Nga Erion Hiluku
Në një vend të Evropës emrin e të cilit nuk dua ta harroj, ka shumë kohë që jeton një popull fisnik, aq i vjetër saqë i dallohet një hije trishtimi nga pesha e shekujve. I kërrusur si Prometeu me shqiponjën e pamëshirshme që ia gërryen mëlçinë, vazhdon të qëndrojë kryelartë pavarësisht dinjitetit të tij tragjik. Nga mali në det ka tokë pjellore që e mban kryesisht me bukë e kripë e zemër, të cilën lumenj venozë e përshkojnë, e në festa shkarkojnë qiejt ritme mitologjike daullesh e fyejsh dhe shtrohet mishi i fërlikut dhe vera arteriale. Është më i vjetër se pavarësia e tij, por për këto njëqind vitet e lirisë mund të themi se ka qenë më shumë në duart e bijve të tij.
Duhet thënë e ditur për hir të së vërtetës se në kohën e lirë, që është më e shumta, njerëzit bënin plane pa fund me aq dëshirë e lezet saqë e harruan fare punën e administrimit të shtetit. Kështu nëpër kafene ata u bënë ekspertë në të gjitha fushat. Në vazhdimësi aty i ndanin edhe të mirat e të këqiat, edhe dashnoret e servilizmat, edhe planet kombëtare e anti kombëtare. Arritën madje të thonë se baret janë shkolla e jetës, dhe se burgu është universiteti më i mirë. Kështu flisnin dikush nga përvoja personale e kush nga çkish dëgjuar nëpër lokale. Këta u bënë shumicë që në fillim, dhe kushdo që nuk ishte si ata ishte kundër tyre. Dhe shumica fitoi, jo vetëm se ishin ekspertë në politikë e në gjithçka tjetër por se kishin eksperiencë dhe dy pare mend jo më shumë, por mjaftueshëm për të mos patur skrupuj të arrijnë qëllimet e tyre të ngushta vetjake.
Një studiues mund ta konstatonte lehtë se si filloi dhe si vazhdoi. Dhe ata nuk vonuan të iu merrnin pushtetin nën kërcënimin e luftës me ushtri të huaja, atyre që e kishin marrë me revolucion, dhe pastaj të qëronin nga vendi njëherë e mirë këto të fundit që kishin qenë të parët. Që të mos ngelej pikë dyshimi, i ndoqën dhe i larguan si armiq dhe si miq, dhe për qetësi më të madhe hoqën qafe edhe familjet e tyre. Por historia e popujve siç e dimë këmbëngul të përsëritet, sidomos aty ku padrejtësitë janë të mëdha e injoranca është e vjetër. Nuk vonoi të vinte një “dreq i kuq”, me përvojë klubesh evropiane, që sa morën pushtetin eliminuan ata që mendonin ndryshe, dhe detyruan të iknin të gjithë kë mundi. Pastaj erdhën të tjerët që ishin pjellë e tij, dhe bënë të njëjtën gjë: shkatërro pasuritë kombëtare, shkelmoju moralin dhe optimizmin, përdore shpresën e njerëzve si letër higjenike, skëterrosu jetën që të ikin nga sytë këmbët. Një mënyrë qeverisjeje që mund të përmblidhet në “shkatërro e sundo”, bij barbarë e mosmirënjohës të një populli fisnik që qeverisën si pushtues. Në mentalitet kishin prioritet absolut epshet e tyre e ndërsa i kënaqnin këto e bënin të pabanueshëm vendin: kushedi pse nuk e përdorim atë shprehjen latine, “as derrat nuk ndyjnë aty ku hanë”. Kështu deri tani e mundet edhe në vazhdim, nëse nuk e mbledhim veten të iu kërkojmë llogari e të iu hapim sytë atyre që janë në krye të punëve.
