Tre ditë pas furtunës së shkarkimeve në Kadastrën e qytetit bregdetar ka zbarkuar njësia e anti-krimit ekonomik duke vendosur në hetim 23 punonjës, pasi akuzohen se kanë tjetërsuar pronën e një personi duke ia kaluar një tjetri përmes falsifikimit. Hipotekimi i pronës për të cilën kanë nisur hetimet është bërë kundër parashikimeve ligjore duke i kaluar një tjetri.
Pas denoncimit të rastit, anti-krimi ekonomik ka shkuar paraditen e sotme në ambientet e Kadastrës së Vlorës për të sekuestruar dokumentet në lidhje me hetimin që po bëhet. Kujtojmë që ditën e hënë drejtori i komanduar i Kadastrës Florian Almadhi dha dorëheqjen nga posti, ndërsa në vendin e tij u emërua Alteo Nazëraj. Ndërkohë që po të hënën u shkarkuan nga detyra n/ drejtori i Kadastrës, Klodian Troci dhe tre specialistë.
Troci u shpreh sot për Report Tv se ka dorëzuar çelësat dhe pret me shkrimin shkarkimin që i është komunikuar me gojë ditën e hënë. “Zyra është hapur, nuk kam bërë asnjë rezistencë. Shkarkimi më është thënë më gojë, të enjten pritet të vijë me shkrim, që prej të hënës kam lënë çelësat në sekretari dhe nuk kam shkuar më në punë” tha ai. Nuk dihet nëse lëvizjet në Kadastër kanë lidhje me hetimet që kanë nisur për tjetërsimin e pronave. /l.m