• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Friday, December 19, 2025
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Bota

Negociatat me BE-në, kryeministri i Maqedonisë së Veriut “pro” kompromisit nëse jep rezultat

by A M
27/10/2024 15:54
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski pret përgjigje nga Brukseli se si do të vijojnë negociatat me Bashkimin Evropian (BE) nëse miratohen ndryshimet kushtetuese dhe nëse do të vlejnë me zbatim të prolonguar.

Në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, ai thotë se nuk ka ndikim rus në vend, por se euroskepticizmin e nxit një pjesë e politikanëve bullgarë. Ai nuk pret ndryshim në politikën amerikane për Ballkanin edhe pas zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara, e as nuk favorizon ndonjërin nga dy kandidatët pavarësisht takimeve me Richard Grenellin.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka porositur qartë se i vetmi hap deri në fillimin e negociatave janë ndryshimet kushtetuese, për të cilat shteti tashmë ka rënë dakord. A morët një “jo” për ndryshimet kushtetuese me veprim të prolonguar?

Mendoj se duhet t’i japim kohë, kohës. Së pari, të shterim këtë hap e pastaj të flasim për hapat e ardhshëm.

Për cilin hap mendoni, ndryshimet kushtetuese me veprim të prolonguar?

Epo, po, diçka e ngjashme.

Këtë e lidhni edhe me zgjedhjet e së dielës në Bullgari?

Kjo është një çështje e brendshme e Bullgarisë. Mendoj se asgjë nuk është e përjetshme dhe se nëse ka vullnet, ka edhe mënyrë. Jam i bindur se diktati nuk është zgjidhje, se ultimatumi nuk është zgjidhje, se është e nevojshme të bisedohet, deri në momentin kur të arrihet një zgjidhje që, siç shpesh thonë bashkëbiseduesit, të jetë win-win, ku fitojnë edhe të dyja palët, unë kam mendim të kundërt që të jetë lose -lose, që të dyja palët të humbin diçka. Nuk është mirë nëse njëra palë humb gjithçka, ndërsa tjetra fiton. Ky nuk është kompromis. Fundja, i tillë ishte edhe i ashtuquajturi propozimi francez. Ne kërkojmë që Bashkimi Evropian t’i respektojë parimet e veta dhe vlerat e veta. Kaq.

Pra, prisni përgjigje nga Komisioni Evropian. Por, do të nevojitet edhe mbështetja nga Bullgaria.

Unë jam i gatshëm të bisedoj me këdo, jam i gatshëm të ulem, shprehimisht, me këdo që ka qëllim të mirë që të gjejmë zgjidhje për këtë problem, sepse qëllimi ynë është të jemi pjesë e familjes evropiane. Edhe pse jam i bindur se këtë kemi merituar shumë më herët, madje edhe para disa vendeve të tjera anëtare të BE-së. Fatkeqësisht, për shkak të padrejtësisë që iu shkaktua qytetarëve maqedonas dhe neve si shtet, ne sot ende nuk mund t’i fillojmë as negociatat. Kjo nuk është një garë në të cilën ju duhet vetëm të merrni pjesë. Tani jemi në një situatë që kur do të fillojmë garën duhet të dimë qartë se do ta përfundojmë atë garë. E jo që në ndonjërën nga pengesat e radhës të marrim në thua dhe përsëri do të duhen poshtërimi e kështu me radhë. Unë nuk jam një bashkëbisedues i tillë. Unë jam një bashkëbisedues që është i gatshëm për kompromis, por vetëm nëse ky kompromis nënkupton rezultat, përkatësisht një përfundim, në rastin tonë fundi do të nënkuptojë anëtarësimin e plotë në kuadrin e Bashkimit Evropian.

Sa më larg të jetë Maqedonia e Veriut nga Bashkimi Evropian, aq më shumë ka hapësirë për ndikime të tjera. Kemi një rritje të euroskepticizmit. Sa është ndikimi rus në këtë dhe në ngjarjet politike në vend?

