Trafkimi i qënieve njerëzore është një ndër fenomenet më negative që ka shoqëruar tranzicionin e gjatë në Shqipëri pas vitit 90.
Siç njofton gazetarja Mimoza Picari në këtë material të përgatitur për Zërin e Amerikës, numri i grave dhe vajzave të trafikuara dhe të identifikuara nga strukturat përgjegjëse është rreth 100 në vit, ndërsa numri real brenda dhe jashtë vendit nuk mund të përcaktohet për aq kohë sa ato mbeten të paraportuara.
Drejtues të organizatave joqeveritare vërejnë me shqetësim uljen e numrit të identifikimeve, uljen e moshës së vajzave të trafikuara nën 18 vjeç, si dhe rritjen e trafikimit të brendshëm. Qeveria shqiptare, e cila ka krijuar dhe një organizëm të gjerë me shumë aktorë, që drejtohet nga Kordinatori kombëtar për çështjet e trafikimit, i është përgjigjur kritikave në vijimësi, me një plan veprimi të hartuar së fundi. Zyrtarët shmangin akuzat se ka rënë vëmendja ndaj trafikimit për shkak të përqendrimit të energjive të qeverisë në luftën ndaj drogës, duke argumentuar se grupet kriminale që janë goditur kanë patur ndër aktivitetet e tyre përveç drogës edhe trafikimin.
Trafikimi i qënieve njerëzore vazhdon të jetë një ndër fenomenet më shqetësuese për shoqërinë shqiptare për më shumë se dy dekada. Ai është pranuar me vështirësi nga zyrtarët qeveritarë pas vitit 1997, të cilët kanë tentuar ta konsiderojnë si emigracion të paligjshëm. Trafikimi i grave dhe vajzave për shfrytëzim prostitucioni ka prekur mjaft familje shqiptare. Një dëshmi tronditëse, sjell një grua në qendrën Vatra në Vlorë.
Denoncuesja: “Më tha do të çoj tek një çift, tek një shoku im si fillim. Pastaj do të vij të të marr pas një muaji prapë. Ky çifti faktikisht trafikonte vajza. I merrnin, i transportonin, i çonin në Itali, u bënin pasaporta false. Më thonin që duhej të shkoja me të tjerë. Dilja natën veja nëpër hotele. Dhe e bëja sepse ndryshe më rrihte. Nuk duronte fare fare, asnjë pyetje. Dhe këtë gjë e kuptova por nuk e ndryshoja dot”.
Qëndra Vatra që prej vitit 2001 kur shndërrua në strehimore, ka trajtuar mbi 1 mijë e 600 gra dhe vajza, si kjo grua, që i kanë shpëtuar trafikantëve. Pas saj janë krijuar dhe tre të tjera, mes tyre dhe ajo shtetërore në perfireri të Tiranës që ka afruar shërbime për mbi 600 gra dhe vajza viktima të trafikut. Shërbimet që ofrojnë ato janë thuajse të njëjta.
Merita Xhafaj drejtore e politikave sociale në Ministrinë e Punës dhe të Çështjeve Sociale thotë se “Gratë viktima të trafikut pasi mbërrijnë në qendër përiftojnë jo vetëm shërbime sociale, ndihmë ligjore falas, shërbimi me psikolog sepse asistenca e psikologut është e nevojshme në qendër. Ka një plan referimi, sepse ato janë idividuale për menyrën se si do të trajtohen dhe riintegrohen të gjitha viktimat e trafikimit”.
E gjithë veprimtaria antitrafik ndiqet nga kordinatori kombëtar për çështjet e luftës kundër trafkimit të qënieve njerëzore.Toneve kritike të raportit të departamentit të shtetit, por jo vetëm, që nënvizoi në qershor të këtij viti se Shqipëria nuk plotëson standartet minimale në luftën kundër trafikimit të qënieve njerëzore, qeveria shqiptare i është përgjigjur së fundi me hartimin e planit kombëtar të veprimit 2018-2020 për trafikimin.
Rovena Voda, Zëvendës Ministre e brendshme dhe Kordinatore Kombëtare për çështjet e trafikimit sqaron: “Është një plan ambicioz, e them ambicioz sepse bazhohet në disa shtylla kryesore, duke filluar me parandalimin.Një shtyllë e rëndësishme është përsa i përket legjislacionit. Mënyrat se si krimi evolon kanë ndryshuar dhe në të njëjtin hap duhet të ece dhe legjislacioni. Reforma në drejtësi parashikon që vepra penale e trafikimit do të hetohet dhe gjykohet nga prokuroritë dhe gjykatat e rretheve dhe jo më nga Prokuroria dhe Gjykata e Krimeve të Rënda”.
Një pjesë të rëndësishme të luftës kundër trafikimit zë ndërgjegjësimi dhe kordinatorja kombëtare e antitrafikut thotë se këtij qëllimi i shërbejnë dhe kurigulat në gjimnaze për të njohur fenomenin. Në 9 muajt e parë të këtij viti regjistrohen 20 viktima më pak të trafikut të qënieve njerëzore, të identifikuara, se në të njejtën periudhë të vitit të kaluar. Zyrtaret e qeverisë e lexojnë si sukses por drejtuesit e organizatave joqeveritare mendojnë se kjo lidhet me rënien e numrit të identifikimeve dhe jo zbutjen e fenomenit të trafikimit.
