Nga Mero wBaze
Ka një fragment në kujtimet e Pouqueville për Ali Pashë Tepelenën që tregon se, përtej mizorisë së tij, ai ishte i ashpër me humbësit dhe trashëgimtarët e padenjë, qofshin edhe këta viktima të tij. Pouqueville, i cili në atë kohë ishte konsull i Francës në Janinë, u gjend në një darkë i ftuar nga Ali Pasha në Pallatin e tij , bashkë me disa grekë të parisë së qytetit.
Gjatë darkës, pasi u pinë disa gota verë, disa nga të ftuarit grekë filluan të diskutojnë me njëri-tjetrin për Greqinë e Lashtë, për shkëlqimin e saj, për Sokratin, për oratorët grekë etj.
Ali Pasha befas u kthye dhe i pyeti:
– Po ju ç’punë keni me lavdinë e tyre?
– Ne jemi pasardhësit e tyre, Pasha – i tha më guximtari prej tyre.
– Po kush e thotë këtë që jeni pasardhës të tyre? – pyeti Pashai.
– Librat, Pasha – u përgjigj greku.
– Po pse nuk i digjni këto libra? – i tha. – Nuk u vjen turp për paraardhësit tuaj, si jeni katandisur? Pse i turpëroni ata?
Kjo skenë e përshkruar nga Pouqueville, për të treguar se si e përjeton një fitimtar rënien e lavdisë së të parëve, ma solli në mendje kjo kakarisje e Sali Berishës për fitoren e 22 Marsit 1992, kur shqiptarët votuan masivisht kundër komunizmit dhe sollën në pushtet Partinë Demokratike.
Por koha tregoi se, në vend të Partisë Demokratike, kishin sjellë në pushtet vetëm Berishën, i cili 35 vite më pas e ka katandisur partinë e parë opozitare properëndimore të Shqipërisë në një çetë fundamentaliste, që përpiqet të mbahet në këmbë vetëm përmes një njeriu të shpallur “non grata” nga dy shtetet më të mëdha perëndimore, SHBA dhe Britania e Madhe, për korrupsion madhor dhe minimin e demokracisë. Ai e ka katandisur PD-në nga një parti që shqiptarët i besuan dy të tretat e votave, në një parti që mezi kap një të tretën e votave.
Ndaj, nëse ka ndonjë fyerje për 22 Marsin e vitit 1992, është mënyra si e përkujton atë Sali Berisha. Dhe nëse ka ndonjë “dënim” nga Zoti për të, është ta përkujtojë një shesh të mbushur me mbi 100 mijë vetë më 22 Mars 1992, me një grusht njerëzish që shoqëria shqiptare u largohet sikur të ishin lebrozë më 22 Mars 2026.
Ndaj, nëse keni pak mëshirë për 22 Marsin, bëni ç’është e mundur të mos e lidhni më me Sali Berishën. Ajo është një datë që Sali Berisha ua ka vjedhur shqiptarëve dhe demokratëve; nuk është një datë që rikthen Sali Berishën në pushtet. Është një datë që na kujton të gjithëve se çfarë do të thotë të shpërdorosh historinë dhe shanset e saj për interesat e familjes tënde dhe të karriges tënde.











