Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u ka nisur dy letra dy partive më të mëdha politike në vendin tonë, PS dhe PD ku u bën thirrje të zbatojnë kodin zgjedhor duke marrë masa për shkeljet që po kryhen në terren.
Në letrën drejtuar Partisë Demokratike, KQZ kërkon që kjo parti të ndalojë menjëherë materialet propagandistike të koalicionit “Partia Demokratike – Aleanca për Ndryshim PD-AN”, nga fasadat e godinës Universitetit Politeknik të Tiranës.
Ndërsa Partia Socialiste materialet propagandistike të fushatës i ka shfaqur në Bashkinë e Gjirokastrës.
“Duke marrë shkas nga fakti i bërë publik i afishimit të dy materialeve propagandistike elektorale, në Bashkinë Gjirokastër, ju kërkojmë të merren masa të menjëhershme për heqjen e tyre”, thuhet në kërkesën e KQZ drejtuar PS-së.
Sipas ligjit, ndalohet afishimi i materialeve propagandistike në fasadat e godinave të banimit, institucionet publike apo ambientet rrethuese pranë tyre, parqet, në pemët e qytetit dhe shtyllat e ndriçimit./ b.h