• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Sunday, January 11, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kosova

Nga dialogu Kosovë-Serbi deri tek Ukraina: Çfarë pritet nga BE-ja këtë vit?

by A R
14/01/2025 13:12
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Është e vështirë të anashkalohet inaugurimi i presidentit amerikan, Donald Trump, më 20 janar, kur parashikohet politika e Bashkimit Evropian për vitin 2025.

Radio Evropa e Lirë ka biseduar me disa zyrtarë në bllokun evropian në javët e fundit dhe të gjithë duket se po presin se si të reagojnë ndaj shumë sfidave të ndryshme që administrata e re amerikane mund të paraqesë për bllokun. Kjo paparashikueshmëri, që pikë së pari duket se i bën ata nervozë, së fundi u shpërfaq edhe me interesimin e Trumpit për Grenlandën, territorin danez.

Por, ka edhe çështje të tjera për të cilat zyrtarët evropianë po përgatiten. Njëra nga to do të jenë tarifat, duke besuar se premtimi zgjedhor i Trumpit për një tarifë universale prej 10 deri në 20 për qind ndaj importeve mund të ndodhë dhe kjo do të ishte e menaxhueshme, edhe pse ka frikë se disa produkte të caktuara do të goditen me tarifa më të larta.

Një tjetër çështje ka të bëjë me kërkesën për shpenzime më të mëdha të mbrojtjes, me presidentin e ardhshëm që kohëve të fundit ka sugjeruar që 5 për qind e Bruto Prodhimit Vendor t’i kushtohet ushtrisë, teksa shumica e anëtarëve evropianë të NATO-s mezi arrijnë të përmbushin objektivin e mëparshëm prej 2 për qind.

E ardhmja e Ukrainës sigurisht që do të jetë në qendër të vëmendjes, veçmas nëse ndonjë marrëveshje për paqe apo për armëpushim mund të ndodhë gjatë vitit 2025. Sërish, në Bruksel duket se është Trumpi dhe jo evropianët që do të duhet të kenë vëmendjen për këtë çështje. Në shumë mënyra, qëllimi për ta është që të paktën të sigurohet një “ulëse në tavolinë” – gjë që nuk është krejtësisht e sigurt. Fakti qëndron se evropianëve po u shterojnë idetë dhe nismat kur bëhet fjalë për Kievin.

Këtu vlen të përmendet propozimi i fundit i bërë nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili ka kërkuar që asetet e ngrira ruse në Perëndim, në vlerë prej miliarda dollarësh, t’i jepen Ukrainës për të blerë armë amerikane. Ky është shembulli perfekt i shmangies së Evropës në disa mënyra. Në radhë të parë sepse paratë do të shkonin në buxhetin e SHBA-së në vend të shteteve evropiane dhe së dyti për shkak se shumica e parave ruse janë në BE. Kjo do të thotë se potencialisht do të minonte Eurozonën si vend i mirë për investime nga shtetet e treta. BE-ja i ka përdorur këto asete të ngrira si garanci për kredinë e fundit të G7-ës për Ukrainën, që do të mbulojë shpenzimet e Kievit për të paktën për vitin 2025. Dhe, kjo është më e shumta që Evropa është e gatshme të bëjë deri në këto momente.

Ajo që është e sigurt është se BE-ja do të synojë t’i shkaktojë më shumë dhimbje Rusisë përmes sanksioneve. Gjatë Presidencës të Hungarisë të Këshillit të BE-së, në pjesën e dytë të vitit të kaluar, Brukseli miratoi masat më të dobëta, me qëllim që të mos përplasej me Budapestin, që është kritik i çdo mase kufizuese ndaj Moskës.

Tani, me Poloninë që e ka marrë udhëheqjen e Presidencës, në Bruksel, ka shpresë për një paketë të re që do të jetë e gatshme në 3-vjetorin e nisjes së pushtimit të Ukrainës, më 24 shkurt. Ka ide të ndryshme, sikurse shënjestrimi i gazit të lëngshëm natyror rus dhe këto ide do të shtyhen përpara nga disa shtete, por ka pak të ngjarë që të ketë pajtim në mesin e 27 shteteve anëtare, i domosdoshëm që paketa të miratohet.

Por, ka edhe aspekte të tjera në këtë çështje. Hungaria ende nuk ka hequr dorë nga kundërshtimi për sanksionet aktuale ekonomike të BE-së ndaj Rusisë. Afati për të dhënë miratimin është deri më 31 janar dhe diplomatët, me të cilët ka biseduar REL-i thanë se Budapesti ka kërkuar që fillimisht të bëhet inaugurimi i Trumpit para se blloku të marrë ndonjë vendim.

