Shumë besojnë se gjatë periudhës republikane në Urbe mbretëronte virtyti. Përkundrazi. Tekstet e para historike, të shquara rreth vitit 200 B.C., zbulojnë se…
Një minimum korrupsioni, theksonte Ëinston Churchill, shërben si vaj lubrifikues i mirë për makinerinë e demokracisë. Shtetari i madh britanik, me alternim të mençur, dinte të distilonte retorikën për momentet e vështira dhe cinizmin për ato më pak të vështira. Padyshim dhe larg çdo klisheje të zakonshme, mund të thuhet fare mirë se një minimum korrupsioni – në një shtet që nuk është totalitar dhe kontrollues maniakal i jetës së qytetarëve – është fiziologjik. Sigurisht që natyra njerëzore nuk ndryshon më vendim qeverie.
Korrupsioni, sidomos ai politik, zbret poshtë në origjinën e njerëzimit dhe gjeti terren pjellor në Romën e lashtë. Dhe me Romë të lashtë nënkuptojmë si atë republikane, ashtu edhe atë perandorake. Kjo për të çmontuar retorikën tradicionale që e do Urbe e ditëve të para të lavdishme të kundërvënë – për nga virtyti, serioziteti dhe nderi – me Romën e viteve të fundit republikane dhe atë të perandorëve mbajtës të pushtetit absolut. Një mit ky që pati fat mediatik, nëqoftëse mund të thuhet kështu, në vetë ditët e Romës së lashtë (për shembull, nën Cezar Augustin), ashtu si në ditët tona dhe, e kotë ta thuash, në ato të Njëzetvjeçarit fashist, që Romën dhe mitin e saj e bëri një levë retorike për konsolidimin e pushtetit.
Gjithmonë prej atij burimi të fuqishëm bindjesh që është klishe, shumë njohin korrupsionin e Perandorisë së Hershme Romake, atë të ditëve të fundit përpara perëndimit në shekullin e V-të A.D.: qe ai korrupsion në bazën e rënies së Romës dhe e dominimit të saj.
Por pak njohin korrupsionin që në Romën republikane u rrit në kastat e privilegjuara, ato të gjeneralëve të pajisur me pushtet personal të jashtëzakonshëm, atë të senatorëve e kështu me radhë. Dhe akoma më pak njihet korrupsioni në Romë përpara shekullit të III-të B.C: jo sepse ai nuk ekzistonte, por thjesht sepse mungojnë tekste dhe dëshmi edhe indirekte lidhur me fenomenin. Kur në fakt arrijmë në prodhimin e parë letrar, rreth vitit 200 B.C., ja ku shfaqen referime ndaj korrupsionit dhe imoralitetit, si në aspektin privat, ashtu edhe në atë publik. Fillohet të mësohet për spekullimet e grosistëve, për evazionin fiskal (edhe në ato ditë nuk mungonte një satirë therëse lidhur me argumentin, duke filluar nga pena e pagabueshme e Plautit), për referime ndaj arrogancës së pushtetit politik, përvetësimit. Domethënë, Roma nuk e ka pasur kurrë një periudhë mitike në të cilën tunikat e të fuqishëmve të shkëlqenin të pastra midis mermerëve të Pallatit.
Deri Katoni, “censori”, zë i fortë dhe retorik i virtyteve të Urbe që qe – ndoshta jo të gjithë e dinë – pësoi bukurinë e 44 proceseve për korrupsion. Sigurisht, akuza e korrupsionit qe një prej armëve që kundërshtarët politikë drejtonin më shpesh kundra, për t’u anulluar njëri pas tjetirt, por është vështirë të besohet se me 44 aktakuza, Katoni nuk qëndronte aspak. Sidomos po të kihet në konsideratë se, për të ngjitur shkallët e pushtetit, çdo roman i “shquar” duhej të financohej në mënyrë të turpshme, duke u zhytur në borxhe (fajdexhinjtë në Romë sigurisht që nuk mungonin) dhe duke nënshkruar kompromise dje klientela të turpshme. Me kalimin nga republika në Perandori, korrupsioni u përshtat me format e reja e organizimit të pushtetit: për hir të së vërtetës, cezarët e parë kërkuan që ta frenonin zakonin e keq, me një kontroll më të përqëndruar në duart e tyre. Prokurorët e ndryshëm, në periudhën përpara asaj të Augustit, gëzonin jo pak privilegje dhe liri veprimi që, me sunduesit e rinj të shtetit, nuk qenë më të mundshme. Për shembull, Tiberi qe një prej perandorëve më intransigjentë ndaj korrupsionit politik dhe, në përgjithësi, publik. Kjo sigurisht që nuk e pengonte të jetonte me korrupsion moral në lukset e Kaprit, duke notuar sëbashku me djem të rinj të bindur dhe të pashëm, në pishinën e tij me pamje nga deti. Korrupsioni në Romën e lashtë – është mirë të thuhet – ishte të paktën 10 herë më shumë respektivisht këtij tonit aktual: kjo nuk e pengoi Urbe që ta shtrinte dominimin e saj mbi botën. Qyteti i Përjetshëm i bashkangjiste prepotencës dhe korrupsionit sistemet juridike më solide, një formë absolutisht unike imperiumi, respektuese e traditave lokale dhe së fundi një prestigj kulturor dhe intelektual që nuk kishin shok.
