Për Eqerem Memushin, Flamurtari po dështon prej drejtuesve. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, ish-trajneri shprehet se vlonjatët kanë aktualisht një grup shumë të mirë lojtarësh. Po në nivel të lartë është edhe stafi teknik i drejtuar nga Magani. E gjithë çështja, sipas tij, mbetet te rrogat e pamarra.
“Me fillimin e sezonit, Flamurtari na dha një shpresë, një dritë jeshile se e ardhmja do të ishte e mirë. Kjo u pa te mënyra e përzgjedhjes të stafit që drejton sot ekipin dhe te lojtarët që e përbëjnë atë. Problemi te Flamurtari dihet dhe ka tre vjet e njëjta histori. Unë them se, sa kohë që drejtuesit nuk janë korrekt me financat, kështu do të ndodhë.
Por për këtë duhet që të jetë përgjegjëse edhe bashkia dhe Këshilli Bashkiak. I uroj punë të mbarë kryetarit Dritan Leli, punon shumë mirë për qytetin, por me atë dëshirë dhe pasion i them që të hedhë sytë edhe nga skuadra, pasi futbolli i Vlorës është krenaria e gjithë Shqipërisë. Po të shikosh edhe në mbledhjen e fundit, Këshilli Bashkiak për Flamurtarin nuk ka pasur asnjë gjë konkrete, as letra, asgjë, veç fjalëve në ajër dhe hipokrizisë brenda në sallë.
Hajde ta heqim ne qafe dhe ta marrë skuadrën një njeri që është shprehur shumë herë që ‘unë do bëj fillimisht institucionin’, por as atë nuk po e bën dot. Nuk po bën as futboll dhe asgjë. Me ata ‘dema’ që ka Flamurtari, nëse zotëria do t’u jepte rrogën në datë 20 shtator, ata do ‘t’i hanin edhe veshët’ Skënderbeut”, ka thënë Memushi jo pak i mërzitur.
Klasifikimi
Flamurtari nuk ka pozita të mira në renditje dhe për Memushin edhe këtu faji është i drejtuesve. “Sot do të diskutohej Flamurtari në vend të parë në renditje dhe jo Skënderbeu. Skuadra ka kualitet brenda, por duhet që të jetë e qetë dhe për të qenë e qetë, drejtuesit të jenë korrekt, pasi lojtarët janë familjarë dhe stërviten dy herë në ditë. Kjo është sëmundje. Po ta shikosh, Flamurtarit i ‘shuhet motori’ në minutën e 30′. Futbollistëve ju kujtohet administratori. Nuk na ka ardhur rroga thonë. Aty gjendja është shumë alarmante”, ka vazhduar ish-tekniku konstatimin e tij.
E kaluara
Memushi bën edhe një krahasim kur në krye të skuadrës ishte ish-kryebashkiaku Shpëtim Gjika. “Ai ishte shumë korrekt. E paguante skuadrën çdo muaj dhe, nëse do të ishte ende, ekipi do të ishte shtatë pikë para tani. Flamurtari ishte për kampion atëherë, por ashtu erdhën rrethanat e prapaskenat dhe u sulmua.
Flamurtari bënte diferencë me ekipet e tjera. Edhe ky Flamurtar ka kualitete. Ai mbrojtësi i majtë, Lukiç, nuk ka asgjë ai. Nuk ka marrë lekët, ndaj shtrihet ashtu në shesh. Kjo është një skuadër shumë e shëndoshë, që konkurron Skënderbeun, Partizanin, Kukësin, Tiranën. Është ekip që duhet të jetë te pesë ekipet më të mira për të kapur majën. Sot në tri vjet me zotërinë administrator të klubit kanë ikur gjashtë trajnerë dhe 24 lojtarë.
Përse kanë ikur?! Përfundimi dihet: lekët. Po ashtu Alvesh. Ishte një ndër lojtarët më të mirë që kanë ardhur në Shqipëri, por mënyra se si u largua, iku njëherë, iku dy herë, diçka këtu nuk lëviz. Këtu po tallen me 300 mijë banorë në Vlorë. E kam që te logoja. Me tjetër logo del ekipi në fushë, me tjetër logo stafi në konferencë për shtyp. Sot, po të ngrihet një komision, ata drejtues marrin gjobë për këtë. Ajo është e padrejtë, pasi duhet të mblidhet FSHF, UEFA, për atë logo që është e regjistruar që në vitin 1923″, vazhdoi Memushi.
Superiorja
Në fund të deklaratës së tij, Memushi jep edhe mendimin e tij për këtë sezon futbollistik. “Skënderbeu është skuadra më e ndërtuar mirë dhe këtë e ka treguar edhe në vitet e fundit ku ka fituar 6 tituj kampion rresht. Mundohet që ta ruajë atë epërsi pikësh që ka grumbulluar.
Sa u takon trukimeve të Skënderbeut, është një problem që e shikon FSHF. Kjo është një vorbull që ka përfshirë edhe ekipet e Kategorisë së Parë. Janë komisionet ato që gjykojnë këto çështje. Sa i takon Flamurtarit në këto ndeshje të para të këtij kampionati, mund të them se e mban me meritë pozicionin e tij”, ka mbyllur Memushi./a.k