Ata thanë, po ashtu, se Hungaria ende nuk ka dhënë sinjale se ndonjë aspekt i sanksioneve duhet të zbutet ose nëse Budapesti dëshiron disa fonde të ngrira të BE-së t’i jepen, në mënyrë që të thotë po për sanksionet. Megjithatë, kjo çështje mund të zgjidhet gjatë takimit të ministrave të Jashtëm më 27 janar në Bruksel, apo në ndonjë samit emergjent më vonë gjatë kësaj jave.

Dialogu për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga BE-ja që nga viti 2011, do të vazhdojë të jetë kyç për rajonin.

Do të ketë përpjekje për ringjalljen e bisedimeve në nivelin më të lartë pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë.

Pas zgjedhjeve, pritet që shefja e re për politikë të jashtme e BE-së, Kaja Kallas, të realizojë turneun e parë të saj në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Pyetja është nëse ajo do të mund të arrijë ndonjë rezultat, duke pasur parasysh se kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deri më tani kanë shfaqur pak vullnet që bisedimet të kenë sukses.

Për t’i dalë në ndihmë, ajo me gjasë do të zgjedhë danezin, diplomat karriere dhe ish-përfaqësues i posaçëm të BE-së për Bosnje e Hercegovinën, Peter Sorensen, për të ndërmjetësuar dialogun. Ai pritet të ketë rolin që ka ushtruar ish-ministri i Jashtëm sllovak, Mirosllav Lajçak, në pesë vjetët e fundit, kur diplomacinë evropiane e udhëhiqte Josep Borrell.

Ndërkaq, në mesin e shteteve të Ballkanit Perëndimor aspiruese për në BE, Shqipëria do të vazhdojë drejt anëtarësimit, duke hapur kapituj të tjerë negocimi, pasi në gjysmën e dytë të vitit 2024 hapi shtatë.

Maqedonia e Veriut dhe Bosnje e Hercegovina me gjasë do të vazhdojnë të jenë të bllokuara në rrugën drejt BE-së për shkak të mungesës së reformave, ndërkaq Mali i Zi, që veçse ka hapur të gjithë kapitujt, synon t’i afrohet edhe më shumë bllokut.

Deri më tani, ky shtet ka arritur të përfundojë bisedimet për rreth një të pestën e tyre dhe ka vullnet në Bruksel që Mali i Zi të bëhet anëtari i 28 i bllokut deri në fund të dekadës – dëshmi se zgjerimi i BE-së ende është i mundur. Prandaj, komisionarja e re për Zgjerim, Marta Kos, me gjasë do ta ketë Podgoricën destinacion të parë gjatë vizitës në rajon që do të zhvillojë në fillim të këtij viti.

Pjesë e zgjerimit janë edhe shtete të tjera. Për Ukrainën dhe Moldavinë pritet të ketë një vendim historik për hapjen e disa nga 33 kapitujt e zgjerimit gjatë Presidencës polake. Por, kjo nuk nënkupton se puna do të kryhet. Në mënyrë që të gjitha shtetet të vazhdojnë integrimin, duhet pajtimi i të gjithëve, përfshirë edhe i vendeve skeptike si Hungaria dhe Sllovakia që janë gjithnjë e më shumë kritike ndaj integrimit të Kievit në BE.

Ka gjasa që edhe Serbia të hapë kapituj të rinj, për herë të parë që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës. Shtetet kundërshtare, sikurse ato në Baltik, Polonia, e madje edhe Holanda, duhet të pajtohen për këtë, edhe pse ato kanë shprehur zemërimin e tyre ndaj afërsisë së Beogradit me Rusinë dhe për kthimin prapa të sundimit të ligjit.

Megjithatë, Gjeorgjia do të qëndrojë në vendnumëro. Në BE ende nuk ka një qëndrim se si të sillen me Tbilisin, teksa ekzekutivi atje ka ndërmarrë një sërë vendimesh kundërthënëse që janë kritikuar nga Perëndimi. Për sanksione ndaj personave të lidhur me partinë në pushtet Ëndrra Gjeorgjiane, sikurse vendosi SHBA-ja, nuk ka konsensus, por ka të ngjarë që BE-ja të suspendojë liberalizimin e vizave.

Në Bruksel mendojnë se Gjeorgjia tani do të jetë në pozitë të njëjtë si Turqia, zyrtarisht kandidate për anëtarësim në BE, por de facto rruga e saj e anëtarësimit do të bllokohet.

Evropa, në aspektin politik, gjithnjë e më shumë po rrethohet nga forca populiste që po fitojnë terren gjithandej në kontinent.

Më 2025, disa shtete të mëdha të BE-së do të jenë dukshëm më të dobëta. Gjermania do të nisë vitin me periudhë zgjedhore, pasi më 23 shkurt ajo do të mbajë zgjedhjet parlamentare. Përderisa një koalicion mes qendrës së djathtë, CDU, dhe qendrës së majtë, SPD, ka të ngjarë të formohet pas zgjedhjeve, partia e ekstremit të djathtë, AfD, me gjasë do të fitojë 20 për qind të votave – që do të ishte rezultati më i mirë i arritur në nivel kombëtar.

