Nga biçikleta e vjedhur tek frika nga fluturimet, jeta e panjohur Muhamed Ali
Muhamed Ali, një nga figurat më të famshme të shekullit 20 dhe tre herë kampioni i botës për peshat e rënda ka disa fakte dhe histori të çuditshme. Njeriu që tronditi botën është vetëshpallur “The Greatest” (më i madhi). Si asnjë sportist tjetër Ali tronditi botën me mënyrën e tij të boksimit në peshat e rënda, sukseset e të cilit patën një jehonë të madhe duke e bërë atë një nga sportistët më të mëdhenj të shekullit të 20-të. E filloi karrierën në ring në moshën 21-vjeçare dhe u shpall kampion bote pas rreth 10 vitesh. Ai është një nga sportistët e parë që e ka fituar këtë titull tre herë. Ai ishte aktiv prej vitit 1960 deri 1967 dhe prej 1970 deri 1981. Gjatë karrierës arriti të bëhet boksieri më i mirë në kategorinë e tij dhe llogaritur sipas pikëve është boksieri më i mirë i të gjitha kohërave me 1,971 pikë. Nga 61 ndeshje boksi ai ka arritur 56 fitore (36 me nokaut) dhe 5 humbje.
Një biçikletë e vjedhur inspiroi karrierën e tij
Muhamed Ali ishte një 12-vjeçar i cili ishte në kërkim të hakmarrjes. Ishte tetor i vitit 1954, dhe Ali (akoma i njohur me emrin Kasius Klej) kishte një biçikletë të kuqe të tipit Schwinn. E kishte marrë dhuratë nga babai i tij për Krishtlindje. Një ditë kur Ali doli në pazarin e qytetit Lousville duke bërë xhiro, kur ndaloi për të blerë disa kokoshka, vuri re më pas që biçikleta nuk ndodhej më aty. Me lot në sy u drejtua tek palestra e zonës, duke kërkuar Joe Martin, një polic që ishte dhe trajner boksi. Ai i shpjegoi situatën Martin-it, dhe kërcënoi se do ‘zhdukte’ këdo që i kishte vjedhur biçikletën. Duke parë shqetësimin e djaloshit të vogël, Martin e këshilloi që “para se të luftonte me dikë duhet të mësonte të luftonte”. Martin i dha atij një aplikim për t’u futur në palestër. 6 javë më vonë, Ali fitoi ndeshjen e tij të parë, duke mposhtur një fëmijë me emrin Ronny O’Keefe. Martin i mësoi Muhamed Alisë bazat e boksit, dhe sëbashku fituan 6 tituj Dorashka e Artë, 2 tituj kombëtarë, dhe një medalje ari në Lojërat Olimpike të Romës në vitin 1960. Sigurisht që Ali nuk e mori kurrë mbrapsht biçikletën e tij, por nëse do ta takonte një ditë hajdutin do t’i jepte dorën në shenjë falenderimi.
Kishte frikë nga fluturimet
Kur Ali do të shkonte në Lojërat Olimpike të Romës 1960, ai mori vesh se do të fluturonte atje. I terrorizuar, 18-vjeçari kërkoi që rrugën ta bënte me anije. Por kjo ide iu refuzua kështu që Muhamed Ali vendosi të hiqte dorë nga Lojërat Olimpike, sepse nuk e shikonte të arsyeshme të humbte jetën si pasojë e një aksidenti ajror vetëm për një medalje ari. Trajneri i tij, Joe Martin arriti ta bindte, por prapëseprapë Muhamed Ali veshi një parashutë gjatë gjithë rrugës për në Itali. Disa thonë se ai lutej tërë kohës. Kur u kthye në SHBA ai bleu një autobus për udhëtimet e ardhshme dhe thoshte se “kur një autobus prishet, nuk bie nga qindra metra lartësi”. Deri vonë Ali deklaroi se kishte arritur ta mposhte këtë frikë, dhe se Allahu nuk do ta linte të vdiste në një aksident ajror. Vajza e tij ka thënë: “E vetmja herë që e kam parë babain të frikësuar ishte kur po fluturonim në ajër dhe avioni filloi të tundej”.
Ali muzikanti
Ndërsa Ali ishte i njohur për aftësitë e tij në poezitë profetike, ai kishte dhe një talent të fshehur që shumë pak vetë janë në dijeni. Pak kohë pas ndeshjes së parë me kampionin Sonny Liston, Ali lançoi albumin e parë me Columbia Records të titulluar “Unë jam më i madhi”. Albumi përmbante poezitë e tij. Por albumet e tij nuk arritën sukses të madh. Kjo për shkak të konvertimit fetar dhe ndryshimit të emrit. Edhe kompania Columbia Records i prishi lidhjet me të. Të gjitha albumet e Alisë u hoqën nga dyqanet sa më shpejt të ishte e mundur. Kjo gjithsesi nuk i dha fund aspiratës muzikore të Alisë. Në vitin 1976, kampioni lançoi këngën “Ali kundra prishjes së dhëmbëve” në të cilën ai u mësonte fëmijëve higjienën dentare. Ai kishte miq shumë njerëz të famshëm të cilët e ndihmuan, si për shembull Frank Sinatra.
