Nje nga personat e vene sot ne shenjestren e OFL-se, eshte Genc Ferhati, i denuar nga Gjykata për vrasjen e Denis Ginës dhe Median Shehut, në vitin 1999 në Tiranë dhe me pas, i vene ne akuze per gjobevenie ndaj nje biznesmeni kafeje.
Ne vitin 2015, ai u vu ne akuze se i kishte vene gjobe biznesmentit, permes Skype nga burgu, duke e kercenuar se do te punonte me ta deri sa të vdiste.
GJOBA ME SKYPE NGA BURGU
Në kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për masat e sigurisë në Gjykatë ndaj 7 të akuzuarve sqarohet në detaje komunikimi përmes Skype, i të dënuarit Genc Ferhati me biznesmenin e kafes. Kjo gjë ka ndodhur në apartamentin te “Kodra e Diellit”, pasi biznesmeni ishte kërcënuar me armë në kokë dhe aty kishte shkuar Pajtim Serjani.
“Pajtimi është larguar, ndërsa personi i maskuar ka tentuar disa herë të lidhet në Skype me një person dhe pasi ka arritur të lidhet i ka thëne kallëzuesit të fliste me personin në anën tjetër të telefonatës, i cili ishte Genci. Kallëzuesi ka menduar se bëhej fjalë për shtetasin Genc Ferhati, i cili është duke vuajtur dënimin në burg dhe njëkohësisht është vëllai i shtetasit Elvis Karoli”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.
Pajtim Serjani
BISEDA
Sipas akuzës, në momentin që biznesmeni i kafes ka folur me Gencin, ky i fundit i ka thënë hera e parë dhe e fundit që të flas.
“Për firmën e kafes që ke, 40 për qind do t’i mbash ti, 30 për qind “Kinezi” dhe 30 për qind do t’i mbaj unë me vëllain tim. Nesër do të marrim në telefon rreth orës 09.00-09.30 dhe do shkojmë te noteri dhe do punosh për ne deri sa të vdesësh. Unë nuk do të flas më. A më kuptove?”.
Biznesmeni i është përgjigjur “Po” dhe më pas personat e tjerë kanë filluar të largohen, duke e lënë vetëm kallëzuesin, i cili më pas është larguar në banesë ku ka ndërruar rrobat. Sipas Prokurorisë, nga hetimi rezulton se shtetasi J.B. telefononohet herë pas here nga Pajtim Serjani, i cili bisedon për llogari të Genci Ferhatit dhe i kërkon që të takohen. Është i dëmtuari ai që i shtyn takimet, duke u thënë se ka punë.
“Panorama” shkruante dje se bëhet fjalë për një shumë prej 13 mijë eurosh, që Pajtim Serjani, Ditmar Reçi dhe 4 personat e tjerë i kishin kërkuar biznesmenit të kafes, duke e kërcënuar me jetë. Burimet thanë se nuk mund të bëhet i ditur emri i të dëmtuarit, pasi në momentin e denoncimit ai ka kërkuar që të mbetet anonim. Denoncimi i tij është provuar gjatë hetimeve që ka kryer Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Policia e Kryeqytetit.
Ashtu siç është provuar edhe një lloj “kontrate” që të arrestuarit e detyronin biznesmenin të nënshkruante me ta, edhe pse pa laps e letër, që e detyronte atë të paguante tek autorët 10 për qind të xhiros vjetore, në këmbim të jetës së tij e të familjarëve.
INTERVISTA
Pak pas akuzave, në një intervistë per “Panorama” nga burgu i Peqinit, i denuar per vrasje, Genc Ferhati hodhi poshtë akuzat e Prokurorisë dhe Policisë për gjobëvënie ndaj një biznesmeni kafeje me aktivitet në Tiranë.
Ndonëse Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi një masë sigurie të re “arrest me burg” ndaj të dënuarit prej 16 vjetësh, për gjobëvënie në bashkëpunim me disa persona të tjerë, Ferhati thotë se nuk ka bashkëpunuar me asnjërin nga shtetasit që akuzohen në këtë çështje.
