Nga miq të ngushtë, Mehmet Shehu u kthye në një armik të rrezikshëm, që gjatë gjithë jetës ishte përpjekur të eliminonte Enver Hoxhën, në shërbim të misioneve angleze, amerikane, jugosllave e sovjetike.
Në librin e saj më të fundit, “Përjetime dhe meditime në jetën time politike”, Nexhmije Hoxha “zbulon” anët e errëta të Mehmet Shehut, të gjitha gabimet që ai kishte bërë gjatë viteve, akuzat nga vetë Hrushovi dhe të dërguar të KGB-së.
Ndër të tjera, ajo arsyeton se përse Enver Hoxha, edhe pse kishte kaq shumë të dhëna, nuk dyshoi asnjëherë te Mehmet Shehu, por e justifikonte gjithçka me karakterin e tij të vështirë dhe ambicioz.
Nexhmije Hoxha zbulon se çfarë përmbante dosja sekrete në kasafortën e Hysni Kapos dhe deponimin e Fiqiret Shehut në gjyq, pas vetëvrasjes së të shoqit.
Nga Nexhmije Hoxha
Në veprimtarinë luftarake të lavdërueshme të Brigadës së Parë, Enver Hoxhës nuk mund të mos ia tërhiqte vëmendjen fakti që, dy a tri herë, Mehmet Shehu nuk zbatonte “urdhrat” e Komandantit të Përgjithshëm, si në rastin kur iu kërkua që me forcat e tij të kalonte Shkumbinin dhe të marshonte drejt zonave verilindore të Shqipërisë për çlirimin e tyre.
Në këto raste, Enveri, duke u treguar i matur në gjykimet e veta, këto qëndrime të Mehmet Shehut i shihte thjesht si shfaqje të mendjemadhësisë, të prirjes për t’u treguar si ushtaraku më me përvojë, ngaqë kishte studiuar në Kolegjin Ushtarak në Itali dhe si pjesëmarrës në Luftën e Spanjës.
Megjithatë, nuk përjashtohet që Enver Hoxha të ketë bërë lidhje e të mendojë se qëndrimi i M.Shehut për moszbatimin e urdhrave ose për zbatimin e tyre me shumë vonesë, mund të ishte i ndikuar nga misionet aleate angloamerikane në Shqipëri, që vepronin sipas porosive që merrnin nga zyrat e Qendrës së tyre në Bari dhe Kajro. Është e njohur që shefat e këtyre i kishin drejtuar vetë Enverit, si Komandant i Përgjithshëm, radiogramin a kabllogramin ku kundërshtonin lëvizjen e forcave partizane drejt veriut të Shqipërisë.
Kaq mund të supozonte atëherë Enver Hoxha për atë gabim të Mehmetit, duke ditur që misionet anglo-amerikane, e nxitjen nga “Qendra” e tyre, provokonte rëndom dhe ndërhynin pranë shefave të reparteve partizane dhe atyre të Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar. Por në atë kohë, këto qëndrime dhe gabime të M.Shehut, Enveri i shpjegonte edhe me ndikimin e Harri Fullcit, pasi i dinte lidhjet midis tyre dhe që të dy këtu kishin një vlerësim të veçante për njëri-tjetrin. Fullci njihej si “pagëzuesi” i Mehmet Shehut dhe për aq kohë sa qe në Shqipëri, u mor me organizimin, si të agjenturës së vjetër amerikane, ashtu edhe me agjenturën e re.
Gjatë luftës, Enveri ka konstatuar edhe që Mehmeti shfaqte herë pas here pakënaqësi. Por a mund të dyshonte ai se këto pakënaqësi dhe hatërmbetje vinin jo thjesht nga tiparet e karakterit të tij dhe nga ambiciet që ai kishte për karrierë dhe për pushtet? Ku ta dish? Vetëm Enveri e dinte se çfarë mbante fshehur në kokën e tij lidhur me këto. Vetëm pas vetëvrasjes dhe nga gjyqi i Fiqiret Shehut, Enveri u njoh me fakte që dëshmonin se Mehmeti bashkë me të shoqen ishin rekrutuar që në kohën e Luftës nga Dushan Mugosha i OZNA-s (UDB-së) jugosllave.
