Ministria e Shëndetësisë e Kroacisë dhe Ministria e Shëndetësisë e Shqipërisë nënshkruajnë Planin e Bashkëpunimit në fushën e Shëndetësisë dhe atë të Mjekësisë për vitet 2015 – 2018, bazuar në Marrëveshjen dypalëshe të nënshkruar në Tiranë më 27 tetor 2003. Lajmi u bë i ditur gjatë vizitës zyrtare që Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, zhvilloi në këtë kuadër më 2-3 nëntor në Zagreb, me ftesë të homologut kroat, Siniša Varga.
Plani i ri i bashkëpunimit dypalësh do të përqëndrohet në aspekte të ndryshme me interes reciprok të kujdesit shëndetësor në vendet përkatëse. Për Ministrinë e Shëndetësisë Shqiptare, aspekte të rëndësishme të bashkëpunimit janë ato që lidhen me prioritetet në zbatimin e Programit të Qeverisë, ku midis të tjerash, theks të veçantë do të kenë: funksionimi i kujdesit shëndetësor parësor dhe marrëdhëniet e tij me qeverisjen vendore; shërbimi kombëtar i urgjencës mjekësore; reforma në tregun e barnave dhe pajisjeve mjekësore; si dhe, shëndetësia elektronike.
Gjithashtu, bashkëpunimi dypalësh do të shtrihet edhe në fushat e tjera të kujdesit shëndetësor, si edukimi dhe kërkimi shëndetësor; dërgimi i pacientëve shqiptarë në Kroaci për shërbim të specializuar të rasteve të veçanta; format e shkëmbimit të informacionit mbi programet shëndetësore; shkëmbimi i publikimeve dhe literaturës edukative në shëndetësi; shkëmbimi i ekspertëve dhe grupeve të studimit; programet afat-shkurtëra të bashkëpunimit; pjesëmarrja e përfaqësuesve dhe ekspertëve të palëve në tubime shkencore dhe në projektet e ndërmarra; zbatimi i trajnimeve të specializuara për punëtorët shëndetësorë, e bursistë nga Shqipëria në Kroaci.
Beqaj pati takime edhe në Agjencinë Kombëtare Kroate për Produktet Medicinale dhe Pajisjet Mjekësore, HALMED, ku mori angazhimin e përfaqësuesve të këtij institucioni për të mbështetur modernizimin e Agjencisë Kombëtare shqiptare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, si dhe për të realizuar si analiza të barnave, por edhe për të ofruar prezencë të ekspertëve GMP kroatë në liçensimin e linjave të prodhimit të barnave në Shqipëri.