Gjatë intervistës, i dënuari që mbahet në burgun e Peqinit, thotë se ka kërkuar nga biznesmeni i kafes detyrimet që ai kishte ndaj babait të tij, Shpëtim Ferhati, që ishte aksioner në atë biznes dhe kishte investuar me dokumente noteriale. Genc Ferhati thotë se nuk ka folur asnjëherë në telefon me Pajtim Serjanin, personin tjetër të akuzuar nga Prokuroria për gjobëvënien ndaj biznesmenit të kafes.
Cili është pozicioni juaj në ngjarjen e gjobëvënies që ju akuzon Prokuroria?
Prokuroria dhe Drejtoria e Krimeve të Rënda dhe gjyqtarët nuk kanë ditur gjë hiç, derisa kanë pasur kontakt me mua ditën e masës së arrestit, prandaj kam lëvizur nga këtu që shkova atje. Nuk kanë ditur fare që babai im është aksioner i “Enti 08” prej tre vjetësh. Ai është aksioner qysh këtu e tre vjet. Nuk kanë ditur që shuma 12 e 600 eurove, plus 3 mijë dollarë, është dhënë me noteri më mbrapa pas një viti, pra, përveç aksioneve 13 mijë euro.
Me deklaratë noteriale?
Normale, notere është vjehrra e Julindit. Prej dy vitesh Julindi ka qenë shumë korrekt me babain tim, duke qenë edhe vëllai në mes dhe një djalë tjetër, shok i Julindit.
Si kanë hyrë në biznes?
Prezantimin me Julindin e ka bërë kushëriri, që e kishte mik prej kohësh, dhe një person i tretë që quhet Eljon, mbiemri nuk më kujtohet, i cili shkon mirë me Julindin dhe familjen e tij. Një ish-ortak dëshironte të ikte nga kompania “Enti 08”, dhe Julindi i kërkon kusheririt dhe Eljonit në muhabet e sipër që më gjeni, nëse dëshironi të vini ju, mirësetëvini, që ta mbajmë kafe “Kanerinon”. Kafe “Portioli” ka një vit që ka hyrë. U thotë nëse doni të vini të blini aksionet e aksionerit që do të largohet. Vetë ai u ka kërkuar ndihmë të dyve këtyre, që ka hyrje-dalje me të. Ai u thotë se aksioneri me emrin Edison do të largohet dhe unë nuk kam vlerë që t’ia blej aksionet. U thotë më gjeni dikë që të hyjë aksioner. Ata i sugjerojnë babain tim, duke i thënë se kemi një familje që shkojmë mirë. Këta takohen së bashku dhe bien dakord që të blihen aksionet e Edisonit, mbiemrin e këtij personi nuk e mbaj mend.
Çfarë ka ndodhur më tej?
Mbasi babai ka bërë këtë lëvizje me dëshmitarë, me noter e të gjitha, ka qenë edhe vëllai. Unë i kam thënë babait bjere Julindin ta takoj nga afër, meqë qenka djalë i lagjes. Ai ka qenë i vogël dhe unë nuk e mbaja mend fare. Babai para dy vjetësh e ka sjellë këtu, është emri i tij, data dhe ora e hyrjes. Ka ardhur i shoqëruar nga babai dhe vëllai im. Kam bërë prezantimin, më pëlqeu si djalë, ishte i përgatitur dhe inteligjent. Julindi është nga të fundit që ka hyrë te kafe “Kanerino”, sepse kanë qenë aksionerë të tjerë që janë larguar. Gjatë dy vitesh, Julindi ka qenë sinqerisht me të vërtetë një ortak korrekt dhe shumë i mirë. Në fillim kemi punuar me 70-72 lokale në Tiranë, Shijak, Durrës etj. Më mbrapa ka rënë xhiroja me 45-46 lokale. Para rreth një viti, Julindi na ofron një opsion tjetër për kafe “Portioli”. Kam një informacion, një përkrahje për një kafe të re, ndodhet në Itali, me pronar Mateo, me sa e mbaj