Me këtë shpjegohen qëndrimet e Mehmetit, menjëherë pas çlirimit në mbështetje të politikave grabitqare të Jugosllavisë titiste ndaj Shqipërisë. Kontaktet me zyrtarët jugosllavë, lidhjet me punonjës të ambasadës jugosllave në Tiranë, të cilët në fakt ishin agjentë të UDB-së ai i bënte duke pasur si ndërlidhës Feçor Shehun. Nga dokumentet sekrete të vitit 1960, të nxjerra nga kasaforta e Hysni Kapos, doli se Mehmeti kishte vepruar në rrogoz dhe fshehtas shokëve dhe Partisë.
Ai i kishte shkruar letra me raportime të fshehta jugosllavit Dushan Mugosha, shefit të misionit të BS, major Ivanovit, të cilëve u bënte thirrje “të shpëtonin Partinë tonë Komuniste nga Enver Hoxha”. Enveri nuk kishte si ta dinte që Mehmet Shehu nga fundi i vitit 1944 gjente kurajën për t’iu drejtuar të huajve prapa shpinës së Partisë dhe se çfarë lidhjesh kishte krijuar me ta. Në disa botime të bëra në këto vitet e fundit janë gjetur materiale dhe të dhëna mbi korrespondencën e organizmave dhe të personaliteteve zyrtare britanike gjatë Luftës Nacionalçlirimtare në Shqipëri.
Në disa prej tyre duket interesi që kanë pasur këto organizma për Mehmet Shehun. Sigurisht që ky interesim nuk ka qenë i rastësishëm dhe pa synime. Në librin e historianit dhe publicistit anglez Xhon Hillidej, i cili ka studiuar dosjet mbi Shqipërinë në arkivat angleze, ndër të tjera citohet një raport i Shtabit të SOE (Special Operations Executive-Drejtoria e Veprimeve të Posaçme), me qendër në Kajro, në Bari-Forca 399, i datës 11 nëntor 1944. Në këtë raport ishin përmbledhur të dhënat nga dymbëdhjetë misionarë anglezë të kthyer nga Shqipëria, që flisnin lidhur me influencën e Anglisë. Ndër të tjera, aty thuhet: “…Ka rëndësi të mbahen parasysh opozita e fortë brenda Lëvizjes dhe krerët e saj të mundshëm”.
Ndër pesë emrat e radhitur në listën e kësaj opozite, i dyti vjen ai i Mehmet Shehut. Përbri emrit të tij ishte një shënim, ku thuhej: “..njeri ambicioz e vanitoz, i cili për njëfarë kohe është mbajtur nën fre nga Partia… Është komunist, por ka ambicie personale që ia kalon besnikërisë së tij ndaj Partisë” (shih Jon Halliday, “Shqiptari dinak”, SHB “SHPATI”, Zvicër, 1993, f.233). Më tej, në këtë libër thuhet se “…Kuadrot e SOE-s në Shqipëri e mburrin Shehun… se ishte i vetmi shqiptar, nën urdhrat e të cilit oficerët anglezë i vunë njerëzit e tyre… ka shumë të ngjarë që anglezët (ose ndonjë anglez) të jenë përpjekur ta ‘rekrutonin’ Shehun… Këtë supozim e përforcon akoma më tepër fakti që grupi i SOE-s që punonte me Shehun, në mesin e vitit 1944 shprehej në atë kohë se parashikonte çarje ndërmjet Shehut dhe Hoxhës” (shih Jon Halliday, po aty, f.233-234). Ndërsa për lidhjen e Mehmet Shehut me amerikanët qysh gjatë Luftës, flitet edhe në librin e publicistit shqiptaroamerikan, Lukas, që e ka shkruar duke u bazuar në dokumente sekrete të misioneve amerikane në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Ndër të tjera aty thuhet se Nik Kukiç, zëvendësshef i misionit amerikan në Shqipëri, në tetor të 1944-ës ndodhej pranë Divizionit të Partë të Ushtrisë Partizane, të drejtuar nga Mehmet Shehu, dhe kontaktonte me të në ambiente të hapura, ku nuk kishte njeri tjetër pranë. Në këtë libër pohohet gjithashtu që Kukiç i raportonte qendrës së tij informacione me konsiderata për M.Shehun. Bazuar në dëshmitë e vetë Kukiçit, libri sjell edhe një bisedë autentike të tij me Mehmet Shehun, të bërë në fund të muajit tetor 1944, ku ai i ka thënë Mehmetit të eliminonte Enver Hoxhën e të bëhej ai vetë i pari i Shqipërisë.