Tani, në këtë skenë danteske, ju i nderuar lexues dhe persona të tjerë që nuk na njohin, mund të pyesin: çmund të bëjmë, përveçse të ia mbathim në ndonjë vend të lulëzuar nga puna e sakrificat e popullit të vet? Të ikësh mbase është një zgjidhje aq origjinale sa edhe të qëndrosh, njësoj siç është e re për njeriun vdekja dhe jeta. Do të më pëlqente të ndaja me ju këshillat e një ish kryeministri tonë. Mos u nxitoni të braktisni leximin, sigurisht që edhe unë po mendoj për Nolin. Në fakt e kisha në mendje që në fjalët e para të këtij shkrimi, fjalë me të cilat fillon Don Kishoti, një nga gurët e çmuar që na la.
Në fillim, thotë Noli, ne duhet të pranojmë se kemi një problem të madh në një botë të bashkuar dhe ky është një problem ndërkombëtar në kohët e sotme. Prandaj duhet trajtuar si i tillë, dhe si i pandarë nga ndërkombëtarët, ku përfaqesuesit e shtetit tonë duhet të jenë në lartësinë e duhur të pretendimeve dhe të përgjigjeve. Dhe në mënyrën më të zgjuar dhe të përgatitur, duke zgjedhur logjikën, kulturën, dijen, shkencën dhe diplomacinë e paqes, dhe jo kapadaillëkun. Në këtë mënyrë kanë avancuar më shumë se ne popujt fqinjë, me zgjuarsi, seriozitet dhe këmbëngulje, ndërkohë që ne humbim kohë të çmuar me luftëra të brendshme e akuza se fqinjët e agjentë të huaj na prishin punë.
Noli tregonte shpesh një nga ato që ai i quan mesele, se konsideronte të dobishme të ofrohej një shembull, si India. Indutë e pyetën Gandin, si të ia bënin për të arritur pavarësinë? Gandi kërkoi njëzet mijë vetë dhe me to filloi një fushatë paqësore, duke çliruar, siç e dimë, Indinë, pa shkrepur një pushkë. Gandi na ofroi një mjet që konsistonte në mënyrën për të ia kthyer mendjen armikut, ta bënte të mendonte si ai, dhe të ia demostronte këtë. Me këtë iu mbushi mendjen anglezëve që ishin 400 milionë indu që nuk i donin aty, që donin një sistem tjetër, një mënyrë tjetër të jetuari.
Por ndërkohë që nuk dihet se kur mund të kemi një lider si Gandi, apo si Noli, ne duhet të jemi të përgatitur. Duhet të dërgojmë dhe të kthejmë ata që kanë shkuar dhe studiuar në shkollat më të mira e serioze të botës, që të sjellin dijen, përvojën, integritetin, seriozitetin dhe vlerat shkencore e njerëzore të domosdoshme për përparimin e vendit. Kjo duhet bërë urgjentisht duke dedikuar të gjitha burimet ekonomike të nevojshme, duke sakrifikuar edhe bukën e gojës, se jo vetëm me bukë jeton njeriu. Të gjithë e dimë se çfarë përgatitjeje kanë ofruar shkollat e universitet tona këto vitet e fundit dhe të njëjtën gjë ofrojnë akoma. Një të njohurit tonë politikan profesionist nuk do i pëlqejë kjo, se ai është doktor i shkencave dhe diploma me një “K” të madhe diamantesh është sfondi dekorativ i fotove që vendos në Facebook, “live nga zyra”, -e shtetit.
Kemi, mbase, një vështirësi të vogël në aplikimin praktik të kësaj ideje: politikanët tanë nuk janë anglezë, pra është aq e vështirë për ta që të ndryshojnë mentalitet sa edhe për ne. Por nuk është e pamundur nëse çdonjëri është si një nga ata të njëzet mijët që ndoqën Gandin, pra që paqësor dhe me integritet kërkon të drejtën e tij me këmbëngulje e logjikë se jemi në vendin tonë, atë që na kanë lënë të parët dhe se kushdo që nuk na respekton këtu duhet bindur se gabon dhe duhet të ndryshojë ose të hapë krahun. Kështu mund të jetë interesante që gradualisht të ndërrojmë drejtuesit me të tjerë të rinj e të studiuar.
Tani, sa për kuriozitet jo tjetër, dhe pa e lëshuar veten pyeteni atë: sa prej politikanëve tanë e njohin Gandin apo edhe Nolin, dhe sa rëndësi ka për ta që njëri ka studiuar në një Universitet në Londër dhe tjetri në Harward?