Nga Desada Metaj
Pamjet e sotme para selisë së PD, ku disa ish-funksionarë dhe ish-anëtarë të Partisë Demokratike Durrës u përballën me dyert e mbyllura të selisë së tyre, sollën në kujtesë skena që kjo parti i ka parë jo shumë kohë më parë. Ironia e historisë është pothuajse cinike: të njëjtët njerëz që dikur qëndronin në krah të Sali Berisha në përplasjen e tij me Lulzim Basha, sot ndodhen në anën tjetër të derës – të përjashtuar, të papranuar, të anatemuar. Një rikthim i asaj që në gjuhën popullore përmblidhet me një shprehje të thjeshtë: karma is a bitch.
Por përtej dimensionit anekdotik dhe simbolik të kësaj përmbysjeje rolesh, ngjarja e Durrësit është shumë më tepër sesa një episod i izoluar. Ajo është pasqyra më e qartë e një fenomeni më të thellë dhe më shqetësues: institucionalizimi i përjashtimit si mjet politik brenda një partie që, të paktën në teori, duhet të funksionojë mbi parime pluralizmi dhe gare të brendshme.
Prej muajsh tashmë, Partia Demokratike po përjeton një valë përjashtimesh që godet çdo individ që shfaq, qoftë edhe në mënyrë të tërthortë, shenja mospajtimi apo ambicieje për sfidë. Ky është një zhvillim i pazakontë edhe për standardet e vetë kësaj partie, e cila historikisht nuk ka qenë model i demokracisë së brendshme.
Paradoksi është i dukshëm: në një parti ku shumica e aktorëve e pranojnë, në mënyrë të heshtur apo të hapur, se lidershipi është i pakontestueshëm dhe se rezultati i çdo gare është i paracaktuar, nervozizmi dhe agresiviteti i lidershipit nuk kanë qenë kurrë kaq të theksuara. Madje, është zhdukur edhe nevoja për të simuluar një proces formal legjitimimi përmes një gare të kontrolluar – një praktikë që të paktën ruante një fasadë procedurale.
Shpallja e një gare për kryetar, disa javë më parë, u shoqërua me deklarime publike nga disa figura të partisë për të kandiduar. Në kushte normale, kjo do të ishte një shenjë e shëndetit demokratik të një organizate politike. Por në realitetin aktual, vetë këta kandidatë duken të vetëdijshëm se gara është më shumë një formalitet sesa një proces real konkurrimi.
Megjithatë, pikërisht për këtë arsye, përgjegjësia e tyre bëhet edhe më e madhe. Nëse ata e kanë seriozisht sfidën ndaj lidershipit, atëherë reagimi i tyre duhet të jetë proporcional me sulmet dhe përjashtimet që u bëhen. Përndryshe, rrezikojnë të reduktohen në figura dekorative – në një alibi të dobët për një proces të paracaktuar.
Në çdo parti politike funksionale, konfliktet e brendshme kanë dy rrugë zgjidhjeje: përmes mirëkuptimit politik ose përmes institucioneve të brendshme. Në rastin konkret, të dyja këto rrugë duken të mbyllura.
Etiketimet publike si “bashkëpunëtorë të kundërshtarit”, “të shitur” apo “të kapur nga krimi” kanë djegur çdo urë mirëkuptimi. Ndërkohë, institucionet e brendshme të partisë janë të paralizuara nga dominimi i vullnetit të një individi mbi çdo rregull formal.
Pamjet e funksionarëve lokalë që pretendojnë se janë përjashtuar pa u dëgjuar, pa prova dhe mbi bazën e thashethemeve, janë tregues i një degradimi institucional që nuk mund të relativizohet. Edhe nëse pranohet argumenti cinik se ata “po korrin atë që kanë mbjellë”, kjo nuk e zhbën faktin se janë viktima të një sistemi që mohon çdo standard minimal drejtësie të brendshme.
Në këtë situatë, ekziston një instrument i qartë juridik brenda vetë statutit të Partisë Demokratike. Neni 46, pika 8 – i ashtuquajturi “neni Basha” – parashikon se nëse partia humbet zgjedhjet, mandati i kryetarit përfundon automatikisht dhe ai nuk mund të rikandidojë.