Forma më e përhapur e korrupsionit ndodhte larg nga qendra e botës, në ato provinca ku guvernatorët bënin kohën e mirë dhe të keqe, ku ligjet zbatoheshin në mënyrë elastike dhe ku klientelat lulëzonin në mënyrë të pacipë. Duhet thënë se guvernatorët gjendeshin pothuajse të “detyruar” që të grumbullonin para të pisët dhe të vidhnin para publike që të mund të financonin pasazhet e mëtejshëm të karrierës politike: fushatat elektorale kërkonin një përdorim mbresëlënës parashë. Ja kështu që guvernatorati në provinca rezultonte një pasazh themelor në cursus honorum e çdo personazhi influent në Romë. Një faktor tjetër që çoi në një rritje të korrupsionit qe, si gjithmonë, rritja e burokracisë publike: nëqoftëse në dy shekujt e parë të Perandorisë ajo qe akoma e përmbajtur, më pas mori dimensione elefantiake.
Përpjekjet e perandorëve rezultuan të kota; individët e fuqishmit i rezistuan edhe kontrollit të sunduesit hyjnor të Romës. Mitëmarrje dhe përvetësim qenë në rendin e ditës, si gjatë republikës, ashtu dhe gjatë Perandorisë. Kundërshtarët më të fortë të këtij lloj krimi, me kalimin e kohës, qenë dy personazhe të famshëm si Gai Graku dhe Jul Cezari. Shumë procese publike përpara ndërhyrjeve legjislatore të këtyre dy personazheve rezultuan teatre lirimesh skandaloze: pas ligjeve të gai Grakut, gjykata u bë më e paanshme.
Individë të fuqishëm
Gjatë gjithë historisë shekullore, fisnikëria romane luftoi për të ruajtur numrin më të madh të pushteteve në duart e saj. Kasta aristokratike kërkoi gjithmonë që të nga rrethi i të privilegjuarve klasat e tjera, kalorësit fillimisht, plebejtë më pas. Për më tepër, nëqoftëse burokracia e tepruar kish gjeneruar korrupsion publik endemik në Perandori, me përfshirjen e funksionarëve të panjohur dhe të të ashtuquajturve “peshq të vegjël”, mungesa absolute e burokracisë në shekujt e parë të republikës kish çuar në të njëjtën mënyrë në lulëzimin e korrupsionit pjellë e pak “peshqve të mëdhenj”. Prokurorët e ndryshëm dhe funksionarët e pakët mbanin një pushtet shumë të gjerë dhe diskrecional. Jo vetëm: shpesh prokurorët përdornin bashkëpunimin e personave të besuar si skllevër dhe libertët (ish skllevër). Vetë rendi publik, në mënyrë të bujshme, u ishte besuar fisnikëve të veçantë, që krijonin kështu, do të thonim sot, formacione “paraushtarake” që ruanin kontrollin nëpër rrugë.
Kështu, gjatë Republikës organizimi social e ndjente këtë ndarje “mafioze” midis bosëve lokalë. Është e natyrshme që me lindjen e figurës qendërsuese të Perandorit, fisnikët humbisnin pushtet në favor të të njohurve dhe të funksionarëve të “oborrit”. Korrupsioni mbetet, thjesht kalon dorë. Nga ana tjetër, si në Republikë, ashtu edhe në Perandori, shaqja e klientelave vlerësohej shumë socialisht. I fuqishmi ecte shpesh në Foro i ndjekur nga një grusht clientes: sa më i gjatë të ishte kortezhi, aq më i admiruar dhe më i adhuruar ishte personi në krye të tij. Kjo shfaqje bile kishte edhe një emër, adsectatio. “patroni”, kështu quhej, mbronte klientët e tij në gjykim, me ndihma ekonomike, me ndërhyrje në seli politike, rekomandime.
