Kreu i PD-së Lulzim Basha ka qenë sot në Kamëz për të takuar qytetarët dhe për t’i ftuar të votojnë ndryshimin, për të votuar numrin 9.
Basha tha se e diela e fitores së thellë do i takojë të gjithë shqiptarëve të bashkuar për ndryshim. Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se shkatërroi familjet shqiptare duke i ndarë me emigracion, nëpërkëmbi dhe përbuzi banorët e Kamzës dhe gjithë Shqipërisë. Basha theksoi se 8 viteve dështime dhe mashtrime, tani po vjen ora, për t’i dhënë përgjigje duke votuar numrin 9.
“Mirë se ju gjej vëllezër, motra, zonja, zotërinj, të reja dhe të rinj të Kamzës, të Paskuqanit dhe të Zallherrit këtu ku për asnjë çast nuk pushon së rrahuri zemra e lirisë, demokracisë dhe Shqipërisë si gjithë Europa. Mirë se ju gjej ju nëna e baballarë që keni hapur dyert e shtëpive tuaja dhe ju kam vizituar këto 8 vite të gjata vuajtjesh e mundimesh, dhimbje e varfërie dhe që sot ju shoq pa përjashtim me buzëqeshje në fytyrë dhe me sytë që ju shndrisin sepse ju e dini, të gjithë e dinë se e diela e fitores po afron. E diela e fitores së thellë do i takojë të gjithë shqiptarëve të bashkuar për ndryshim. Do jetë pjesëmarrja më masive në historinë e vendit dhe fitorja më e thellë e shqiptarëve të bashkuar dhe të vendosur për ndryshim.
Këtë e dëshmon kjo prani e jashtëzakonshme sot këtu në Kamëz. Këtë e kam parë në sytë e nënave dhe të baballarëve, në sytë e të rinjve dhe të rejave nga Saranda në Tropojë. E prek dhe e shoh kudo padurimin, etjen për ndryshimin që po vjen dhe nuk ka forcë që ta ndal. Sepse forca e ndryshimit ndodhet këtu, në këtë shesh dhe dhjetëra e qindra të tjerë si ky. Të mbushur me shpresë, me besim dhe vendosmëri për t’i dhënë fund dimrit 8-vjeçar, për ta larguar njëherë e mirë me votën më të madhe popullore njeriun që 8 vite me radhë e mbajti vendin peng. Shkatërroi familjet tona duke i ndarë me emigracion, nëpërkëmbi dhe përbuzi banorët e Kamzës dhe gjithë Shqipërisë. 8 vite dështime, 8 vite mashtrime. Tani po vjen ora, dita e shqiptarëve, për t’i dhënë përgjigje duke votuar numrin 9. Më 25 prill të gjithë bashkë drejt kutive të votimit do të votojmë numrin 9. Për nënat tona që kanë parë vatrat t’u boshatisen. Dhjetëra mijëra baballarë, prindër, bashkëshortë të mbetur pa punë, pa siguri për bukën e fëmijëve të tyre, pa siguri për sakrificën e jetës së tyre, shtëpitë e tyre. Të gjithë bashkë këtë të diel do të votojmë numrin 19”, deklaroi kreu i PD.
Basha tha se ora e ndryshimit nuk ka të ndalur, ndaj të gjithë bashkë të bëjmë të mundur këto 4 ditë të fundit, asnjë të mos mbetet në shtëpi, të gjithë t’u drejtohemi kutive të votimit. Sipas tij, PD është në rrugën e një fitoreje të jashtëzakonshme, fitores më të madhe në historinë e Shqipërisë!
“Ndryshimi që Shqipëria, Kamza dhe Tirana e shqiptarët duan është në dorën tonë. Mjaftojnë të shkojmë të votojmë numrin 9. Kështu të hapim bashkë derën e shpresës, derën e besimit tek e ardhmja, derën e mundësive ekonomike për çdo shqiptar dhe në veçanti për rininë e mrekullueshme të Shqipërisë.
Do të jetë një nga ato fitore historike të cilat do të mbahen mend për bashkimin e shqiptarëve si asnjëherë më parë. Sheshi është mbushur me demokratë, me qëndrestarë, por në mes këtij sheshi kam takuar dhe takoj dhe qytetarë të tjerë, deri dje të pavendosur, socialistë të zhgënjyer e të vendosur për ta bërë 25 prillin një festë për familjen e tyre. Ti përveshim dhe njëherë mëngët për të bërë të mundur zhvillimin e vërtetë, duke i dhënë fund abuzimit 8-vjeçar.
Më 25 prill duke votuar për numrin 9 do votoni për amnistinë totale të këtyre gjobave korruptive dhe çlirimin e këtij laku për 350 mijë familje shqiptare. Me planin tonë ekonomik ne do mundësojmë që siç po shndrit ky diell do shndrisin sytë e prindërve, të pensionistëve, bijve të tyre, të njerëzve punëtorë, fermerëve dhe gjithë qytetarëve shqiptarë. Këtë që shoh dhe prek këtu në këtë shesh dhe që e kam parë ditë për ditë dhe natë për natë, këtë etje për ndryshim ta kthejmë në uraganin e votave për ndryshim. Ditën e diel masivisht për veten tuaj, familjet tuaja, për rininë e mrekullueshme, për Shqipërinë si gjithë Europa, votoni numrin 9. Bashkë për ndryshim. Shqipëria fiton”, deklaroi kreu i PD./ b.h