Ky nen, i përdorur dikur si armë politike kundër Lulzim Bashës, sot mund të kthehet në një precedent që prek drejtpërdrejt Sali Berishën. Faktet janë të thjeshta: zgjedhjet u zhvilluan, Partia Demokratike mori pjesë, rezultatet u certifikuan dhe partia nuk doli fituese. Për më tepër, vetë përfaqësuesit e saj vazhdojnë të njohin institucionet që dolën nga këto zgjedhje, duke marrë pjesë aktive në procese parlamentare dhe reforma.
Argumentet se zgjedhjet ishin “farsë” apo “të pavlefshme” nuk kanë asnjë peshë juridike, as në statut dhe as në gjykatë. Ato mbeten thjesht narrativë politike për konsum të brendshëm.
Në mungesë të mekanizmave të brendshëm funksionalë, mbetet vetëm një rrugë: ajo gjyqësore. Ironikisht, është e njëjta rrugë që vetë Sali Berisha ndoqi për të marrë kontrollin mbi partinë, në një proces që përfshiu edhe vendime gjyqësore të shumëdiskutuara.
Prandaj, pamjet e sotme para selisë së PD mund të jenë vetëm hyrja e një kapitulli të ri: nga dyert e mbyllura të selisë te dyert e hapura të gjykatës. Nëse kundërshtarët e lidershipit vendosin të përdorin të njëjtin instrument që vetë Berisha përdori për të marrë partinë, atëherë beteja politike do të zhvendoset aty ku tashmë është zhvilluar edhe më parë – në sallën e gjyqit.
Argumenti se kjo mund të “ndihmojë kundërshtarin” apo të krijojë perceptim negativ është më shumë një alibi sesa një strategji. Në fund të fundit, vetë historia e fundit e kësaj partie dëshmon se beteja ligjore është jo vetëm legjitime, por edhe efektive.
Madje, çështja nuk lidhet vetëm me procesin zgjedhor të ardhshëm. Ka një problem paraprak: që nga certifikimi i zgjedhjeve nga KQZ, mandati i kryetarit aktual konsiderohet i përfunduar sipas statutit dhe vendi i kryetarit është vakant. Kjo e bën pozitën e drejtimit aktual të partisë, në termat më të butë, të diskutueshme juridikisht.
Në këtë pikë, dilema nuk është më procedurale, por thellësisht morale dhe politike. Të mos veprosh, në emër të një kujdesi të tepruar apo kalkulimi taktik, përbën rrezikun më të madh: delegjitimimin e vetes.
Nëse këta aspirantë përjashtohen, pengohen të garojnë dhe megjithatë nuk përdorin instrumentet ligjore në dispozicion, atëherë mesazhi që i dërgojnë publikut është i qartë: pakënaqësia e tyre nuk është parimore, por personale. Dhe në këtë rast, ata jo vetëm që humbasin betejën politike, por edhe kredibilitetin moral.
Situata në të cilën ndodhen sot këta kundërshtarë të lidershipit nuk le hapësirë për ambiguitet. Është një pikë pa kthim. Një test real, ku nuk mjaftojnë deklaratat publike apo retorika e brendshme.
Nëse synojnë drejtimin e një partie politike, duhet të provojnë se janë të aftë të përballen me konflikte reale dhe të përdorin instrumentet që vetë politika dhe ligji ofrojnë. Sfida është e dyfishtë: të kundërshtojnë përjashtimet e paligjshme dhe të sfidojnë legjitimitetin e rikandidimit të lidershipit aktual.
Kjo është rruga e vetme serioze, konkrete dhe dinjitoze. Një rrugë që nuk kalon nga dhuna apo kaosi, por nga ligji dhe parimi. Dhe ndoshta pikërisht aty do të mbyllet edhe ironia e madhe e kësaj historie: partia që përfundoi në gjykatë për t’u marrë, mund të përfundojë sërish në gjykatë për t’u sfiduar.