Nuk do të thosha se kemi ndikim rus këtu. Nëse shohim historikisht, ne kurrë nuk kemi qenë si popull në prioritetet kryesore të diplomacisë ruse.

Por, Maqedonia e Veriut është në listën e vendeve armike të Rusisë.

Ne jemi pjesë e NATO-s, kemi politikën e përbashkët të jashtme dhe të mbrojtjes të Bashkimit Evropian, tërësisht jemi të harmonizuar dhe nuk ka ndryshim as edhe një milimetër nga kjo politikë dhe kjo është logjikshme. Unë më shumë do të thosha që ndikim kanë politikanë nga rajoni të cilët, në vend që ta shohin luftën, na kthejnë në mesjetë kur mbi tavolinë vendosin ultimatume dhe diktate. Dhe flasim për vlerat evropiane, flasim për të ardhmen. Ata kanë më shumë, do të thosha, ndikim këtu për të krijuar ndjenjën se jemi të tradhtuar nga vlerat evropiane.

Për cilët politikanë mendoni?

Për një pjesë të politikanëve bullgarë kohëve të fundit, sepse ju nuk mund të bisedoni për të ardhmen, nëse dikush vazhdimisht ju shtyn mbrapa drejt mesjetës, ndërsa unë do të dëshiroja të bisedoj për të ardhmen.

A lë kjo hapësirë për depërtimin e ideve, ndikimeve të tjera, investimeve të tjera, mbase nga Kina?

Kina është më pak e pranishme te ne në rajon. Unë do të thosha se Kina është më e pranishme në disa vende anëtare të Bashkimit Evropian sesa te ne. Dhe, vërtet jam seriozisht i habitur me tolerancën dhe lëshimet ndaj këtyre vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, sepse, fjala vjen, kompanitë kineze janë pronare të objekteve serioze, siç janë portet dhe të ngjashme, në vendet anëtare të BE-së, ndërtojnë infrastrukturë. Te ne, as ekonomikisht, as politikisht, nuk kanë ndonjë aktivitet, kështu që të kenë ndonjë ndikim të veçantë, që të bëjnë diçka këtu jashtë interesave strategjike dhe jashtë partnerëve strategjikë. A ekziston ndonjë opsion tjetër? Në këtë moment jo. Bashkimi Evropian është qëllimi ynë strategjik.

A ndryshon se kush do të jetë presidenti i ri amerikan?

Mendoj se strategjikisht cilido qoftë opsioni i zgjedhur si president i SHBA-së, do ta ketë Ballkanin në optikën e tij, kështu që këtu nuk shoh ndonjë ndryshim më dramatik se do të ndodhë ndaj Ballkanit.

Keni pasur takime me ish-të dërguarin e posaçëm të Trumpit, Richard Grenellin. A do të thotë kjo se në një farë mënyre favorizoni Trumpin?

Jo vetëm me Richard Grenellin, kam pasur takime edhe me Chris Pavlovskin, i cili është, të themi, shumë i afërt edhe në biznes, edhe privatisht, me të birin e presidentit Trump. Kam pasur gjithashtu takime edhe me Howard Lutnickun,i cili është shef, thënë kushtimisht, i ekipit tranzitor të Trumpit, zoti Munez ka qenë gjithashtu në Maqedoni [të Veriut], Robert Stefanovski, të themi, po ashtu, një njeri i afërt me familjen e presidentit Trump, por gjithashtu kam pasur shumë takime me njerëz që janë pjesë e strukturës së demokratëve dhe të afërt me nënpresidenten Kamala Harris, mirëpo kjo nuk do të thotë se favorizojmë njërin apo tjetrin.

Maqedonia e Veriut ka pagën mesatare më të ulët në Ballkan. Ka shkallën më të ulët të rritjes ekonomike. Si do t’i mbani të rinjtë në vendin me pagat më të ulëta?