mend. I kam thënë se nëse është cilësore dhe që ia vlen se ka konkurrencë, i futemi dhe kësaj duke punuar edhe me “Katerinon”. Ramë dakord të fusim nga 12 mijë euro. Të tre nga katër mijë euro, unë dhe Julindi dhe i treti e di Julindi kush është, kjo ka qenë pa noteri dhe në mirëbesim, pasi Julindi për dy vjet ka qenë i sinqertë. Gjatë muajve të parë janë marrë diku te 840 kg kafe “Portiol” me tri lloje cilësish, pajisjet dhe qelqurinat i ka dhënë italiani. Furnizimin e parë Julindi e ka bërë me shoqërim nga Klevisi, jo vëllai im, por shoku i tij, që është biznesmen më i madh se Julindi. Klevisi ka shkuar për të mbështetur familjen time, sepse ishte kontakti i parë në Itali për furnizim. Shoqëria jonë i merr këto dy marka kafeje, duke i shtuar xhiron kompanisë së Julindit. Ata kanë hipur në një avion, se ai pretendon se nuk na njeh. Kanë ikur bashkë, ditët e qëndrimit kanë qëndruar aty bashkë. Po ashtu janë kthyer bashkë, janë kthyer dhe mund të kontrollohet kollaj në sistemin TIMS.
Çfarë detyrimi ka ky person në total? Cili është pretendimi juaj?
Konflikti paska diçka mbi gjashtë ose shtatë muaj. Unë jam informuar i fundit, në prill, dhe jam i fundit që kam hyrë në këtë mesele. Personalisht nuk i kam bërë asnjë presion Julindit, vetëm me anë të vëllait tim i kam çuar një ose dy kontakte. Nuk ka dashur, nuk ka ardhur, unë kam dalë 2-3 herë me leje dhe nuk kam bërë asnjë problem.
Po çfarë problemi keni me personin që ju ka kallëzuar?
Problemi i parë është se Julindi me noteri ka futur aksionerë të tjerë që ua ka marrë lekët me noteri dhe që babai e vëllai im nuk dinë gjë, nuk kanë informacion. Babai im ka dhënë dy shuma, një herë 13 mijë euro dhe një herë 12600 euro, plus 3 mijë dollarë. Shuma e parë që është me noteri ka blerë aksionet me 13 mijë euro dhe shuma e dytë me noteri janë 12 mijë e 600 euro e 3 mijë dollarë. Pra, ka shtatë muaj që Julindi po e bën këtë problem. Nuk ka të bëjë me borxh, se babai im nuk është as një moshë, as shok që t’i japë borxh. Gjatë këtyre shtatë muajve, ai ka sjellë shuma të vogla në shtëpinë time, 300 mijë ose 500 mijë lekë. Nuk ka qenë korrekt me të ardhurat e aksioneve që na kanë takuar. Unë kam të dhëna që ka futur 5 tonë kafe dhe te vëllai e babai im ka futur 3.5 tonë kafe. Ai ka sjellë letra me shkrimin e tij që Prokuroria do t’i shikojë, sepse mund të kuptohet si janë shkruar letrat me presion apo me qejf. Sepse më vjen keq që ai do të më zëvendësojë mua këtu, se e ka kërkuar kështu. Këto llogari i kam në shtëpinë time, i ka bërë te një klub te Rruga e Kavajës, ku qëndron edhe babai im. Për këta shtatë muaj Julindi na detyrohej nga tetë deri në dhjetë milionë, duke pasur parasysh edhe katër mijë euro të hedhura në biznes, vetëm të furnizimit të parë. Për shtatë muaj ai e ka nxjerrë kafe “Kanerino” jashtë loje, por pa dijeninë e familjes sime i ka furnizuar me “Portiol”.
Këto shuma pretendoni se ai jua ka borxh?
Jo, unë po them se janë me dokumente dhe me noteri.
Si ka ndodhur momenti që Julindi ka shkuar në polici?
