Kryetarja e komisionit të Integrimit, Majlinda Bregu thekson se zbatimi i besueshëm dhe me rezultate konkrete i reformës në drejtësi është kushti kryesor për çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
E ftuar në Orën e Intervistës në Ora News, Bregu theksoi se zbatimi i kësaj reforme është më i vështiri. Ajo deklaroi se negociatat do të zgjasin shumë më shumë se sa një parti politike është pushtet.
Deputetja e Partisë Demokratike theksoi se reforma në drejtësi shkund dhe si e tillë krijon panik, pasi sipas saj prek figura.
Bregu: Nuk ka asnjë surprizë për sa i përket as që ka thënë Komisioni Evropian për sa i përket pjesës së kushtëzimit për datën zyrtare të çeljeve të negociatave për anëtarësim. E kishim të qartë nga shtatori i këtij viti se procesi do të kishte një kushtëzim me reformën në drejtësi dhe duke kërkuar zbatim të besueshëm dhe rezultate konkrete të saj.
Miratimi i një reforme shumë të madhe dhe të rëndësishme, për të cilën dhanë kontribut e gjithë klasa politike. Është një reformë e cila nuk do të kishte kaluar kurrë në rast se nuk do të kishte një vendim të përbashkët dhe votë unanime në Parlament.
Ka nevojë për t’u zbatuar. Reforma në drejtësi është reforma më e vështirë sepse lidhet me procesin e përzgjedhjes dhe kontrollit të gjyqtarëve dhe të prokurorëve për t’ju dhënë atyre që të jenë një trup e pavarur dhe të jenë të lirë për të dhënë drejtësi dhe vendime të drejta për qytetarët. Nuk do të ishte një reformë e lehtë, as vota e korrikut dhe as zbatimi më pas. Fakti që Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë përfshirë direkt, janë ata që presin rezultate konkrete. Mbas këtij lajmi, tashmë duhet të fillojë pala shqiptare. Një zile ka rënë dhe nuk dimë kur do të hapet dera.
Bregu theksoi se Shqipëria duhet të ishte e qartë se çfarë strategjie duhet të ndiqte. Ajo solli rastin e Kroacisë, duke theksuar se ky shtet miratoi strategjinë ekonomike 1 vit përpara çeljes së negociatave.
Bregu: Procesi i negociatave do të jetë shumë më i gjatë se mandati i një qeverie, qoftë edhe 4 vjeçari i një qeverie që do të jetë nesër. Ka nevojë për një vizion më afatgjatë, ndaj të gjithë aktorët duhet të jenë bashkë. Deri më sot nuk kam parë asgjë të shkruar. Deri sot nuk kemi asnjë material të shkruar. Ndaj them që jemi vonë, kurdo që të jetë data qoftë edhe pas zgjedhjeve të 2017-s do të jetë një kohë shumë e shkurtër.
E pyetur nëse rekomandimi për çeljen e negociatave ishte rezultat i reformave të qeverisë, Bregu tha se ky nuk është sukses i asnjë qeverie por i shqiptarëve.
Bregu: Kjo nuk është arritje vetëm e qeverisë. Qeveria në këtë proces duhet të mbaj koston e reformave të kryera dhe të reformave të pakryera, të cilat fatkeqësisht nuk do të vijë duke u zvogëluar. Nëse nuk ka progres mund të bllokohet.
Kjo për sa i përket pjesës së qeverisë. Kjo është një rrugë që nuk e ka vendosur as qeveria e sotme dhe as qeveria e djeshme. Kjo është një rrugë që e kanë vendosur shqiptarët dhe ëndrra e tyre: Duam Shqipërinë si gjithë Evropa. Pavarësisht se çfarë ndodh me BE-në, pavarësisht se zgjerimi vazhdon të mbetet pjesë e politikës së jashtme të BE-së, por jo në fokus të saj, sepse problemet e kanë ndrydhur në vetvete.
Por nga ana tjetër, edhe mungesa e lidershipit politik. Ne nuk jetojmë në kohë sot kur ka lider politik, ne jetojmë në kohë kur ka figura të cilët kanë një popullaritet të caktuar dhe marrin përsipër të bëjnë një funksion politik. Pavarësisht se çfarë ndodh në BE, ne na intereson të ketë ato standarde të aplikohen në Shqipëri dhe i gjen kur shkon në Itali, në Francë, në Gjermani. Pavarësisht se ç’ndodh mbas 10 vjetësh në BE, është me 27 vende, kthehet prapë Britania e Madhe, apo largohet ndonjë vend tjetër, interesi ynë është; për sa kohë ky është modeli që është shumë më i mirë se i Shqipërisë, kjo nuk është kohë e humbur. Ky është një proces që në fund të ditës përfitojnë shqiptarët.
Bregu theksoi se duhet të pritet data 15 dhjetor për të kuptuar nëse do të ketë datë.
Bregu: Ne do të presim çfarë do të vendosin vendet anëtare. A do të ketë një qëndrim për të kaluar dhe për të marrë parasysh rekomandimin e komisionit dhe do të caktohet një datë për çeljen e negociatave? A do të ketë një kusht tjetër që lidhet me zgjedhjet e 2017-s? Që është logjik që edhe mund të ndodhi pasi zgjedhjet janë 6 muaj larg.
Bregu theksoi se dekriminalizimi dhe droga nuk janë vënë kusht, ndërsa shtoi se dekriminalizimi dhe zgjedhjet janë kritere politike që duhet të monitorohen me kujdes.
Bregu: Edhe dekriminalizimi, edhe pjesa e standardit të zgjedhjeve si një nga detyrimet kryesore që janë brenda paketës së standardit politik, duhet të monitorohet me kujdes. U them që duhet monitoruar me shumë kujdes edhe pjesa ekonomike, sepse parametrat ekonomik e bëjnë të mundur thithjen e investimeve të huaja, që lidhet me reformën në drejtësi.
A ka ndikuar ankimimi i Partisë Demokratike në Gjykatën Kushtetuese të ligjit të Vettingut?
Bregu: Në parim nuk ka asnjë gjë të gabuar. Ajo që do të ishte e papranueshme do të ishte ndërhyrja në këtë moment deri në vendimin që do të japë Komisioni i Venecias pastaj për t’ia përcjellë Gjykatës Kushtetuese. Në të gjitha vendet e tjera që e kanë kaluar këtë proces, reforma në drejtësi është e frikshme sepse shkund. Duke qenë se shkund sistemin….. Mund të mos jetë formula më e mirë.
Unë nuk them se ndryshimet kushtetuese do ta bëjnë Shqipërinë parajsë. E para teston maturinë politike dhe e dyta shkund sistemin dhe kur bëhet fjalë për sisteme që kanë ardhur duke u dobësuar ose kanë ngelur në vend, atëherë sigurisht që nuk mirëpritet sepse preken persona, preken figura, por është nga ato të këqija që nuk vijnë për të keqe.