërmen si presidenti i 13-të. Por në vitet 1990, më shumë se 140 vjet pas vdekjes së tij, u shfaq një teori konspiracioni sipas të cilit Tejlor ishte vrarë sepse kundërshtonte zgjerimin e skllavërisë drejt perëndimit.
Më 17 qershor 1991, trupi i Tejlor u zhvarros për një ekzaminim mjekësor për ta provuar atë teori. Por ishte e kotë. Eksperti mjekoligjor Xhoxh Nikols, arriti në përfundimin se Tejor ka të ngjarë të ketë vdekur “nga njëra prej një morie sëmundjesh natyrore, që shkaktojnë simptoma gastrointestinale”.
1919: Udrou Uillson preket nga Gripi Spanjoll, dhe pëson një goditje në tru
Uillson ishte në Paris për të negociuar traktatin që do t’i jepte fund Luftës së Parë Botërore, kur u prek nga Gripi Spanjoll mbrëmjen e 3 prillit 1919. Gjashtë muaj më vonë, ndërsa rikthehej SHBA për të kërkuar mbështetjen e Kongresit dhe Senatit për Traktatin e Paqes, presidenti u sëmur sërish.
Mëngjesin e 2 tetorit 1919, Uillson u zgjua në mëngjes pjesërisht i paralizuar, dhe më vonë u diagnostikua me një goditje në tru. Duke synuar që ta mbronte burrin e saj, Edit Uillson ndërhyri për të fshehur shkallën e vërtetë të sëmundjes së tij. Edhe pse ajo nuk mori vendime të mëdha, Edit kontrolloi qasjen e të tjerëve tek presidenti, dhe kreu shumë nga detyrat rutinë të presidencës, derisa përfundoi mandati i tij në marsin e vitit 1921.
1923: Uorren Harding vdes pas një sulmi në zemër
Skandalet që kishin përfshirë administratën e presidentit popullor, po arrinin kulmin kur ai vdiq papritur në një dhomë hoteli në San Francisko. E shoqja e tij, Florenca, refuzoi autopsinë, ndërsa trupi i tij u balsamos një orë pas vdekjes. Mjekët i thanë publikut se ai kishte pësuar një goditje në tru.
Por gati një shekull më vonë, pasi u ri-shqyrtuan dokumentet, shumica e historianëve kanë arritur në përfundimin se ai vdiq nga një sulm në zemër i shkaktuar nga problemet kardiake.
Harding, i cili kishte një zemër të zmadhuar, ndërmori një tur elektoral rraskapitës në Bregun Perëndimor në përpjekje për t’u rizgjedhur. Pas një helmimi të dyshuar nga ushqimi, treni i tij devijoi për në San Francisko. Ai kaloi nga treni në një limuzinë, e cila e çoi në hotelin ku vdiq papritur në mbrëmjen e 2 gushtit.
1945: Frenklin Ruzvelt vdes nga një goditje në tru
Që në fillim, presidenti më jetëgjatë i Amerikës ia fshehu publikut paaftësinë e tij për të ecur i pa ndihmuar nga dikush. Por pakti me gazetarët dhe të njohurit, për ta mbajtur të fshehtë faktin se ai kishte nevojë për një karrocë, u bë i vështirë të zbatohej në vitin e fundit të jetës së tij, kur shëndeti i tij u përkeqësua shumë. Disa muaj më vonë, një goditje në tru i mori jetën Ruzveltit, ndërsa president u bë Herri Truman.
1955: Duajt Ajzenhauer pëson një sulm në zemër
“Probleme me tretjen”. Ishte ky termi që përdori Shtëpia e Bardhë për t’i treguar publikut sulmin në zemër që pësoi Ajzenhauer në shtatorin e vitit 1955, i pari nga disa incidente të rënda mjekësore gjatë presidencës së tij. Një kardiolog e nxiti të mos kandidonte për t’u rizgjedhur në vitin 1956, këshillë që ai e injoroi.
Nëntë muaj pas sulmit në zemër, ai iu nënshtrua një operacioni urgjent për një bllokim të zorrëve, që çoi në diagnostikimin e tij me Sëmundjen Krohn. Shërimi i tij i zgjatur në kohë nxiti shqyrtimin e asaj që do të bëhej, pas vrasjes së Xhon Kenedit, Amendamenti i 25-të, që parashikon zëvendësimin e përkohshëm të një presidenti që është i paaftë. Në vitin 1957, Ajzenhauer pësoi një goditje në tru, por arriti gjithsesi ta përfundonte mandatin e tij.
1981: Ronald Regani i mbijeton një atentati
Njoftimi i Trump se është prekur nga Covid-19, është cilësuar si kërcënimi më serioz për jetën e një presidenti në shërbim, që kur Ronald Regan i mbijetoi atentati në vitin 1981. Regan iu nënshtrua ndërkohë edhe 3 operacioneve për shkak të një tumori në lëkurë, dhe më vonë u prek rëndë nga Alzhemieri. Ai u diagnostikua zyrtarisht me këtë sëmundje në vitin 1994, 5 vjet pas largimit nga detyra. / National Geographic – Bota.al
g.kosovari