Nga Leonard Veizi
Zoti mos na lëntë pa krime të vogla, nga ato që quhen rëndom si “motive të dobëta” apo më bukur akoma, “krime pasioni”.
Por dhe nëse Zoti harron a s’e ka mendjen këndej nga anahija jonë, jemi ne që kujdesemi që çdo ditë të Zotit të hedhin në tryezën e thashethemeve histori të nxehta pasionante që përfundojnë me nga një plumb bythëve.
-E more vesh, e qëlluan me një breshëri djalin e xhajës së tezes së dajës…
-Të kujt mor aman.
Tjetri hap menjëherë celularin te lajmet në përditësim.
-Po ja fut kot më duket, se asnjë portal nuk ka shkrujt.
-Ohu, sa të kujtohen gazetarët… Lajmi më parë kalon nga ne.
Dhe këtu është starti. Finishit nuk i duket fundi. Maratonë me pengesa. 42 kilometra jo shaka.
-Kur bëhet varrimi?
-Jo mor se një plumb në vend të keq mori, nuk u bë hataja. Shnet ka me ju ba.
Dhe fill pasi për viktimën thuhet se “u shtrua me urgjencë në spital por është jashtë rrezikut për jetën”, plas ahengu. I zbardhet biografia. Nga xhaxhai partizan i Brigadës së Parë Sulmuese tek daja si eksponent i Ballit Kombëtar.
-E kishte mbush kupën me thon t’drejtën.
Shqiptarët kanë një talent të veçantë, një dhunti që nuk kërkon shkollim apo diplomë të kategorisë së dytë… domethënë baçelor: thashethemet dhe komentet toksike. Ndonjëherë duket sikur secili shqiptar ka në dorë një telekomandë që kontrollon jetën e tjetrit. Ore dinë gjithçka po u them. Ose më keq akoma, nuk dinë asgjë dhe ia fusin kot.
-Shpif-shpif, se diçka do të mbetet, – thoshte gjakatari Makiavel. Dhe kjo është një batutë e huazuar nga teatri me nam “Natë me hënë”.
Ndërsa thashethemet rriten, shpesh shqiptarët harrojnë se janë pjesë e një zinxhiri ku të gjithë janë viktima të këtij fenomeni. Janë të paktë ata që i shpëtojnë vrullit të thashethemit. Edhe nëse dikush përpiqet të jetë i drejtë e i ndershëm, nuk do të vonojë çasti kur do të gjendet në gojën e të tjerëve.
Ironikisht, në këtë shoqëri të ndjeshme ndaj moralit të tjetrit, shpesh harrohet se një fjalë e thënë gabim mund të jetë po aq e dhunshme sa një akt fizik. Por, ndërkohë që thashethemet vazhdojnë të shfrenohen, ndoshta një ditë dikush do të guxojë të thotë: “Ndoshta, në vend që të gjykojmë, duhet të shohim më mirë përse ndodhin këto gjëra dhe të përpiqemi të ndryshojmë diçka.” Por deri atëherë, loja e thashethemeve do të vazhdojë, ndërsa fajësimi i viktimës do të mbetet si një sport kombëtar. Mungon vetëm ceremonia e dhënies së kupës.
-Puna asht me punu tokën tande se e huja e ka një pronar.
Këtu të qajmë piten ne. Të japim mend sa për 4 Kuvende me burra zakoni.
-Zoti vono por nuk harro.
Ç’e ngatërroni Zotin me dashnoret kolektive mor aman.
Komentet toksike për ne shqiptarët – ashtu si dhe për shumë vende të tjera të botës, nuk jemi vetëm, – janë një sport kombëtar, një maratonë pa fund ku fitues nuk ka, vetëm lodhje hidhërim dhe shfryrje negativiteti. Dhe asnjëri prej tyre nuk sheh punën e vet. Por të tjetrit i di mirë. Ia di të gjitha vrimat e shtëpisë. Dhe po nuk ia diti, i merr me mend. Aq janë mo, 1+1, 60 metra katrorë kanë shumica.
Kur ndodh një krim në Shqipëri, sidomos kur viktima është femër, skenari i njohur i thashethemeve shfaqet menjëherë. Njerëzit mbledhin informacione si të ishin detektivë, dhe gjithçka fillon të rrotullohet rreth një fjalie të zakonshme: “Mirë ia bënë, vetë e ka fajin.” Dhe kjo më kujton dhe një batutë nga drama “Natë me hënë” mbështetur mbi novelën e Kadaresë kur Nora i hakërrehej Gazmendit:
-Epo doemos, e ke dashnore, do e mbrosh! Ta kishte qejfi ty pa ta drodhi dhe ajo.
Në vend që të ngrihet zëri kundër padrejtësive apo dhunës, ngritjes së çmimeve, por dhe plot problemeve të tjera sociale që lidhen drejtpërdrejt me shëndetin dhe mirëqenien tonë fokusi zhvendoset te një viktimë për “krim pasioni”.
Ky skenar bëhet edhe më i goditës kur mendohet se këto komente nuk vijnë vetëm nga burrat, por shpesh edhe nga gratë. Në vend që të ketë solidaritet midis tyre, gratë bëhen shpesh gjykatëset më të ashpra të njëra-tjetrës. Kështu, krimi merr një trajtë tjetër: krimi i fjalës dhe i gjykimit shoqëror.
Kur një krim përfshin një burrë, shqiptarët nuk mjaftohen vetëm me gjykimin e situatës aktuale. Jo, ata shkojnë edhe më thellë, duke kërkuar themelet e fshehta të historisë. Dhe çfarë gjejnë? Sigurisht, dashnore të fshehura, lidhje jashtëmartesore dhe një varg të gjatë ndodhish të fshehta që, sipas tyre, vetëm sa priten të dalin në dritë.
-Prit, prit, s’keni parë gjë akoma. Sa ka zanati.
Në këtë rast, imagjinata nuk njeh kufi. Një grua që përballet me një situatë tragjike bëhet menjëherë personazhi kryesor i një drame të improvizuar, ku çdo detaj i jetës së saj merret në shqyrtim si të ishte provë në një gjyq publik. Kështu, historia e saj personale shndërrohet në një telenovelë popullore, ku çdo shqiptar ndihet si skenarist, regjisor dhe aktor njëherësh.
Është ajo puna e ëndrrave në sirtar. Epo, diku do ta shprehësh talentin.
E në fund të ditës, ndërsa të gjithë këto “fakte” të reja dalin në sipërfaqe, shqiptarët mbeten të kënaqur me versionin e tyre të ngjarjes. Një version që nuk kërkon ndonjë investigim të thellë, vetëm pak kreativitet dhe një dozë të mirë paragjykimi.
-E thashë unë… Ta kam thënë apo jo? Ja kështu do të përfundonte.
Largpamës deri në pambarimësi.
E si përfundim mund të themi se shqiptarët do të vazhdojnë të bëjnë atë që dinë aq mirë ta bëjnë: të thurin fjalë pas krahëve, ndërsa realiteti përtej ekranit vazhdon të jetë i njëjtë. Sepse, në fund të fundit, çdo gjë është më e thjeshtë kur është fjala për të tjerët dhe jo për veten.
….shkrim shume i gjate; duket autori ka dashur qe sa me shpejt te shkonte ne plazh !