Në sitë transferimet jashtë të fitimeve
Qeveria nuk po arrin të vendosë kontroll mbi transferimin jashtë të fitimeve nga kompanitë e huaja dhe bankat. Duke dashur të rritë transparencën e bilanceve mbi transaksionet, Financat do të vendosin në një kapitull më vete në projektligjin që u është shpërndarë grupeve të interesit, rregullat për transferimin e çmimit nga kompanitë me kapital të huaj që kanë aktivitet në Shqipëri.
Kjo nxjerr në pah shqetësimin e administratës tatimore për mbledhjen e këtyre të ardhurave. Në shtatëmujorin janar – korrik 2015, tatimorët kanë arritur të mbledhin vetëm 31.8 për qind të planit vjetor për zërin e tatimit mbi të ardhurat personale. Projektligji që pritet të miratohet si pjesë e Paketës Fiskale 2016, përmban dispozita kundër shmangies së taksave nga këto subjekte, të cilat nuk janë në ligjin aktual.
Draftligji përmban disa dispozita kundër shmangies së taksave, të cilat e autorizojnë administratën tatimore të mos marrë parasysh një marrëveshje (transaksion, kontratë, ngjarje etj.) në vlerësimin e fitimit të tatueshëm të tatimpaguesit, nëse asaj marrëveshjeje i mungon thelbi ekonomik dhe nëse ajo ndërmerret për qëllimin kryesor të marrjes së një përfitimi tatimor.
Problemi i bilanceve false është artikuluar në deklaratat e fundit edhe nga Kryeministri Rama. Problemet kryesore që lidhen me transferimin e çmimit në vendin tonë janë rritja e shpenzimeve, duke i transferuar nga shoqëria e lidhur në shoqëri që operon në Shqipëri, duke sjellë rënie të tatimfitimit dhe mosdeklarim korrekt të çmimit të shitjes, të cilat i transferohen nëpërmjet eksportit shoqërisë së lidhur jashtë Shqipërisë, duke ulur në këtë mënyrë tatimin mbi fitimin dhe tatimet e tjera mbi të ardhurat.
Me ndryshimet e bëra, për çdo transaksion midis dy kompanive, që do të konsiderohen subjekte të lidhura me njëra-tjetrën qofshin këto “nënë”, “bijë”, degë apo “motra”, do të ushtrohet kontroll tatimor. Me ndryshimet e ligjit synohet të përfshihen të gjitha llojet e transaksioneve që mund të ndikojnë fitimin e tatueshëm të një tatimpaguesi, duke përfshirë: mallrat, lëndën e parë, shërbimet, të drejtat e autorit, licencat, patentat, markat tregtare, qiratë, interesat, pagesat e garancive, blerjet ose shitjet e aksioneve apo investimeve të tjera.
Transferimi i çmimit, ndër të tjera, ka të bëjë me zbatimin e marrëveshjeve të shmangies së taksimit të dyfishtë sipas modelit të OKB-së, ku bazohen të gjitha marrëveshjet e lidhura nga vendi ynë dhe të gjitha vendet e tjera me të cilat ndërmerren transaksione të ndryshme.