Ne jemi qeveri prej katër muajsh. Ajo që trashëguam është kataklizmike. Dhe u përpoqëm ta sanojmë këtë kataklizëm brenda asaj që mundëm këto katër muaj. Treguesit e parë janë të mirë. Të themi, doli shifra për pagën mesatare në gusht, ajo është rritur për pothuajse 13 për qind neto krahasuar me vitin e kaluar, kemi rritje të pagës gjatë inflacionit të ulët. Me politikën tonë ia dolëm t’ua kthejmë vlerën atyre denarëve që i marrin si kompensim mujor në punë. A jemi më të dobëtit? Nuk jemi, ka shtete më të dobëta në rajon se ne për sa i përket pagës mesatare, por ajo që është e rëndësishme është të krahasohet indeksi Gini dhe të krahasohen të njëjtat produkte në shtete të ndryshme në kushte të njëjta. Kjo do të thotë se nuk do të mbështetemi në konsum, por do të mbështetemi në investime.

Kur jemi tek investime kapitale, ministri Aleksandar Nikollovski thotë se nuk do të ndërtohet hekurudha drejt Bullgarisë, tjetri ministër, Orhan Murtezani thotë se do të ndërtohet?

As njëri, as tjetri nuk ka thënë kështu. Hekurudha, korridori VIII, por edhe hekurudha e shpejtë e korridorit X, janë interesi ynë strategjik. Nuk ka prioritet më të madh për ne sesa të realizojmë interesin tonë strategjik. Kjo do të thotë që ne si shtet, natyrshëm, jemi kryqëzim i këtyre dy korridoreve VIII dhe X. Për dallim nga korridori X, për të cilin kemi rrugë të qartë, plan të qartë, zotim të qartë nga të gjitha shtetet, për korridorin VIII nuk kemi parë një gjë të tillë nga ana e Bullgarisë. Dhe kemi një pamje të paqartë se deri ku ka arritur hekurudha në Shqipëri. Tani, ekziston dialog i nivelit të lartë në Bruksel, i cili pati sesionin e parë, ai përfundoi, tani në fund të muajit duhet të jetë në Sofje dhe pres në Shkup që kjo përfundimisht të finalizohet.

Opozita ju akuzon se keni vendosur kuadër partiak në Agjencinë e Sigurisë Kombëtare.

Nëse mendoni për drejtorin e ri Bojan Hristovski, po, ai ishte pjesë e strukturës së VMRO-së, por në të kaluarën, sepse ishte pjesë e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Ai është i depolitizuar, i apolitik plotësisht, i tillë është ligji. Ai si kuadër në Agjencinë për Siguri Kombëtare vjen nga kabineti i Ministrit të Punëve të Brendshme. A njihemi? Po. A duhet të bashkëpunoj me njerëz që i njoh? Po. Sepse, ja, u përpoqëm me njerëz që nuk i njihnim, që i trashëguam, nuk pati rezultate. Unë u zgjodha kryetar i Qeverisë dhe për dy, dy muaj e gjysmë nuk mora kurrfarë raportesh nga drejtori i atëhershëm i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare. Tani, është e logjikshme të punoj me njerëz të cilët i njoh dhe të cilëve u besoj, dhe nuk shoh ndonjë gjë të palogjikshme këtu. E tani, nëse ata janë të frikësuar se treguesit, edhe nga atje, edhe nga Agjencia e Inteligjencës, janë shumë serioze, prandaj nuk do të flisja publikisht, por do t’ua lë organeve ta bëjnë punën e tyre. Që këto dy agjenci në të kaluarën kanë qenë fortesa, nga ku janë shënjestruar qartë individë të opozitës, në vend se të merren me sigurinë e shtetit, kjo është një çështje tjetër. Dhe duhet të jenë të frikësuar sepse informacionet fillestare që kam marrë janë tronditëse. Për abuzime të rënda në drejtim të punës kundër interesave shtetërore, spiunim i opozitës me të dhëna të falsifikuara dhe të fabrikuara, ndjekje të përfaqësuesve të opozitës. Kjo është diçka që do të jetë një skandal i madh dhe prandaj nuk do të doja në këtë moment të flas për detaje, t’i lëmë që, po them përsëri, kohë-kohës.

