Ndezja e ndriçuesve të Pulias – ose siç njihen ndryshe ‘le luminarie di Puglia’ – dje në mesnatë, në pedonalen e Kalasë së Tiranës, shënoi fillimin e “Javës së Kulturës Italiane”, me 54 evente kulturore, artistike dhe sociale. Në shoqërinë e ambasadorit të Italisë, Fabrizio Bucci dhe ministres së Kulturës, Elva Margariti, Kryebashkiaku Erion Veliaj vlerësoi miqësinë mes dy popujve dhe premtoi se Java e Kulturës Italiane do të jetë një javë për të mos u humbur në Tiranë.
“Kryqëzimi i madh i Bulevardit me rrugën “Myslym Shyri” ka prodhuar këtë rrugicë, të cilës në zhargonin ditor ne i referohemi si “pedonale”, tregon se sa të lidhur jemi me Italinë dhe kulturën italiane. Në këto 30 vite ne jemi afruar shumë me fqinjin tonë. Italia na ka mësuar gjërat e bukura, duke nisur nga moda, muzika, mënyra se si bëjmë televizion, art apo kulturë. Ndaj, më vjen mirë që e nisim Javën e Kulturës Italiane me një instalacion kaq mbresëlënës dritash. Patjetër që është si një portë hyrëse në pedonalen e memories mes Shqipërisë dhe Italisë, por veç kësaj është edhe një urë. Porta është një bashkim i dy kanateve dhe më vjen mirë se nga njëra anë është Tirana, nga ana tjetër, në këmbën e Italisë, ndodhet Puglia. Java italiane është një mundësi fantastike me 54 aktivitete dhe ndezja e këtyre dritave është vetëm aktiviteti i parë’, tha Veliaj.
Sipas tij, aktivitetet e shumta me fqinjët italianë do të kulmojnë me koncertin e këngëtarit të njohur, Albano Carrisi në Amfiteatrin e Tiranës. “Do të ketë aktivitete për çdo moshë, edhe për fëmijët në Teatrin e Kukullave, edhe për moshat e rritura me ‘Verdi Off’. Do të ketë edhe aktivitete për të apasionuarit pas arkitekturës, por edhe për ushqimin me festën e madhe të picës. Prandaj, dilni nga shtëpia, lini makinat, merrni fëmijët dhe familjen, dhe bashkojuni këtyre aktiviteteve fantastike. Mezi presim ta gëzojmë si një miqësi, si një festë, si një dashuri e madhe si ajo mes Shqipërisë dhe Italisë!”, shtoi Veliaj.
Ambasadori italian në Tiranë, Fabrizio Bucci deklaroi se këto aktivitete të përbashkëta kulturore janë dëshmi e afërsisë mes dy popujve. “Presim një vit fantastik për Tiranën dhe për Italinë në Shqipëri. Tirana është Kryeqyteti Europian i Rinisë. Disa ditë më parë ishte një festë e bukur, Kupa e Conference League, dhe finalja e mbajtur këtu, ku ndoqëm fitoren e skuadrës italiane. Pra, jetët tona mbushen me simbole. Na presin 7 ditë plot me aktivitete”, tha ai.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti shprehu bindjen se ky është vetëm fillimi i një rrugëtimi të ri bashkëpunimi. “Këto javë do të mbajnë një simbolikë për një kohë shumë të gjatë në kujtesën tonë, por mbi të gjitha shpresoj në lidhjen e miqësisë që do të vazhdojë për më shumë vite. Këtu jemi pikërisht për të nisur një rrugëtim të ri, jo vetëm për të falënderuar për atë çfarë kemi pasur në qindra vjet miqësi, por për më tepër për të treguar çfarë mund të bëjmë akoma më tepër së bashku”, tha ministrja Margariti.
Aktivitetet mes Puglias dhe Tiranës përfshijnë koncerte muzikore, shfaqje me balet modern, kulinari, si dhe projekte zhvillimore me fokus tek fuqizimi ekonomik dhe profesional i të rinjve shqiptar./m.j