Clientes shërbenin si eskortë e armatosur, ndërhynin nga ana e tyre me ndihma ekonomike, votonin sipas komisionit. Shkrimtarët e mëdhenj romakë, sidomos ato të aspektit konservator, e kanë pasqyruar këtë fenomen social si natyral dhe aspak të kritikueshëm: vetë Taciti e quan “pjesë të shëndoshë” të popullit atë që ndjek familjet e mëdha aristokrate. Për pjesën e popullit që nuk është e gatshme t’u bindet të fuqishëmve është e gatshme etiketa e “plebes së shurdhët” dhe potencialisht agjitatore. Edhe Ciceroni, historian mbështetës i aristokratëve, ka fjalë elozhi ndaj institutit të klientelës. Për të gjetur kritika ndaj fenomenit duhet lexuar Plauti që tek “Menecmi” i tij shkruan në vargje indinjatën e vet (“Sa është i çmendur dhe i dëmshëm ky zakon që kemi dhe se më shumë se të gjithë kanë ata që qëndrojnë më lart! Të gjithë duan të kenë shumë klientë, por nuk rrinë t’i shikojnë nëse janë të mirë apo të këqinj […]”). Apo Sallusti, që tek “Epistole a Cesare” e tij nuk mungon të ankohet sesi të varfërit kanë humbur liri politike duke ju shitur pak të fuqishëmve të veçantë (“Por kur të përzihen pak e nga pak nga kampet, papunësia dhe varfëria t’i reduktojnë qytetarët e thjeshtë sa të mos kenë më një vendstrehim të sigurtë, atëhere do të fillojnë të kërkojnë ndihmën e të tjerëve, të shesin lirinë e tyre sëbashku me shtetin. Kështu pak e nga pak populli, që ishte padron dhe komandonte të gjithë njerëzit, u shpërbë dhe në vend të dominimit të përbashkët secili i prokuroi vetes një skllavëri personale”).
Zgjedhje pak transparente
Mashtrimet elektorale qenë një prej elementëve më të dukshëm të korrupsionit në Romën e lashtë. Jeta publike romake përshkohej nga fushata elektorale të vazhdueshme, të cilat siç e thamë kërkonin financime të mëdha. Për to mendonin vjedhjet në guvernatorate dhe mbështetja klienteliste. Por kur arrihej në redde rationem elektorale, shumë të fuqishëm nuk synonin që të rriskonin me përgjigjen publike. Mashtrimet shërbenin për të “korrigjuar” rezultatin e kompeticioneve.
Për të pasur një votë të sigurtë, të fuqishmit mund të varionin: nga dhurimi i parave në formë shiu për të blerë vota, në realizimin e favoreve zgjedhësve potencialë, në frikësimet fizike, në korruptimin e atyre që qenë të ngarkuar me numërimin e votave. Së fundmi, në shtyrjen “me art” të votimeve. Në këtë rast të fundit, shembulli më i famshëm është ai i Ciceronit, që veproi në mënyrë të atillë sa ta votojë ligjërisht votimin në dëm të Luçio Serxho Katilinës, mbështetja elektorale e të cilit përbëhej nga votues jo të kamur dhe joqytetarë, qëndrimi i të cilëve në Urbe rezultonte e kushtueshme. Veç kësaj, nuk ka kurrfarë dyshimi se futja e votimit të fshehtë në gjysmën e dytë të shekullit të II-të B.C. kontribuoi në ekspansionin e korrupsionit elektoral.
Edhe rritja e numrit të votuesve çoi në një rritje të korrupsionit: në fakt, nuk mungonin njerëz që premtonin për para votën e tyre, duke e bërë atë motive tregtie dhe “tenderi publik”. Kush ofronte më shumë kapte votën. Një formë e përhapur e kushtëzimit të votës qenë të ashtuquajturat coitiones, marrëveshjet midis kandidatëve për shpërndarjen e votave, dhe të ashtuquajturat sodalitates, krijimi i grupeve të votuesve influentë (lobet e kohëve tona) që kuronin propagandën elektorale në favor të kandidatëve të caktuar.
