Nga Prof. dr. Ahmet Kamberi/
Sot ne jemi sulmuar nga një qenie e re e panjohur më parë i emërtuar si Covid-19. Ndonëse i padukshëm ky është një armik i cili lë gjurmë ngado që kalon, por ne edhe pse nuk i shohim ato kemi mësuar tashmë t’i dallojmë. Nuk jemi sulmuar vetëm ne, është sulmuar i tërë njerëzimi. Por njerëzimi ka parë edhe më të këqij se ky. Ka parë kolerë, ka parë murtajë dhe i ka mundur e madje i ka zhdukur ato. Covid-19 është një djall i zi me brirë, por njeriu është i ditur dhe i mençur. I a ka kuptuar shumë shpejt djallëzitë dhe bën që t’i dështojnë ato.
Por sot ne ndodhemi edhe para një sulmi tjetër, një sulm i mbrapshtë njerëzor që na vjen nga politikanët e pamoralshëm dhe nga çdokush tjetër që pa pasur njohuritë e nevojshme, ose pa pasur fare njohuri merr përsipër të bëjë specialistin e dorës së parë, e madje nga padia ose djallëzia shtrembëro gjerat, i nxin më shumë se ç’janë, i huton qytetarët, u trondit besimin, i bën të besojnë të kundërtën e asaj që duhet, ose u shërben atyre këshilla të marra. Ky pra është sulmi i frikësimit të njeriut.
Nëse sulmi i parë, ai i Covid-19-s na rrezikon shëndetin dhe jetën, ky sulmi i dytë na nxit frikën. Dhe kur njeriun e zë frika, ai bëhet padashur viktimë e sulmit të vërtetë, duke i krijuar vetes probleme të pajustifikueshme dhe duke mos bërë atë që duhet me të vërtetë. Prandaj sulmi i frikësimit është aleati më i mirë i Covid-19-s.
Nëse sulmit të Covid-19-s duhet t’i përgjigjemi me masat luftarake kundër tij, sulmit të frikësimit duhet t’i përgjigjemi me “Të shitoftë Zana”…
Në këtë betejë kundër dy sulmuesve aleatë, unë do të doja të bëja këto sqarime e propozime për qytetarët e frikësuar:
- Çdokush në Shqipëri duhet të dijë se ne kemi një Institut të Shëndetit Publik në të cilin punojnë specialistë epidemiologë, mikrobiologë dhe higjienistë të shquar, të aftë për të përcaktuar masat e nevojshme epidemiologjike dhe higjienike në pajtim me ato që propozohen nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH). Dhe masat epidemiologjike përcaktohen në bazë të shkallës së rrezikut, si edhe të rrethanave të ndryshme të vendit. Zotësinë e tyre për këtë punë, nuk mund ta sfidojë kurrkush, qoftë ai edhe mjek i profileve të tjera.
- Çdokush në Shqipëri duhet të dijë se në Spitalin Infektiv të QSU “Nënë Tereza”, Tiranë, punojnë mjekë të shquar, specialistë për sëmundjet ngjitëse, të cilët kanë njohuritë e nevojshme për mjekimin e Covid-19-s dhe i përditësojnë ato.
- Çdokush në Shqipëri duhet të dijë se ne kemi specialistë anestezistë –reanimatorë, të aftë, por në numër të kufizuar, të cilët janë të zotë të mbajnë të sëmurët në frymëmarrje të drejtuar për ditë e javë të tëra, po të jetë se lind nevoja për këtë.
Këta janë gjeneralët e shëndetësisë shqiptare që kanë zotësinë të drejtojnë luftën kundër kësaj sëmundjeje jetëkërcënuese që i është sulur në ditët e sotme mbarë njerëzimit. Veçse ata duhet të kenë në krye një Kryegjeneral, atë më të zotin prej tyre.
Këtyre u duhet kërkuar të shpjegojnë ditë përditë programet e tyre, si edhe nëse ato kanë edhe mbështetjen e Qeverisë. Dhe Qeveria nëse don të mos gabojë, duhet të dëgjojë vetëm zërin e tyre dhe të askujt tjetër që nuk ka njohuritë e nevojshme për këtë punë, dhe /ose ushtron presion ndaj saj për të marrë vendime e veprime që nuk pajtohen me gjendjen epidemiologjike dhe realitetin në të cilin ndodhet vendi.
Këtyre u duhet kërkuar të shpjegojnë se në cilën kategori vendesh të prekura sipas OBSH-së gjendemi ne. Në vend pa Covid-19, në vend me raste të izoluara Covid-19-e, në vend me grupime Covid-19-te, apo në vend me përhapje në bashkësi të Covid-19-s. E po ashtu nëse masat epidemiologjike dhe gatishmëria spitalore janë në përputhje me këtë kategorizim, janë të mangëta dhe duhet të plotësohen, ose janë të ekzagjeruara dhe si të tilla edhe të dëmshme.
Unë do të doja t’u thosha të gjithë të tjerëve të mbështesin masat e propozuara nga gjeneralët që kanë zotësinë ta drejtojnë këtë luftë, të mos iu përzihen atyre, ti lënë të qetë në përgjegjësinë e tyre, t’i guximojnë dhe t’i përkrahin e mbështesin ata. Për ndryshe unë do t’i mallkoja “Ju shitoftë Zana” dhe këtë mallkim ta përsërisë secili në mënyrën e vet dhe me mjetet e veta, po nuk deshi që të bëhet aleat i Coronavirusit.
Unë do t’i thosha gjithkujt t’i kthejë përkohësisht shpinën politikanëve të preferuar prej tij për deri sa të fitohet kjo luftë me të keqen. T’i lërë ata rehat të bëjnë detyrat e tyre për të cilat u është dhënë vota; të përfundojnë së paku ligjin për zgjedhjet se po i afrohemi asaj dite dhe ata ende nuk kanë gjetur mënyrën se si ti sigurojnë interesat e tyre, por jo tonat. Kur të fitohet kjo luftë, që është e të gjithëve, atëherë t’u kthehen prapë atyre se aty i do t’i kenë.
Specialistët më të mirë të botës shprehin bindjen se lufta me Covid-19-n do të fitohet, por kjo kërkon që të merren vendimet e duhura dhe masat e bashkërenduara të gjithë shoqërisë, të gjithë Qeverisë, të biznesit, të bashkësisë, të familjes dhe individëve.
Dhe po e përmbyll këtë shkrim me thirrjen e Drejtorit të Përgjithshëm të OBSH-së në fjalën e hapjes së informimit të mediave për Covid-19-n, më 9 mars 2020:
Ta bëjmë shpresën antidot të frikës.
Ta bëjmë solidaritetin antidot të mallkimit e të fajësimit
Ta bëjmë njeridashjen e përbashkët antidot të rrezikut të përbashkët.
Me ne fund nje shkrim shkencor, realist, objektiv