Leta Rama, nëna e Robert Ramës, vrarë më 8 qershor 2015 në një lokal në Durrës, në zonën e ish-Kënetës, vetëm pak muaj pasi ishte shpallur në kërkim nga policia si autor i dyshuar i grabitjes me dhunë në Tepelenë, tregon të vërtetën e saj.
Në një intervistë për “GSH”, ajo shprehet se ditën që ka ndodhur ngjarja, djali i saj do të nisej për në Greqi dhe nuk besoj se ka lidhje ne grabitjen e familjes së Elton Çiças.
Për vrasjen e Elton Çiços pak ditë më parë në Tiranë, ajo pohon se nuk kanë qenë në hasmëri me familjen e tij dhe, për më tepër, nuk kanë asnjë njohje me ta.
Zonja Leta, djali juaj Roberti është vrarë para disa muajsh në Durrës nga persona ende të paidentifikuar. Fillimisht, ai ishte shpallur në kërkim nga policia pasi akuzohej për një grabitje të ndodhur në Tepelenë dhe çanta me të dhënat e tij personale është gjetur në një makinë pranë banesës së çiftit të grabitur. Si qëndron e vërteta e kësaj ngjarjeje?
Unë nuk e di nëse me të vërtetë e ka bërë djali im atë grabitje apo jo. Po edhe nëse mund ta ketë bërë ai është veprim, si ka mundësi që një person që niset për të kryer një vjedhje apo një grabitje apo edhe diçka tjetër më të rëndë, si mundet që të marrë me vete letra e dokumente?! Pra, asnjë njeri nuk mund ta bëjë diçka të tillë, që mund të marrë me vete të gjitha këto dokumente dhe të shkojë për të grabitur. Unë jam shumë e sigurt që djali im nuk e ka bërë diçka të tillë.
Mendoni se djalit tuaj mund t’ia kenë grabitur çantën apo mund t’ia ketë marrë ndonjë person tjetër?
Nuk e di, nuk e di se si mund të ketë ndodhur kjo gjë. Unë dija se djali im do të nisej për jashtë shtetit atë ditë.
Ju, e njihni familjen Çiço që është grabitur në Tepelenë?
Jo, nuk e njoh fare. Ata janë nga Tepelena dhe ne nuk kemi asnjë njohje me ta. Kur e kam dëgjuar këtë gjë në atë kohë, më ka ardhur shumë keq për ta, sepse ishin të moshuar. Dhe kurrsesi djali im nuk mund ta këtë bërë atë veprim, dhe për më tepër të ketë rrahur dy pleq të vjetër. Më vjen çudi për këtë, sepse unë e dija se çfarë shpirti ka pasur Roberti. Ai ndihmonte njerëzit, e sidomos njerëzit e moshave më të vjetra. Madje më ka ardhur shumë keq për ata të moshuar, sepse në vend të tyre mund të isha edhe unë. Nëse djali im ka mundur ta bëjë atë gjë, më vjen keq që e them sepse jam nënë, por ka marrë hakun që meritonte. Nëse edhe mua do të më dhunonte dikush, edhe djali im do të bënte të njëjtën gjë, do të vepronte shumë rëndë ndaj personave që do të më bënin mua keq. Por unë e di që nuk bënte Roberti im nga këto gjëra kaq të rënda.
Pse mendoni se mund të ketë ndodhur vrasja e djalit tuaj?
Nuk di se çfarë të them për këtë. Ne nuk kemi pasur asnjëherë konflikte me njeri.
Ju ka pyetur ndonjëherë policia në lidhje me grabitjen dhe vrasjen?
Jo, asnjëherë. Mua më ka ardhur policia në shtëpi për kontroll vetëm ditën që ka ndodhur vrasja këtu në Tiranë. Edhe këtë e mora vesh nga mediat. Erdhën të maskuar dhe na tmerruan fëmijët, saqë këto ditë kur biem të flemë më thotë mbesa e vogël, “nëna, mbylle mirë derën se kam frikë”.
Elton Çiço, i cili u vra mbrëmjen e së dielës në një lokal në Tiranë, është djali i çiftit të të moshuarve që u grabit në Tepelenë në mars të vitit të shkuar. Në hetimet e kësaj ngjarjeje po përmendet edhe emri i djalit tuaj. Keni një reagim për këtë gjë?
Po, e kam dëgjuar gjithandej në media se vrasësi mund të jetë paguar për të kryer vrasjen. Ne nuk kemi qenë në hasmëri me atë familje, madje nuk i njoh fare ata. Policia për këtë vrasje kishte shoqëruar djemtë e kunatit dhe disa shokë të djalit. Ç’taksirat kanë ata tani?! Pse policia po i përfshin edhe ata?! Po na bën me sherr dhe në hasmëri me njerëzit tanë. Ngjarjet le t’i zbardhë shteti dhe të mos përfshijë persona që nuk kanë bërë asgjë. Por është vetë shteti që po na fut në hasmëri me njerëzit. Nuk kemi qenë dhe nuk jemi në hasmëri me asnjë person. Nëse nuk na kanë futur në hasmëri kur ka ndodhur grabitja kur thanë se e kishte bërë djali im, po na fusin tani në hasmëri me këto që po thonë. Gjithandej në media po thuhet se vrasja e Çiços është bërë nga persona që mund ta kenë paguar vrasësin dhe më pas e lidhin me çështjen e djalit tim. Unë nuk kam lekë të paguaj njeri për të vrarë. Por edhe nëse do të kisha, një gjë të tillë nuk do ta kisha bërë kurrë! Nuk dua të futem në hasmëri me asnjë. Unë nuk kam lekë të paguaj një avokat për të ndjekur çështjen. Po na rrezikojnë jetën më shumë me këto që po thonë.
Një thirrje që ju keni për këto ngjarje?
Unë shtetit i them të mos më fusë në hasmëri, sepse po më fut në hasmëri me dy palët, me atë të personit që është vrarë dhe me njerëzit e mi. Sepse ne nuk kemi vrarë asnjë njeri./GSH/a.m.