Kur është fjala për Këshillin Gjyqësor, a keni përfundimisht një propozim për reformimin e këtij organi kyç të gjyqësorit?

Kam pritur propozime dhe nuk kam marrë dhe tani po e bëj vetë detyrën time, sepse tashmë është kataklizmatike. Kam filluar të komunikoj me ekspertë ndërkombëtarë evropianë, të konsultohem me disa prej tyre, tashmë të shtunën kam një takim të dakorduar dhe ata do të vijnë te ne dhe do të diskutojmë për këtë temë, sepse qytetarët maqedonas qartazi janë të pakënaqur se si funksionojnë edhe prokurorët. Do të bisedojnë edhe me mua, me ministrin e Drejtësisë, si dhe me subjektet e tjera përkatëse, kështu që do të shohim. Shumë shpejt do të kemi një zgjidhje./REL

Next Post
Ndahet nga jeta në moshën 88-vjeçare legjenda e futbollit vlonjat Skënder Brahimaj

Ndahet nga jeta në moshën 88-vjeçare legjenda e futbollit vlonjat Skënder Brahimaj

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Listat e kandidatëve/ Minxhozi: Zgjedhjet janë edhe një lloj ‘vettingu’, s’janë thjesht akt i hedhjes së votës

Provat e Metës për 21 janarin dhe një nerv i zbuluar që s’e përmend askush

December 18, 2025
Fëmijët tanë nuk lindin me thikë në dorë

Një letër “nga brenda shtëpisë” (dhe çfarë do bëjë SPAK nëse Kuvendi bëhet Gjykatë)

December 18, 2025
I ftohti Siberian në fundvit, ciklon para Krishtlindjes! Meteorologia: Ja ç’do ndodhë në Shqipëri

I ftohti Siberian në fundvit, ciklon para Krishtlindjes! Meteorologia: Ja ç’do ndodhë në Shqipëri

December 18, 2025
Operacion kundër korrupsionit, arrestohet një ish-ministër dhe disa zyrtarë të lartë në Kosovë

Operacion kundër korrupsionit, arrestohet një ish-ministër dhe disa zyrtarë të lartë në Kosovë

December 18, 2025
Ankimimi në GJK për pezullimin e Ballukut/ Rama: S’dua t’i hyj dokrrave për ‘’pse-në’’ e kësaj beteje ligjore! Duhet të jesh krejt i verbuar nga..

A ke menduar të ikësh? Rama përgjigjet troç: Ja kush është misioni im

December 18, 2025
“Sëmundja e djalit”, Edi Rama tregon momentin më të vështirë

“Sëmundja e djalit”, Edi Rama tregon momentin më të vështirë

December 18, 2025
“U bëra burrë i martuar 24 karat”, Rama rrëfehet për Lindën: Më dha atë që më mungonte!

“U bëra burrë i martuar 24 karat”, Rama rrëfehet për Lindën: Më dha atë që më mungonte!

December 18, 2025
Berisha fton Ramën në debat dhe u bën mediave skenarin: Vendosni dy karrige dhe pastaj…

“Mishëron rrezatimin negativ”, Rama për Berishën: Komunisti ultrafanatik u kthye në konservator

December 18, 2025
1640593911_basharama1

Marrëveshja e 17 Majit, Rama zbulon për herë të parë: Bashën e mora në Elbasan! Berisha e bekoi 100%

December 18, 2025
Rama flet për refleksionet e tij në ‘90: Kur përmenda emrin e Enver Hoxhës, si seancë ekzorcizmi

Rama flet për refleksionet e tij në ‘90: Kur përmenda emrin e Enver Hoxhës, si seancë ekzorcizmi

December 18, 2025
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In