Gjurmët e pasurive të Ylli Ndroqit, sipërmarrësit mediatik që me vendim gjykate iu sekuestruan 26 pasuri nisin me biznesin YLDON. Sipas dokumentacionit të SPAK të dorëzuar në gjykatë në vitin 2003, Ndroqi regjistron shoqërinë YLDOM me objekt si zyrë këmbimi valutor, por që sipas SPAK deri tani nuk rezulton të ketë dokumentacion të depozituar për këtë biznes. Në të njëjtën datë kur në QKR regjistrohet kjo shoqëri, pra në datën 18 prill 2003 regjistrohet edhe biznesi tjetër i përafërt me emër YLDON, i fokusuar në ndërtim, përpunim minerar, me ortak të vetëm Ylli Ndroqin dhe me kapital fillestar 20 mijë euro.
SPAK vlerëson nga analiza financiare se kapitali aktual i kësaj shoqërie është afërsisht 2.63 milionë dollarë apo thënë shqip 290 milionë lekë. Ekzistojnë dyshime këmbëngul SPAK rreth burimeve financiare që kanë shërbyer për ushtrimin e aktivitetit ekonomik të dy operatorëve YLDON dhe YLDOM, pasi kapitali fillestar është 20 mijë euro, dhe kjo vlerë sipas prokurorëve të posaçëm nuk mund të mbulojë investimet për blerje të aseteve. Këto asete sipas dosjes që gazeta Si po zbardh për ushtrimin e aktivitetit. Më tej prokurorët arsyetojnë “nisur nga fakti që kapitali i investuar është i vogël, ngrihen dyshim serioze që janë përdorur për injektim apo depozitim të vlerave monetare kesh me burime financiare të panjohura”.
Edhe tre vitet pas regjistrimit të këtyre bizneseve që janë hapat e parë të Ndroqit në biznesin joinformal, sipas SPAK mungojnë të ardhurat financiare dhe se nga 2003 deri në 2006 është përdorur si periudhë për depozitimin e vlerave cash, për shkak se marrëdhënia me bankat (për kredi) ka filluar në vitin 2008, nga ku rezulton se është tërhequr një vlerë për llogari të medias Ora News.
Sa i takon kësaj, medias së parë, sipas dosjes së vendosur në dispozicion gazetës Si në datën 5 dhjetor 200, Ylli Ndroqi (alias Xhemail Pasmaciu) bleu 100 për qind të aksioneve të shoqërisë Ora me vlerën e 25 milionë lekë. SPAK shton shitëse e aksioneve ishte ortaku i vetëm, shtetasja I. P, pasi shoqëria ishte krijuar një vit më parë me një kapital fillestar prej 121 milionë lekë. Një vit pas blerjes së kësaj shoqërie u transferuan 180 mijë euro në favor të media 66 për shlyerje he blerje pajisjesh televizive nga shoqëria Ora. Në të njëjtën periudhë deri në vitin 2009 raportohen disa derdhje dhe tërheqje nga punonjës të shoqërisë apo nga shtetasi Ndroqi në vlera që shkojnë deri në 100 mijë euro apo dhe 22 milionë lekë pohon SPAK. Në emër të kësaj shoqërie gjithashtu rezultojnë fillimisht shtatë kontrata noteriale me bankat për marrje me qira apo blerje automjetesh.
Sipas SPAK, më 26 tetor 2010, Ndroqi me 51 për qind të kuotave dhe shtetasi shqiptar Laert Duro me 49 për qind krijojnë shoqërinë LANDON, me veprimtari në fushën e ndërtimit. Kapitali themeltar 1 mijë lekë. Gjatë viteve 2011 deri në 2012, kur përmes kontratës së shitblerjes ndërmjet ortakëve, ortakëria ndryshon me 60 për qind Ylli Ndroqi dhe 40 për qind të kuotave Laert Duro. Katër vite më vonë shoqëria merr sërish statusin e pezulluar, por ndërkohë gjatë kohës që shoqëria ishte aktive prokurorët gjejnë gjurmë të kontratave të dhurimit.
SPAK thotë se në vitin 2013 përmes një kontrate dhurimi një shoqëri tjetër ECOGADES me përfaqësues Valon Pulaj i dhuron Landon shpk 31 për qind të kuotave të një shoqërie tjetër ECOGADES LANDON BALKAN në vlerën 1.085.000 lekë. Kjo shoqëri në prillin e 2017 lidh kontrata me blerjen e dy automjeteve, secila kushtonte 6 mijë euro thonë prokurorët e posaçëm të SPAK. Dhe palë shitëse ishte e njëjta shoqëri pra ECOGADES BALCAN e përfaqësuar nga Masar Bashota.