Nuk kam asnjë informacion deri në këtë moment. Por jam habitur kur kanë ardhur këtu oficerët e Policisë, që janë sjellë shumë keq për mua, me sjelljen harbute që kanë bërë. Unë s’kam dijeni, përveçse kam folur në telefon me Julindin për punën e biznesit. E kam marrë shpesh nga kabina e telefonit dhe rrallëherë e kam marrë nga karta që posedoj në dhomë. Më 2 shkurt, a ke komunikuar me këtë person në skype? Absolutisht jo, nuk kam asnjë telefon që e suporton opsionin skype, ky është një luks i madh për këtu ku ndodhem unë.
Si e shpjegon që prokuroria të citon që i ke thënë “do punosh gjithë jetën për ne”?
Prokuroria e ka vetëm nga Julindi këtë gjë, nuk ka asnjë provë tjetër. Prokuroria ka ngritur diçka mbi denoncimin e ortakut të Julindit. Julindi ka futur persona të tjerë aksionerë tek enti 08 pa pyetur babën tim, çka ka sjellë probleme. Personat e tjerë që unë nuk i njoh, i ka futur aksionerë pa pyetur babain tim dhe ka marrë makinat e tyre. Ai ka futur dy makina me vlerë 50 mijë euro dhe 20 mijë euro në shërbim të kompanisë “Enti 08”. Makina që kemi pasur më parë ka qenë një “Citroen” me vlerë 12 mijë euro. Kjo ka qenë një nga shkaqet që ka nisur ftohja mes tyre, dhe vonimi për shtatë muaj i furnizimit 3.5 tonë sipas Julindit, sepse unë e di që janë 5, dhe që nuk ka sjellë detyrimin e duhur. Për dy vjet ka qenë korrekt. Ka bërë çdo lëvizje pa dijeninë e familjes sime. Ky ka qenë një nga faktet që ka nisur ftohja mes tyre, plus edhe vonimi i furnizimit të tre tonëve e gjysmë, ka sjellë 300 mijë ose 500 mijë lekë. Detyrimi ka qenë deri në tetë milionë.
The që i ke çuar vëllain dy herë…
Jo dy herë, vëllai ka shkuar disa herë.
Çfarë i ka thënë nga ana jote? Çfarë i ke përcjellë?
Në rastin e vëllait tim i kam përcjellë: Ka thënë lali mos e hidhëro babain e mos e le në rrenë. Thotë lali atje brenda ku është, mos bëj lodra, se familja ime nuk është për lodra. I kam thënë sillu mirë, sepse nuk ke arsye që të mos sillesh për dy vjet. Nëse sjellja jote vazhdon dhe vonon me muaj fitimet e shitjes së kafes, atëherë ato lekët që ke marrë me dorën tënde nga babai e vëllai me noteri, atë ka me ta djeg vëllai kur të lirohet, nëse ti vazhdon me këtë sjelle. I kam nis haber me vëllain. Thotë vëllai bëhu i sinqertë, kush është pas teje, që e ke lënë babain në rrenë mbi njëzet herë dhe të provokosh familjen time në këtë mënyrë. Pas datës 2 prill, unë jam informuar. I kam thënë babait prishe biznesin, kërko lekët e dy noterive dhe, nëse ai 4-mijëeuroshin e fundit për furnizimin e “Portiolit” që është pa letra, atëherë le t’i ngelet atij në ndërgjegjen e tij. Dyshimet e mia, se duke qenë korrekte për dy vjet, është djalë pa të shkuar të errët, përveç një rasti të vetëm, ai ka proces akuze në Prokurori për rrahjen e një bankieri, që sipas tij i ka borxh dhe që nuk ia ka kthyer. Momentalisht ai ka një proces o të pushuar ose të pazgjidhur, është akuzuar nga një bankier i rrahur nga Julindi në rrugë dhe për këtë ka çështje në Prokurorinë e Tiranës. Është ai akuzuar nga një bankier i rrahur në rrugë. Ai për lekët e veta rrihka në rrugë tjetrin, ndërsa për ato që ka marrë nga të tjerët