Kandidatet më të pasur kërkonin gjithashtu që ta impresiononin publikun votues me shou të ndryshëm propagandistikë, si i ashtuquajturi ambitus, praktikisht rekrutimi derë më derë, apo shfaqja e të linjtave të veta, si bardhësia e veshjes. Midis personazheve që i apeluan korrupsionit elektoral qenë Jul Cezari, rivali i tij Pompeu i Madh dhe i pakorruptueshmi, ose kështu duhej, Katon. Ky i fundit thoshte gjithmonë se, kur kish korruptuar, qe gjithmonë prej “interesit suprem të shtetit”.
Pasurime “publike”
Thesari romak plaçkitej në shumë mënyra. Midis tyre edhe “plaçka e luftës”: komandantë dhe gjeneralë romakë i konsideronin territoret e pushtuara si “gjëra të tyre”. Para plaçkë të ndryshme të të mundurve shërbenin për ta rritur pushtetin personal, por edhe për të plotësuar nevojat e ushtarëve. Pompeu dhe Cezari nxorrën nga pushtimet në Azi dhe në Gali fitime të pafundme, të paimagjinueshme sot. U tha se plaçka e luftës galike e Cezarit ishte ekuivalente me më shumë se 2 miliard dollarë të sotëm. Natyrisht, pati disa procese kundër abuzimeve me pushtetin në provinca: Ligji Kalpurin i vitit 149 B.C., shumë përpara se i dy gjeneralëve të përmendur, kishte kërkuar që të krijonte një gjykatë të përhershme për krimet e mitëmarrjes, por efektet qenë pa ndikim. Si zakonisht, ata që e paguanin qenë “peshqit e vegjël”.
Edhe masat e adoptuara nga Gai Graku dhe beteja ciceroniane kundër përvetësimeve në Verre të Sicilisë (të përshkruara tek “Verrinat”) nuk prodhuan ndryshime reale. Me Cezarin dhe sidomos me Augustin, komtrollet e pushtetin mbi veprimtarinë e guvernatorëve u bënë më rigorozë, edhe falë privimit të publikanëve (tagrambledhësve) të shumë gjykimeve personale. Midis të akuzuarve të famshëm për korrupsion larg nga Roma qe edhe luftëtari i famshëm Skipion Afrikani, por që diti të mbrohej siç duhej përpara Senatit. Edhe pse, i indinjuar, u tërhoq në vilën e Liternos dhe ku vdiq, larg trazirave të Urbes. Për korrupsion u fol edhe ndaj Sulpicion Galbas, i cili në vitin 149 B.C. praktikisht kishte plaçkitur territore në Spanjë, duke e masakruar popullsine luzitane, duke i shitur të mbijetuarit si skllevër dhe duke futur në xhep gjithçka.
Galba përfitoi një pafajësi skandaloze, pas së cilës kërkoi që të ngrejë juri që të qenë të përbëra jo nga senatorë, tradicionalisht të nënshtruar ndaj të fuqishëmve, por nga kalorës. Disa ligje (si Ligji Kalpurnia i dëshiruar nga tribuni Luçio Kalpurnia Pizone) pretendonin thjesht kthimin e asaj që ishte përvetësuar, të tjera (su aji grakiane) kërkonin kthimin e një shume të dyfishuar. Kjo masë e fundit mund të çonte në shkatërrimin e të dënuarit. Në vitet e mëpasme, siç e demonstrojnë lirimet skandaloze nga akuzat e ndodhur në diktaturën e Silës, imoraliteti gjithsesi rezistoi. Shembulli më flagrant i korrupsionit të një guvernatori, e kemi thënë, qe ai i Verres, i denoncuar tek “Verrinet” e Ciceronit: guvernatorit ju vunë në kurriz “gjoba”, rrëmbime, ngacmime, vjedhje dhe frikësime të çdo lloj natyre. Siçilianët qenë tharë tekstualisht me të paktën 40 milion sesterca, por ka burime që flasin për 100 milion sesterca.
Forma më efikase e zhvatjes nën pushtetin e Verres ishte ajo e marrëveshjes nën dorë me tenderuesit (dekumanët) e ngarkuar që të siguronin të dhjetën e drithërave, që ishte pastaj haraçi që Siçilia i detyrohej Romës. Gruri që avanconte përfundonte në duart e guvernatorit, i cili e shiste në përfitim të portofolit të vet. Një tjetër sistem i përdorur nga Verre qe ai i ndërhyrjes në administratat lokale siciliane: kush donte që të zgjidhej t’i paguante Verres një bakshish. Nën Perandorinë gjërat ndryshuan: korrupsioni nuk arriti më nivelet e kohës së Verres. Rreptësia e Tiberit qe shembullore, por e tillë qe edhe ajo e Neronit (i shtyrë nga këshilltari i besuar Seneka): nën neronin guvernatorët u ndaluan edhe në përgatitjen e lojërave dhe të spektakleve të ndryshme, për të shmangur që financimi i tyre t’u vihej në ngarkim shtetasve. Të shpeshta, në kategorinë e korruptimeve publike, mashtrimet e publikanëve, titullarë tenderash shtetërore fitimprurëse. Njoftime për bakshishe ekzistojnë qysh nga viti 215 B.C., në kulm të Luftës së II-të Punike.