Aty thuhet që edhe ky propozim u refuzua nga M.Shehu, i cili i ishte përgjigjur: “Nik, mos bisedo me mua për gjëra të tilla. Unë s’mund të jem i pari, unë jam ushtarak, Enveri është politikan” (shih Peter Lucas, “Misioni amerikan në Shqipëri”, SHB Bota Shqiptare, Tiranë, 2008, f.233). Siç shihet, Mehmeti i ka dhënë një përgjigje të mirë, por problem është se ai nuk e njoftoi Enverin për këtë propozim kaq të drejtpërdrejtë për eliminimin e tij. Përse ia mbajti të fshehtë, edhe nëse e konsideronte thjesht një provokim? Në fakt, ky propozim që i bëri Kukiçi nuk ka qenë aspak i rastësishëm.
Siç shkruhet në libër, Kukiçi që e njihte mirë Mehmetin, i ka thënë Lucasit ndër të tjera: “Edhe nëse Shehu fshihte ndonjë armiqësi ndaj Hoxhës, ai nuk e shfaqte atë”. (Shih: Peter Lucas, po aty). Nga kjo del që misionari amerikan kishte biseduar për shumë gjëra me Mehmetin, kishte mësuar për idetë dhe qëndrimet e tij, përderisa guxonte ta udhëzonte, pa dorashka që të hidhej në veprim e të vriste Enverin, pa u tutur se mos Mehmeti e denonconte. Siç dukej, kishte njëfarë sigurie. Këtë siguri, zëvendësshefi i misionit amerikan e kishte krijuar ngaqë e dinte që Mehmeti kishte kaluar nëpër duart e Harri Fullcit, prandaj dhe takohej e fliste me të vetëm për vetëm, në mënyrë aq konfidenciale dhe në mjedise ku nuk kishte njeri. Ndërsa nga deponimet e Fiqiretit dhe të akuzuarve të tjerë në gjyq doli që Mehmeti kishte lidhje të vjetra dhe mbante kontakte me CIA-n amerikane. Në ç’kohë ishte rekrutuar si agjent nga CIA nuk dihet saktë, por në deponimet e bëra në gjyq del që në vite të ndryshme, ai është kontaktuar nga agjentë të saj, të cilët e kanë udhëzuar të vepronte pa u kompromentuar vetë. Ata e kishin urdhëruar të bënte plane konkrete për përmbysjen e regjimit në Shqipëri, madje i kishin dhënë të gatshme edhe disa variante për eliminimin fizik të Enver Hoxhës.
Kohët e fundit po deklasifikohen mjaft dokumente të arkivave të CIA-s dhe të KGB-së, nga të cilat kanë dalë materiale dhe fakte që flasin se Mehmet Shehu ishte vënë edhe në shërbim të agjenturës ruse. Në një dokument të Departamentit Amerikan të Shtetit (“Foreign Relatios”, 1949, faqe 299), thuhet shprehimisht: “Rusia ka pushtuar Shqipërinë… Kontrolli politik ushtrohet përmes regjimit të Hoxhës dhe njeriut të Moskës, Shehu, që është ministër i Brendshëm dhe anëtar i Byrosë Politike…”