Por përpara se të vazhdonte blerjen e aksioneve të shoqërive të ndryshme, Ndroqi sipas SPAK e kishte provuar në vitin 2010 ku përmes YLDON bleu 80 për qind të shoqërisë Interkinex nga shtetasi Alban Xhillari. “Vlera kontabël e kuotave të blera ishte 1 .415.550 lekë – nënvizojnë prokurorët – ndërsa sipas kontratës së shitblerjes së depozituar në QKR, kjo 80 për qind e kuotave u blenë për 2.900.000 euro. Në këtë pikë prokurorët vazhdojnë më tej “shoqëria YLDON sipas kontratës për blerjen e kuotave ka paguar 2.400.000 euro dhe detyrimi i pashlyer është 500 mijë euro”. Këto veprime ndodhin në kohën kur në bankë lihen gjurmë për lëvrim kredish për blerje aksionesh. Shtetasi A. XH sipas SPAK kthen pjesën e marrë prej 1.200.000 euro duke shlyer kredinë që YLDON ka marrë pranë një bankë për këtë qëllim.
Në vitin 2015 thuhet më tej regjistrohet shoqëria koncensionare ALBANIA BAY MARINE, me kapital 1 milion lekë. Ortakë të kësaj shoqërie janë YLDON me 50 për qind të kuotave dhe dy shoqëri ISDC me 30 për qind dhe QUENTIN ldt me 20 për qind. Vazhdohet më tej vit pas viti me blerje aksionesh 100 për qind të Channel One nga Geront Selenica dhe shoqëria The point. Për Channel One SPAK pretendon se për periudhën 2011 deri në 2017 figurojnë disa transaksione për derdhje dhe tërheqje në vlera deri në 30 mijë euro apo 3.700.000 lekë.
Ndërkohë që blerja tjetër është ajo e shoqërisë PS 31 me vlerë kuotash 50 për qind thekson SPAK, ku ortakë janë Ndroqi dhe Selenica, megjithëse që prej 2015 kjo shoqëri ekziston me status të pezulluar. Por teksa kjo është panorama e këtyre shoqërive, në lidhje me shoqërinë RENDON oil të krijuar në 2014 SPAK shton “në datën 26 mars 2015 Rendon Oil ka lidhur kontratë për blerje trualli në Lezhë në vlerën 3.300.000 lekë, nga pala shitëse JUKO Petrol të përfaqësuar nga Bojan AJKOVIQ. Por ky person është i njëjti të cilit Ndroqi i kishte shitur tre muaj përpara këtij veprimi 50 për qind të kuotave të kësaj shoqërie dhe që në vazhdim të dy ortakët krijojnë një tjetër shoqëri me të njëjtin emër me fushë veprimi tregtinë e hidrokarbureve po në qytetin e Lezhës.
Prokuroria sidoqoftë përmend edhe transaksionet bankare kryesisht depozitime cash nga bashkëshortja e tij Mimoza Ndroqi apo persona të punësuar pranë YLDON në vlera nga 10 mijë deri në 100 mijë euro.
“Në datën 13 shkurt 2008 Ndroqi (alias Xhemail Pasmaçiu) përfitoi kredi 200 mijë euro në emër të shoqërisë YLDON të cilën e tërhoqi cash dhe po në të njëjtën ditë ka transferuar 180 mijë në emër të shoqërisë Ora. Në datën 20 korrik 2009 Ndroqi depozitoi cash 250 mijë euro dhe po në të njëjtën ditë ka transferuar 225 mijë euro në favor të MENYYACHT EUROPE AG me përshkrimin invoce, .. sued Frelach
Gjithashtu për periudhën korrik 2010-shkurt 2012 rezultojnë disa transferta dalëse me vlerë rreth 349 mijë euro në favor të YACHT LEASING GMHB me përshkrimin pagesa mujore SI DHE NJË TOTAL PREJ 235 MIJË euro me përshkrime të tjera” thuhet në dosjen e SPAK që kërkoi sekuestrimin e pasurive të Ylli Ndroqit, në referim të ligjit antimafia. Ndroqi u vendos nën hetim pasuror pas përgjigjeve të palës italiane dhe turke që vërtetoi se ai kishte pasur problem së paku në tre aksione antidrogë, në dy prej të cilëve ai përfundoi i arrestuar.
Prokuroria dhe gjykata i vlerësojnë këto pasuri si të pajustifikuara ndaj dhe u vendos sekuestrimi i tyre së paku deri më tani në shkallën e parë të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Vendimi u shpall në fillim të muajit nga Etleva Deda sipas kërkesës së dy prokurorëve Vladimir Mara e Dritan Prenci që janë të njëjtët që po hetojnë edhe 339, tek njëra prej të cilave u shfaq shtetasi Hekuran Hoxha. Durrsaku që sërish doli në skenë për kanabis dhe heroinë kishte pasur të njëjtat telashe me Ylli Ndroqin alias Xhemail Pasmaciu gati 20 vjet më parë, atëherë kur së bashku me turq e shqiptarë një skuadër antidrogë i arrestoi për trafik ndërkombëtar të heroinës. (Gazeta Si)