Adiola Lakra, 27-vejçarja që u bë e njohur për publikun shqiptar si kurthi i Hekuran Billës, nuk është femra e parë që ka pranuar të çojë drejt fundit një burrë të botës së krimit. Dosja.al ju sjell sot, historinë e Marsel Sotirës që u ekzekutua përmes një karremi. Dhe ky i fundit, do të ishte pikërisht vajza e zgjedhur si më e bukura e Çorovodës, ish-Miss Skrapari, Valbona Jaho.
Valbona Jaho, në atë kohë 17 vjeçe, do të rrëfente me gojën e saj përpara grupit hetimor se si nga e dashura e Klodian Saliut, një nga ekzekutorët e Marsel Sotirit, do të shtrëngonte duart me këtë të fundit, për t’i bërë ‘gropën’, brenda pak orësh.
Punonjësi i Doganave, Marsel Sotira ishte vënë në ‘shënjestrën; e bandës së Durrësit dhe duhet që patjetër ta hiqnin qafe. Duke qenë se ai i kishte shpëtuar një atentati, kishte marrë hak duke vrarë dy anëtarë të bandës dhe më pas lëvizte me makina të blinduara e armë, djemtë e ‘firtë të Durrësit’, duhet të gjenin një tjetër mënyrë, për ta çuar në pritë.
Kështu, Saliu zgjodhi partneren e tij, Valbona Jaho, një bukuroshe nga Skrapari që për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike dhe kërcënimeve që mori nga vetë i dashuri i saj, e la veten në duart e bandës së Durrësit. Siç rrëfen edhe vetë Jaho, në muajin shkurt të vitit 1999, familja e saj ishte transferuar nga Çorovoda për në qytetin e Durrësit, për një jetë më mirë. S’do të kalonte as një muaj dhe jaho, do të njhiej me Klod Saliun, përmes një shoqeje dhe ky i fundit, do tëthurte në kokën e tij planin për të nxjerrë në pritë Sotirën.
“Klodi ishte vetëm 23 vjeç, unë 17. Kur ishim vetëm Klodi më propozoi që të lidhesha me të dhe unë për momentin i kërkova pak kohë, pastaj do ti jepja përgjigje. Që atë ditë Klodi vinte pothuajse përditë te lagja ime dhe priste përgjigje. Unë pranova propozimin e Klodit dhe filloi lidhja…. Klodi më tha se kishte biseduar me shokët e tij, por nuk më tha se me kë dhe aty më hap muhabetin se si do të vriste Marsel Sotirën. Ai më tha se kemi bërë plan që të çojmë ty në plazh të Durrësit, ti e bën, dhe atje do të njihesh me Marselin. Pasi të njihesh, ti do të na e nxjerrësh në shteg atë duke u bërë si e dashura e tij dhe ne do ta vrasim,”- tregon fillimisht Jaho.
Më pas vajza ndalet pikërisht në momentin që u orezantua me viktimën.
“Fillimisht unë nuk pranova por ai më kërcënoi… Ai më tha se do të merrte një shtëpi me qira në zonën e plazhit për mua dhe familjen time dhe unë duhej tu thosha prindërve që të shkonim 15 ditë në plazh, si dhe mos tu tregoja për vrasjen e Marselit. Pasditen e asaj dite dola vetëm me motrën dhe kemi shkuar tek Pista dhe aty vjen përsëri Marseli. Në atë çast unë isha ulur me motrën dhe po pinim kafe dhe ky i tha kamarierit ato kafe janë të paguara nga unë, por ne në atë kohë nuk pranuam që të paguheshin nga ai dhe i paguam vetë. Pas kësaj ne u ngritëm dhe dolëm dhe kur ishim në dalje të pistës ky personi na u afrua me një makinë të markës Audi me ngjyrë të kuqe, zbriti nga makina dhe duke mu drejtuar mua më tha që e kam me ty. Unë i thashë fol ç`ke për të thënë se do iki në shtëpi. Ai mu prezantua duke më thënë se quhej Marsel Sotiri, jam 25 vjeç dhe me origjinë nga Fieri. Mbas këtij prezantimi u prezantova dhe unë, duke i thënë se quhesha Valbona. I prezantova motrën dhe i thashë se ishim me origjinë nga Skrapari,”- rrëfen ish-Missi.