nuk paska dëshirë t’i kthejë. Veprimet janë bërë te noterja, te vjehrra e tij, e kanë pritur babai e vëllai im. Përgjigjja e noteres ka qenë “I nderuar Shpëtim, nuk mund t’i bëj veprimet në bazë të një ligji të ri, se janë mbi 10 mijë euro (dhe i ka thënë se nuk mund t’i shlyente sepse ishin mbi 10 mijë euro), bëji në bankë veprimet”. Të nesërmen kanë shkuar në bankë. Julindi nga data 2 prill është takuar me babain e vëllain tim në prani të noteres, të bankës. Kanë pritur te banka për të bërë transfertën. Mund të shikohen tabulatet, i ka nisur SMS babait “xhaxhi Shpëtim po vij, jemi ok, të lutem më prit”. Pas një ore e gjysmë i ka thënë “më doli një punë urgjente, më prit dhe pak”. Kurse mua, pasi e kërkoja pas datës 2 prill, më thotë “Jam në Itali, po merrem me furnizimin e kafes. Genci, ma bëj hallall, do vij të takoj sa të kthehem në Shqipëri”. Këto m’i ka sjellë me anë të vëllait tim, unë nuk i kam bërë asnjë presion, por nuk mund të thotë dikush se i paska vënë Genci gjobë biznesit të babait tim.
Po ju nuk keni tentuar ndonjëherë t’i merrni këto shuma që pretendoni me anë të Gjykatës ose Përmbarimit?
Në lidhje me çka kemi kërkuar ne, që të kthehet posedimi i lekëve, unë ose babai im nuk kemi bërë presion, ne kemi insistuar në kthimin e pasurisë. Unë e kam çuar në Prokurori kërkesën që ditën e parë që jam paraqit në Gjykatë. Babai im, pas hidhërimit me Julindin, ka dashur të bëjë denoncim për vonesën e parave, por unë si djali i tij, duke vuajtur 16 vjet burg dhe duke ardhur nga një botë e cila njihesh me nofkën spiun, që është turp për mua, dhe unë nuk dal nga sedra ime, i kam thënë babait nuk kam dëshirë të trokas te dyert e shtetit për diçka, të cilën Julindi në bazë të të ardhurave mujore e ka shumë kollaj ta shlyejë detyrimin e babait tim. E dyta, unë kam ndërhyrë në këtë skemë vetëm pasi është ankuar babai im, pasi mua s`më ka interesuar se pasuria është e babait tim. E treta është se, duke qenë ky që jam, mbas deklaratave që Julindin e kanë influencuar, është e pamundur, se ai ka pasur sjellje korrekte me babain e vëllain tim dhe me mua. Derisa një person e ka kërcënuar Julindin ose i ka kërkuar që të futet aksioner dhe Julindi i ka treguar se posedoj aksione me filanin dhe filanin dhe këtij personit tjetër, siç duket, i ka tërhequr vëmendjen emri im.
Ju thatë që ka futur persona të tjerë në biznes?
Po, persona që nuk i njoh, që i kam marrë vesh në Gjykatë kur shkova të marr masën.
Denoncuesi ka thënë se në fillim të shkurtit akuzon se ka qenë kushëriri juaj, ka qenë Pajtim Serjani dhe Ditmar Reçi, si ka mundësi kjo?
Nuk kam dijeni fare për këtë. Ai me këta takohet rregullisht, sepse ka biznese të përbashkëta me këta emra që përmende. Ka biznese me ta ndoshta prej 18 muajsh. Ndaj po them se unë jam habitur se Pajtim Serjani ka dy makina në shërbim tek “Enti 08” dhe unë nuk kam ditur gjë fare, as babai im, këtu është muaji.
A ke folur në telefon me Pajtim Serjanin këta muajt e fundit?
Absolutisht kam 16 vite në burg, as kam folur, as ka ardhur në takim. Nuk kam nevojë për lekët e mia t’i kërkoj ndihmë Pajtimit apo dikujt tjetër.
Po Ditmar Reçin?
