Ditën e sotme, Kryeministri Rama zhvilloi një vizitë diplomatike në Poloni, ku ishte i pranishëm në punimet e forumit Polako-Shqiptar të Biznesit.
Vëmendja e përbashkët e mediave u përqendrua në konferencën e përbashkët të Kryeministrit Rama, me homologen e tij Beata Swydlo.
Në fjalën e saj, Swydlo theksoi se Polonia është e impresionuar nga reformat e ndërmarra, ndërsa garantoi se Varshava zyrtare do të jetë një “zë i vendosur në BE për zgjerimin e mëtejshëm të Unionit”.
“Kam shpresën se Komisioni Europian do të njohë progresin e bërë nga Shqipëria, duke përcaktuar një datë të qartë të fillimit të negociatave në 2018”, tha Swydlo, e cila shprehu gatishmërinë e vendit të saj për të ndarë përvojën e fituar në procesin polak të integrimit.
Gjithashtu, Kryeministrja Polake tha se “reforma e ndërmarrë në fushën e drejtësisë rrit potencialin e investimeve polake në Shqipëri, veçanërisht në sektorë me interes si turizmi”.
Ky takim në Varshavë vjen në vijim të vizitës dy-ditore në Bruksel, ku Rama u takua me krerët më të lartë të BE-së, përfshirë Presidentin Tusk, kryetarin e Komisionit Europian, Juncker, kryetarin e Kuvendit, Tajani dhe kryediplomaten Mogherini.
Në këto takime, të gjithë funksionarët europianë shprehën mbështetjen e tyre për hapjen e negociatave të anëtarësimit brenda muajit qershor të vitit të ardhshëm.
Megjithatë, në mënyrë që të nisin negociatat, që përbëjnë fazën përmbyllëse të procesit integrues, opinionin pozitiv të Komisionit duhet ta mbështesin të gjithë kryetarët e shteteve të 28 vendeve të Unionit./a.m.