Brikena Puka, Drejtore ekzekutive e Qendrës Vatra në Vlorë pohon se “Në mënyrë të veçantë në vitin 2018 identifikimi i viktimave të trafikut të qënieve njerëzore ka rënë, nga të gjitha institucionet në përgjithësi”.
Zv/Ministrja e Brendshme Rovena Voda i përgjigjet këtij shqetësimi duke thënë se “Aty ku statistikat duket sikur janë pak, alarmi duhet të jetë gjithmonë më i ngritur. Dhe këtë kam mundur të mbaj në fokus unë dhe zyra ime e kordinatorit. Të mos kënaqemi se kemi më pak viktima të mundshme të trafikimit të qënieve njerezore dhe në fakt i kemi patur.”
Në nivel kombëtar numri i viktimave të mundshme të trafikimit të identifikuara është rreth 100 në vit. Ndërkohë numri real i grave dhe vajzave të trafikuara brenda dhe jashtë vendit mbetet i panjohur për aq kohë sa ato janë të paidentifikuara.
Marjana Meshi Drejtore e qendrës “Të ndryshëm dhe të barabartë” thotë se identifikimi është shumë i vështirë. Duke qenë se është një veprimtari e fshehtë kriminale, sqaron ajo, viktimat janë nën kontrollin e trafikantëve.
Një prej viktimave të trafikut që dëshmoi në qendrën Vatra rrëfen kërcënimin që merrte nga trafikantët nëse ajo do të denonconte.
Denoncuesja: “Nëse ti bën si të themi ne, nuk të kapin dot. Nëse ti tenton të ikësh je e vdekur. Ti dhe fëmija yt. Më shumë i thoja vetes time të bëja durim. Të bëja durim se do ta gjeja mundësinë. Isha e sigurt se do ta gjeja një mundësi. Me guximin që i dhashe vetes time ja arrita në fund. Vajta në polici dhe bëra denoncimin.”
E megjithatë drejtuesit e organizatave joqeveritare e lidhin numrin e ulët të identifikimeve edhe me përqendrimin e vëmendjes së qeverisë në luftën kundër drogës, sipas tyre, duke lënë mënjanë luftën ndaj trafikimit të qënieve njerëzore.
Rovena Voda, Zv/Ministre e Brendshme, sjell një argument që kundërshton shqetësimin e Organizatave Joqeveritare kur thotë: “Unë do t’ju sjell një fakt. Nga analiza që Task Forca e ngritur me qëllim implementimin e operacionit Forca e Ligjit, i ka bërë grupeve kriminale, nga më të rrezikshmet në Shqipëri, është vënë re që një pjesë e mirë e këtyre grupeve krimnale kanë si aktivitet të tyre dhe trafikimin e qënieve njerëzore.”
Akuzat për trafik droge dhe trafikim të qënieve njerëzore prekën vitet e fundit edhe disa të zgjedhur në parlament dhe pushtetin vendor. Procesi i dekriminalizimit të zyrtarëve të lartë i ndaloi ata të vazhdojnë të ushtrojnë funksionet për të cilat ishin zgjedhur.
Një problem tejet shqetësues, në fenomenin e trafikimit të grave dhe vajzave lidhet me moshën e vajzave të trafikuara.
Brikena Puka drejtuese e qendrës “Vatra” thotë se rreth 50% e tyre janë minorene, nën moshën 18 vjeç. Ose edhe kur kanë qenë mbi këtë moshë në momentin e identifikimit, sqaron ajo, është konstatuar më pas, se kur kanë nisur të shfrytëzohen kanë qenë nën 18 vjeç.
Organizata “Tjetër Vizion” që ofron shërbime për fëmijët e trafikuar, nënvizon me shqetësim rritjen e trafikimit të brendshëm.
Arjan Çala Drjtues i qendrës bën me dije se po zhvillohet trafikimi i brendshëm, që do të thotë se trafikimi si fenomen po gjen terren edhe në Shqipëri, jo vetëm jashtë saj- sqaron ai. “Gjysma e fëmijëve trafikhen brenda territorit të Shqipërisë për shfrytëzim, punë të detyruar, abuzime seksuale etj”, thekson zoti Çala.
Të katër strehimoret e trafikut të qënieve njerëzore, kanë krijuar një koalicion dhe veçojnë bashkëpunimin e mirë me strukturat e policisë. Tre strehimoret private, vlerësojnë financimin në pjesën më të madhe nga shteti që pas vitit 2015, por thonë se kjo mbështetje duhet të rritet. Koalicioni vëren se riintegrimi i viktimave vështirësohet edhe nga paragjykimi i shoqërisë. Atyre ju sigurohet punë, banesë dhe gjatë qëndrimit në qendër ju jepet mundësia e kualifikimeve profesionale.
Denoncuesja: “Dua një jetë normale si gjithë të tjerët. Të kem një shtëpi timen, një punë të përditshme dhe fëmija të më shkojë në shkollë”.
Lufta ndaj trafikimit të qënieve njerëzore është një betejë e vështirë, thonë protagonistë të shoqërisë civile, që, sipas tyre, mund të fitohet nëse nuk lejohet që krimi të jetë më i organizuar se shteti /Zeri i Amerikes