Muhamed Ali i shpëtoi jetën një të riu
Los Anxheles 1981. Një 21-vjeçar hipi në katin e nëntë të një pallati dhe kërcënonte se do të vriste veten duke u hedhur. Oficerët e policisë nuk arrinin ta bindin që të ulej poshtë, ndërsa turma e njerëzve bërtisnin që ai të hidhej. Gjërat do të kishin marrë një rrjedhë tjetër nëse Muhamed Ali nuk do të shfaqej aty. Ish-boksierit kur iu shpjegua situata nuk ngurroi që të ofronte ndihmën e tij. Policët e paralajmëruan Alinë që personi mund të kishte një armë, por ai e shpërfilli këtë dhe mendoi se ishte një rrezik që duhej ndërmarrë. Ali iu afrua shumë afër djalit 21 vjeçar. Djaloshi u shokua kur pa sportistin më të famshëm të botës pranë tij. Për 30 minuta Ali i foli djalit për historinë e vështirë të jetës së tij. “Ti je vëllai im, unë të dua dhe nuk do të të gënjeja kurrë”, i tha Ali. Ai e bindi djaloshin të zbriste dhe e mori në limuzinën e tij Roller Royce. Boksieri i premtoi 21-vjeçarit se do ta ndihmonte të ndërtonte një të ardhme më të mirë. Pas kësaj situate Ali tha: “Për mua është më e rëndësishme të shpëtoj një jetë se sa të fitoj një kampionat”.
Ali magjistari
Ali gjithnjë dinte si ta hipnotizonte turmën. Gjithçka ai kishte nevojë ishte një shall ose një monedhë. Një nga numrat e shpejtësisë të preferuar nga ai ishte zhdukja e një shamie mëndafshi në ajër. Truku i tij i preferuar ishte ngritja përballë publikut. Ai kthente kurrizin nga audience, bashkonte këmbët dhe hidhej në tokë duke qëndruar pezull disa centimetra mbi qilim. Truku i tij ishte aq i bukur sa për të cilin e përgëzoi dhe vetë David Koperfildi. Por njerëzit nuk i gëzuan dhe për shumë kohë truket e Alisë sepse ai thoshte se mashtrimi nuk është diçka e mirë sipas Islamit. Muhamed Ali i shpjegoi të gjitha truket e tij se si ai i bënte. Truket e Alisë ishin një mjet për t’i treguar popullit se sa shpejt mashtroheshin ata.
Liroi pengjet nga Iraku
Në fillim të viteve 90’, diktatori irakian Sadam Hysein pushtoi Kuvajtin dhe ushtria amerikane u përgatit që ta përzinte atë. Në përgjigje të Amerikës, Hysein mori shumë pengje. Ai shpresoi që t’i përdorte ato si mburojë, kapi 2000 të huaj, 700 prej të cilëve ishin amerikanë. Negociatat për lirimin e tyre nuk po shkonin siç duhej. Në lojë hyri dhe Muhamed Ali. Pavarësisht brohoritjeve të publikut, kampioni po kalonte kohë të vështira. Ai hoqi dorë nga boksi në vitin 1981 pas humbjes poshtëruese me Trevor Berbick. Pastaj në vitin 1984 Ali deklaroi se vuante nga sëmundja Parkinson. 6 vjet më vonë, shkathtësia në të folur dhe në lëvizje e këtij njeriu nuk ekzistonte më. Megjithatë në shpirt ai ishte akoma një luftëtar, dhe kur dëgjoi për situatën e pengjeve, vendosi të mos rrinte duarkryq. Mbi të gjitha, ai ishte myslimani më i famshëm në botë dhe mund të kishte ndikim në botën islamike. Kur Ali arriti në Bagdad, ai u çua në pallatin e Sadam Hyesin dhe harxhoi 50 minuta duke biseduar me diktatorin famëkeq. Meqë Ali kishte probleme në të folur, përdori edhe gjestet e duarve për të treguar qëllimin e vizitës së tij. “Unë kam ardhur më qëllim paqeje. Nuk jam këtu si politikan. Unë jam amerikan dhe gjithashtu jam mysliman”, këto ishin fjalët që Ali i drejtoi diktatorit. Ai gjithashtu i tha Sadamit se lirimi i pengjeve do të ishte një lëvizje e zgjuar, gjë që e bindi diktatorin të pranonte. Boksieri qëndroi edhe disa ditë të të tjera në Bagdad dhe refuzonte të largohej derisa pengjet të liroheshin. Sadam Hysein liroi 15 pengje amerikanë, të cilët ia dinin për faleminderit kampionit të boksit.