Në Francë, situata është më e paqëndrueshme për shkak të Qeverisë jostabile që ka mbështetjen e heshtur nga ekstremi i djathtë, derisa të mbahen zgjedhjet e reja në korrik.

Qeveritë në Spanjë dhe Holandë janë të lëkundura dhe mund të rrëzohen gjatë këtij viti. Më në lindje, miliarderi çek, populisti Andrej Babis, me gjasë do të fitojë zgjedhjet në tetor, duke e sjellë Pragën politikisht më afër Hungarisë dhe Sllovakisë.

Ndërkaq, në Austri, FPO-ja e ekstremit të djathtë së fundi mori për herë të parë mandatin për formimin e Qeverisë, gjë që potencialisht mund ta rreshtojë edhe Vjenën në bllokun populist të Evropës Qendrore.

Sa i përket Polonisë, ekziston një mendim se lideri i saj, properëndimori Donald Tusk, tani është politikani më i fortë në BE. Ai, po ashtu, ndihmohet edhe nga udhëheqja e Presidencës së BE-së, ka marrëdhënie të mira me Uashingtonin dhe ka qenë shpenzuesi më i madh ushtarak sa i përket përqindjes së Bruto Prodhimit Vendor në NATO.

Por, edhe Varshava do të jetë e shpërqendruar nga zgjedhjet, pasi do t’i mbajë presidencialet më 18 maj dhe rundin e dytë më 1 qershor.

Aleati i Tuskut, kryetari i Varshavës, Rafal Trzaskowski, konsiderohet favorit në këto zgjedhje dhe nëse ai fiton, Tusk do ta konsolidonte pushtetin në vend. Por, kandidati konservator Karol Nawrocki, pritet të jetë kundërkandidat i tij dhe fushata zgjedhore do të marrë vëmendjen e vendit gjatë pranverës./REL

Next Post
5% e GDP për mbrojtjen, kancelari gjerman kundër Trump

5% e GDP për mbrojtjen, kancelari gjerman kundër Trump

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

“Nuk pati as kohë për CPR” | Mjekët iranianë përshkruajnë situatën dramatike në spitalet e mbingarkuara nga protestat

“Nuk pati as kohë për CPR” | Mjekët iranianë përshkruajnë situatën dramatike në spitalet e mbingarkuara nga protestat

January 11, 2026
Semani dhe Shkumbini dalin nga shtrati! Në Shkodër, rreth 525 ha tokë nën ujë. Rrugë të bllokuara në Gjirokastër

Semani dhe Shkumbini dalin nga shtrati! Në Shkodër, rreth 525 ha tokë nën ujë. Rrugë të bllokuara në Gjirokastër

January 11, 2026
SPAK-u, gjykatat dhe keqkuptimi i madh mbi drejtësinë

Fshati digjet…

January 11, 2026
Trump pezullon ndihmat për Minnesota-n: 129 milionë dollarë të bllokuara

Trump pezullon ndihmat për Minnesota-n: 129 milionë dollarë të bllokuara

January 11, 2026
Berisha kritikon qeverinë për përmbytjen: Durrësi i betonit apo i Gjushit dhe Ramaduros…

Nën drejtimin e Berishës, opozita rënie drastike votash, analisti: Opozita mbetet e përçarë (SHIFRAT)

January 11, 2026
Bora ‘pushton’ zonat malore, Rama publikon pamjet: Borëpastrueset në terren

Bora ‘pushton’ zonat malore, Rama publikon pamjet: Borëpastrueset në terren

January 11, 2026
Planet e Trump për aneksimin e Groenlandës, ministria daneze e Mbrojtjes: Do detyrohemi të përdorim armët!

Planet e Trump për aneksimin e Groenlandës, ministria daneze e Mbrojtjes: Do detyrohemi të përdorim armët!

January 10, 2026
Përmbytje nga shiu dhe bllokime nga bora, situata problematike në Shkodër, Durrës dhe Gjirokastër. Policia: Kujdes me parakalimet

Përmbytje nga shiu dhe bllokime nga bora, situata problematike në Shkodër, Durrës dhe Gjirokastër. Policia: Kujdes me parakalimet

January 10, 2026
Kompensimi për fëmijët nën 18 vjeç/ Kontabilistët: Ja si mund të përfitoni edhe rimbursim për arsimimin e tyre

Kompensimi për fëmijët nën 18 vjeç/ Kontabilistët: Ja si mund të përfitoni edhe rimbursim për arsimimin e tyre

January 10, 2026
Lokali shkrumbohet nga flakët në Durrës, dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme. Çfarë u pa në kamerat e sigurisë

Lokali shkrumbohet nga flakët në Durrës, dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme. Çfarë u pa në kamerat e sigurisë

January 10, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In