Ditmari është djali i lagjes, djalë i urtë, por nuk është shoku im. Një mirëmëngjesi, një mirëmbrëma kur këmbehemi, nuk kam lidhje fare. Nuk kam nevojë të kërkoj nga askush për lekët e mia. Ne kemi dashur të tërheqim një pjesë të parave, nuk kam dashur të shes aksionet, por vetëm të tërheq një pjesë të parave. Ju thoni se keni dokumente noterie, çfarë provash keni se këto letra nuk janë firmosur nën presion? Jo absolutisht, sepse i bie që unë qenkam armik me atë prej tri vitesh. Babai im nuk ka blerë aksione nga Julindi, por nga personi tjetër që ka ikur nga biznesi. Personi që ka bërë deklaratat është noterja, vjehrra e Julindit. Në kërkesën e Prokurorisë thuhet se kallëzuesi është detyruar t’i firmosë këto dokumente se ju ka detyrime. Ku e ka bërë ai këtë, te noterja, vjehrra e Julindit. Gjithçka verifikohet kollaj, sepse dokumentet janë bërë aty. Noterja është gjallë dhe unë e kam kërkuar në Gjykatë. Prokuroria do ta thërrasë dëshmitare, sepse e kam kërkuar personalisht.
Prokuroria, në kërkesën drejtuar Gjykatës, thotë se ke folur me kallëzuesin, ku i ke kërkuar aksione dhe e ke kërcënuar. Cila është përgjigjja juaj?
Kjo është komplet sajesë. Nuk kam nevojë të bëj muhabete të tilla nga telefoni. Kam 16 vjet në burg dhe nuk ia jap shansin kujt t’i bie në dorë. Ky nuk është argument që ju mbron. Kjo është përgjigja që jap unë. Kjo nuk ka ndodhur. Nuk e di kur paska qenë kjo datë që ai paska diskutuar me mua. Unë e kam kërkuar në takim këtu dhe nuk ka ardhur. Prokuroria thotë se e keni bërë më 6 shkurt 2015. Absolutisht, unë kam hyrë në rol pas datës 2 prill. Këtë e ka nxjerrë ai vetë, le ta vërtetojë në Prokurori. Unë e di se jemi me 33 për qind në biznes ne si familje, jo sa thotë ai. Prokuroria thotë në dosje se kallëzuesi nuk ka asnjë detyrim ndaj disa personave, përfshi edhe emrin tuaj, Genci Ferhati. Ai vërtet e ka thënë këtë, por e thotë edhe Prokuroria. Unë jam djali i Shpëtimit, ai është aksioner me noteri. Ai ka bërë dallavere prej shtatë muajsh me fitimet e babait tim. Unë nuk duhet t’i dal në krah pasurisë së babait tim, se jam këtu në burg. Jo, Prokuroria thotë se ai nuk ju ka asnjë borxh.
Ju thatë se i keni çuar vëllain, i ke thënë t’ju paguante?
I kam çuar vëllain, i kam thënë të jetë korrekt me babain e vëllain tim, sepse nuk ka qenë. Ka bërë pesë furnizime, ka shkruar vetëm tri. Këto janë lehtësisht të verifikueshme në doganë se kush i ka bërë pagesat. Unë në Gjykatë kam marrë vesh se Pajtimi ka hedhur 70 mijë euro për dy makina. Me një fjalë, ishte futur pa ditur gjë babai e vëllai im dhe unë këtu ku jam. Prokuroria thotë se ai s`ju ka asnjë detyrim. Problemet ai i ka pasur me babain tim.
Prokuroria ju akuzon juve, jo babain tuaj.
Genci Ferhati ka 16 vjet në burg, s`ka asnjë lek në xhep.
Po pse je ti këtu? Pse ke hyrë në këtë histori?
Unë kam hyrë, sepse është ankesa e babait tim. Unë jam në burg, nuk jam i vdekur. Jam person aktiv, edhe pse ndodhem në burg, do i dal për zot pasurisë së babait tim. / panorama
g.kosovari