Më pas Valbona tregon se ishte matur t’i tregonte marselit për kurthin që po i përgatitej, por vetëm kur mendonte kërcënimet, tërhiqej.
“Atë ditë shkuam të dy për tek shtëpia e Marselit me makinën Audi të cilën ai e futi për në garazh dhe pastaj u ngjitëm lart dhe pamë shtëpinë. Lamë ‘Audi’-n dhe u nisëm me B.M.W për në shtëpi. Meqë ai ndërroi makinë mua më zuri frika se mos Marseli kishte kuptuar ndonjë gjë, por s’ishte ashtu. Kur dolëm nga makina unë i thashë Marselit që të bënim një xhiro deri tek shinat e trenit të cilat nuk ishin më larg se 10 metra nga shtëpia ime. Më pas unë i thashë Marselit ik se nata është e frikshme, ai në këtë moment më puthi dhe e lamë për tu takuar të nesërmen. Unë u futa në oborr të shtëpisë dhe dëgjova krisma e breshëri armësh jo më larg se 10 metra nga ku isha unë. nuk më vajti mendja që Marselin do ta vrisnin aq shpejt…”- mbyll rrëfimin e saj Valbona Jaho.
Dhe krismat ishin pikërisht 271 plumbat që i morën jetën Marselit.
21 vite më vonë, do të shfaqej në skenë Adiola Lakra, e dashura e Sebastian Malit, e cila do të bëhej karremi për të mbërritur tek ‘koka’ e Hekuran Billës. Siç Dosja.al raportoi, Adiola Lakra, 26 vjeç nga Berati, e shtyrë nga porpozimi i Malit dhe nga paratë e premtuara nga daja i tij, Viktor Marku, do të krijonte një lidhje dashurie me biznesmenin.
Përreth një viti, siç ka rrëfyer edhe vetë 26-vjeçarja përpara grupit hetimor, Lakra kishte mbajtur lidhjen me Billën, duke i raportuar çdo lëvizje të dashurit të saj, 22-vjeçarit Sebastian Mali.
Lidhja me ‘vëzhguesin’, roli që pati Mali në vrasjen e Billës është faktuar edhe nga bisedat që ka patur Lakra me të. Vetë Adiola, pranoi përpara grupit hetimor se gjithçka e kishte bërë për para dhe se lekët në këmbim të porosisë ia kishte premtuar Viktor Marku, i cili ndodhet pas hekurave si ekzekutori i 40-vjeçarit. E gjithë kjo u bë për të marrë hakun e Prelë Markut, dajës tjetër të Sebastian Malit, të cilin Billa e kishte ekzekutuar në Angli, në vitin 2006.
Kështu mbrëmjen e 11 qershorit, Adiola Lakra, bionde e më sy bojëqielli telefonoi Hekuran Billën dhe i kërkoi një takim pranë “Qendrës Kristal” në Tiranë. Në orën 21:48 të së enjtes, biznesmenit iu pre rruga teksa udhëtonte me mjetin e tij, të llojit “BMË X6”, nga ekzekutori, i cili dyshohet se është Viktor Marku. Ky i fundit u arrestua në Malin e Zi dhe u soll në Shqipëri, pas prangosjes së nipit të tij, Sebastian Mali. Marku u mbrojt disa ditë më parë në gjykatë duke thënë se në momentin e vrasjes ndodhej në Mal të Zi. Por një dëshmitar pretendon se Marku ka qënë në Shqipëri ditën e vrasjes së Billës, pasi i ka dhënë makinën që u përdor në atentat më qira. Tashmë, Policia e Shtetit ka shpallur në kërkim edhe dy persona të tjerë, të cilët mendohet të kenë pasur lidhje me ngjarjen./ dosja.al
g.kosovari