Ne, Perëndimi dhe shtëpia jonë në Evropën Lindore
Ku identifikohemi ne? Ne, shqiptarët dhe studiuesit tanë të historisë, bëjnë një përpjekje deri të lodhshme për të treguar se jemi në Perëndim.
Mund të shtohen edhe të tjera, por baza nuk ndryshon. Vetë Evropa Perëndimore mbështetet në një bazë vlerash, përçuar prej Antikitetit, ku Greqia e Vjetër ka peshën e padiskutuar. Ja një nga përcaktimet e mëdha, që tregojnë karakterin e madh të tyre, e lënë prej Aristotelit: “Demokracia lind nga nocioni se ata që konsiderohen si të barabartë në secilin aspekt janë të barabartë në të gjitha aspektet; njerëzit janë të lirë, ku ata pretendojnë se janë absolutisht të barabartë”.
Në fakt, një lëm i ri, si teoria krahasuese politike hedh dritë drejt mësimit se çfarë po na mëson demokracia për politikën e ndërtuar me traditat intelektuale të vendeve jashtë Perëndimit (gjeografikisht e jo vetëm). Ajo që kuptohet prej saj është se demokracia, si ajo në Shqipëri, s’është model që duhet kopjuar shëmtuar, pasi zbatimi i saj pastaj do haset me vështirësi zbatimi, të cilat ndryshojnë nga vendi në vend. A është Shqipëria mirëfilli vend demokratik? Patjetër, por deri diku. Madje, me gjithë kritikat e natyrshme dhe problemet e sotme të korrupsionit, Shqipëria është përmirësuar për të tretin vit radhazi në Indeksin e Demokracisë, fakt që e rendit Shqipërinë në vendin e 64 nga vendi i 68, që ishte në vitin 2021 dhe 71-ti në 2020-n.
Deri këtu duket se në këtë drejtim e kemi një udhë. Sërish kthim në pyetjen e parë: A jemi në Perëndim apo në Lindje? Profesor Çabej në monografinë e tij “Shqipëria mes Lindjes dhe Perëndimit” e trajton si argument, duke shkruar për përkatësinë tonë perëndimore: “Shqipëria është trualli në të cilin grindja e gjatë ndërmjet botës romane-perëndimore dhe ballkanike-bizantine është shprehur në mënyrën më të spikatur. Pushtuesit perëndimorë kanë për qëllim sundimin mbi Gadishull me pikë të fundit Konstantinopolin: Roma Venediku, Normanët dhe Anjou-të. Lindorët: bizantinë, gotë, bullgarë , serbë e osmanë duan të arrijnë daljen politike në Adriatik, e nganjëherë, si gotët, bizantinët dhe osmanët nën Muhamedin II, duan ta përdorin Shqipërinë si dërrasë kërcimi për në Itali. Ky qëndrim i ndërmjetëm midis Perëndimit e Lindjes, i bashkuar me ruajtjen e ngulur të natyrës së vet etnike, i ka gdhendur Shqipërisë përgjithmonë fytyrën e saj të veçantë. Këtë nuk ka mundur ta fshijë as sundimi turk.
Kjo shprehet në krejt mënyrën e jetesës, në histori dhe në historinë kishtare, në zakone dhe në poezi popullore dhe artistike të popullit shqiptar. Duhet shënuar me këtë rast edhe se Shqipëria ka qenë e orientuar më tepër nga Perëndimi sesa fqinjët e saj”. Po ku është gjeografikisht Shqipëria? Pa asnjë shqetësim, ne duhet të bindemi se gjeografikisht jemi në Evropën Lindore. Tirana është në të njëjtin meridian me Budapestin dhe Krakovin. Ndërkohë që vetë koncepti i Evropës Lindore është pak i ndërlikuar, pasi përfshin edhe shtetet baltike të Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë, paçka se ato shmangen dhe konsiderohen me elegancë si Evropa Veriore! Nuk vihet në dyshim se Kufiri i Evropës Lindore ulet nga Baltiku në jug dhe, pa diskutim përfshin Poloninë, Republikën Çeke, Sllovakinë dhe Hungarinë. Sa u përket skajeve lindore dhe orientimit gjeografik të Rumanisë, Moldavisë dhe Bullgarisë nuk ka dyshim dhe as pretendim: Janë në Lindje.