Shembulli është ai i Marko Postumios nga Pyrgi, titullar kontratash furnizimesh, i cili i mbyste enkas anijet e vjetra, pasi i kish ngarkuar me mallra me pak vlerë, për t’i kërkuar më pas shtetit dëmshpërblimin me një vlerë shumë të lartë. shembulli më i famshëm i korruptimit të fisnikërisë romake nga ana e parasë së huaj qe në fakt ajo e “aferës Xhugurta”, e bërë e njohur nga pena e Sallustit: me vdekjen e Masinisas, aleat i vjetër dhe besnik i Romës, mbretëria afrikane e Numidisë kaloi në duart e Xhugurtës dhe të dy djemve të tjerë të mbretit, Aderbalit dhe Iempsalit. Të tre luftuan për pushtet absolut, duke kërkuar favoret e Romës. Kush do t’ia xhvaste Senatit të Urbes aleancën në gjendje që të merrte me vete fitoren? Xhugurta dërgoi në Romë ambasadorë që, me sasira të pafundme floriri, kërkuan që të blejnë senatorët detyra e të cilëve ishte saktësisht që të vendosnin lidhur me çështjen afrikane. Së fundi, korrupsioni i drejtësisë qe një prej fenomeneve të imoralitetit në Romë: nuk ekzistonte një magjistraturë permanente, e ndarë nga politika. Nuk ekzistonte as një kod i vërtetë ligjesh të krahasueshëm me atë bashkëkohor me ne dhe diskrecionaliteti, për pasojë, ishte i përhapur. E drejta romake klasike, mbi të cilën janë formuar breza juristësh deri në kohët tona, është një përpunim i vonshëm perandorak.
Në kohërat më të lashta drejtësia administrohej nga privatë. Në epokën republikane, pretori, magjistrati publik i ngarkuar me administrimin gjyqësor, ua besonte gjykimet një gjykatësi të zgjedhur nga palët apo të caktuar nga vetë ai. Lehtësisht i korruptueshëm apo i bërë objektiv frikësimesh të ndryshme, edhe fizike. Gjithmonë Plauti, tek “Menecmi” i tij, nënvizon korrupsionin e drejtësisë: gjykatësit “luajnë me zara me impenjim të madh, të parfumuar me kujdes, të rrethuar nga prostituta. Kur vjen ora 3 e pasdites thërrasin një shërbëtor që të shkojë në mbledhje për t’u informuar për sa ka ndodhur në Foro, kush ka folur në favor, kush ka folur kundra, sa tribu e kanë miratuar, sa kanë votuar kundra. Kështu, shkojnë në mbledhje për të mos pasur mërzitje në vijim të mungesës së tyre […]”.
Korrupsioni i drejtësisë zgjati gjatë, nëse akoma nën Perandorin Dominician dihet për masat drastike të marra nga hyjnori Cezar për ta shtypuir fenomenin. Në fakt, tek “Jeta e Cezarëve” Svetoni rrëfen sesi Dominiciani “goditi me një notë shpifjeje gjykatësit mëkatarë sëbashku me asistentët e tyre në këshill”. Zgjerimi i burokracisë romake nën Perandorinë çoi në fakt në një fenomen tjetër: atë të rekomandimit (commendatio). Gjuetia ndaj vendit ishte aktiviteti kryesor i pinjojve të aristorkacisë senatoriale dhe i të rinjve të çfrenuar të klasave emergjente. Për ta siguruar ishte e nevojshme që të gëzoheshin rekomandime influente, në të cilat nuk është e mundur të gjendet gjurmë e cilësive specifike që kandidati mund të posedonte për të zënë denjësisht pozicionin që aspironte, por vetëm ekzaltimin e virtyteve gjenerike dhe sidomos të besnikërisë së të rekomanduarit. Por kjo është ndoshta më e vogla e të këqijave dhe në Italinë e sotme duket një ves absolutisht i rrënjosur. Shprehja “Më dërgon Pikone” mbetet motoja e popullsisë italike. Me ose pa togë.
Bota.al