Praga edhe Lubjana janë më në perëndim gjeografikisht se Vjena, kurse Beogradi është më në perëndim se Athina ose Helsinki!! Po atëherë çfarë mund të thuhet për konceptin e Evropës Juglindore, që iu atribuua ca kohë vendeve tona? Ku gjenden Shqipëria, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia dhe Serbia? Të gjitha këto vende janë në të njëjtën zonë kohore me Holandën dhe Francën, ndryshe nga Rumania dhe Bullgaria, që janë pjesë e BE-së dhe që indirekt nënkuptojnë Perëndimin! Si ndodh që Finlanda dhe Greqia janë gjeografikisht në skajet lindore, por politikanët nuk i vendosin në Evropën Lindore? Ndoshta, kjo është arsyeja që njeriu nuk gjen sot logjikë të këtij kufiri apo identifikimit të shumë vendeve me Lindje dhe Perëndim. Duket se ky kufi është më shumë historik dhe gjeopolitik, ndaj ndodhin kaq shumë paradokse, në të njëjtën kohë. Trajtat e këtij kufiri janë më shumë gjeopolitike, kjo duke pasur parasysh identitetet e vendeve tona apo me çfarë duket: një trajtë që e afron më shumë me një koncept në mendjet e Perëndimit, e citojmë si ide nga analisti serb, Aleksej Kišjuhas.
A mund të importohet njësoj demokracia në vendet tona? Rasti i Hungarisë e tregoi hapur se demokracia perceptohet jo njësoj në vendet e këtij grupimi. Kryeministri Viktor Orbán do ta shastiste BE-në kur në vitin 2014 pohoi se kishte për qëllimin ndërtimin e një “shteti të ri që […] është një shtet joliberal”. PiS, që krijoi shumë pushtet në Poloni shkoi më tej kur foli për ‘demokraci popullore’, kurse në të gjitha vendet u pa se pas ngritjes së populistëve të krahut të Djathtë, ‘demokracia perëndimore’ nuk na thotë më se cila është ajo ‘demokracia liberale’ e kulluar. Po ndërsa ky fenomen nuk bën më habi në Republikën Çeke, Hungarinë dhe Poloninë, këtij realiteti sot i janë bashkuar dhe vendet që identifikohen me vetë demokracinë, por që në vitet e fundit të drejtat politike, liritë civile ose të dyja kanë probleme.
Dhe, lajmi më i hidhur ishte se Njësia e Inteligjencës e “Economist” madje e uli SHBA-në në vitin 2016 për herë të parë nga një “demokraci e plotë” në një “demokraci me të meta”. Po, atëherë me të drejtë pse na shpaloset dhe na vihet barriera gjithnjë para syve për konceptin e Perëndimit dhe atë të Lindjes. Duket se ka një frymë, që do t’i ndajë popujt tanë në frymën e tyre të lindur demokratike, që kërkon tashmë jo thjesht të anëtarësohen në NATO (Flasim për vendet shumë në lindje të kontinentit, ende të paanëtarësuara), por edhe të na e mbajnë Perëndimin larg.
Fryma holandeze ndaj Shqipërisë dhe tashmë historia britanike e tregojnë më së miri këtë fakt të hidhur. Po pse nuk integrohemi dot ne me një rrugë demokratike? Pse kemi aq shumë detyra shtëpie, kurse vetë vendet e Perëndimit tashmë përballen me rënie të besimit në demokracinë e tyre? Pse autokratët që pothuaj po ndërtohen në Tiranë, Prishtinë, Beograd apo më keq ata në Hungari e Poloni e kanë më lehtë të drejtojnë në vendet tona dhe pse po e shkallmojnë pa fre demokracinë?
A ndodh ngaqë ata e dinë mbase më mirë se që kjo pjesë matanë Adriatikut dhe tej kufijve të dikur Perdes së Hekurt ka një logjikë demokracie, që e kërkon të veçantën larg shtampave demokratike? Po pse nuk e kalojmë klasën ne ballkanasit si vendet e tjera? Ngaqë duket se vetë vendet e Perëndimit na kanë ngritur barriera, ku ne të mbetemi në vend, për të përfituar si gjithnjë politikanët e paskrupullt që na drejtojnë. Pse ndërtojmë narracione jashtë demokracie, duke mëtuar se jemi dhe shpresojmë në këto vlera? Po çfarë dëshiron Evropa Lindore dhe Shqipëria, si pjesë e saj?
Thjesht, dëshiron të jetë si Evropa Perëndimore, pa harruar se jemi Lindje dhe kemi vlerat tona. Dhe kjo është ndoshta e vetmja gjë që e lidh dhe e bashkon atë, sepse ne e konsiderojmë veten në Perëndim, pa qenë aty, dhe mundohemi të ndihemi si të tillë. Po demokracia jonë? Për këtë duhen pyetur politikanët, që të përgjigjen se demokracia e vërtetë është atëherë kur ka zgjedhje të lira, treg të lirë, liri individi dhe… mundësi pasurimi për ta, duke qëndruar të kalcifikuar në pushtet.
(Homo Albanicus)