• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Monday, March 9, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kosova

Në krah të SHBA-së kundër Iranit, sa e sigurt është Kosova?

by A R
09/03/2026 09:59
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Shumë shpejt pasi bombat e para ranë mbi Iran – duke ndezur një konflikt që brenda orësh mori përmasa rajonale – autoritetet e Kosovës nxituan të dilnin në krah të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dënuan regjimin iranian dhe riafirmuan mbështetjen e tyre për aleancën perëndimore.

Presidentja Vjosa Osmani tha se, falë udhëheqjes së SHBA-së dhe presidentit Donald Trump, koha e lirisë për popullin e Iranit po vjen.

Në një reagim në X, ajo shtoi se Kosova do të vazhdojë t’i mbështesë veprimet e ndërmarra nga SHBA-ja dhe aleatët e tjerë për t’i dhënë fund regjimit iranian, ndërsa dënoi fuqishëm sulmet e këtij të fundit kundër aleatëve në Lindjen e Mesme, përcjell A2.

Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën sulmet e përbashkëta kundër Iranit më 28 shkurt, me synimin për të frenuar programin bërthamor të këtij vendi. Në kundërpërgjigje, Irani dhe mbështetësit e tij po godasin objektiva në vendet aleate të SHBA-së – nga Arabia Saudite deri në Qipro – pavarësisht paralajmërimeve të Trumpit kundër hakmarrjes.

“Më mirë mos ta bëjnë këtë, sepse, nëse e bëjnë, do t’i godasim me një forcë që nuk është parë kurrë më parë”, shkroi Trump në rrjetin Truth Social.

Disa orë pas nisjes së sulmeve, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mblodhi Këshillin e Sigurisë për të diskutuar situatën, dhe tha se Kosova po monitoron nga afër implikimet e mundshme për vendin dhe rajonin.

Qeveria e tij nuk iu përgjigj Radios Evropa e Lirë mbi implikimet e mundshme apo masat konkrete që mund të merren. Po ashtu, as Presidenca, as Ministria e Punëve të Brendshme, as Policia e Kosovës dhe as Departamenti amerikan i Shtetit nuk dhanë asnjë koment.

Kosova strehon kampin Bondsteel – bazën më të madhe ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Ballkan – dhe rreth 600 ushtarë amerikanë, që shërbejnë në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR.

Në një përgjigje dhënë Radios Evropa e Lirë, një zyrtar i NATO-s tha se KFOR-i vazhdon të përmbushë mandatin e tij për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Forca dhe pozicioni i KFOR-it rishikohen dhe përshtaten herë pas here, sipas zhvillimeve të situatës, në mënyrë që misioni të mbetet i efektshëm për qëllimin e tij. Aktualisht, nuk po shqyrtohen ndryshime të rëndësishme”, tha zyrtari i NATO-s.

Irani dhe mbështetësit e tij sulmuan disa baza dhe misione të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre në Lindjen e Mesme. Një bazë britanike në Qipro ishte gjithashtu shënjestër e sulmeve me dronë. Autoritetet qipriote thanë se, sipas vlerësimeve fillestare, dronët u lëshuan nga Hezbollahu – grup militant i mbështetur nga Irani – nga territori i Libanit.

Incidenti nxiti reagim të menjëhershëm evropian: disa shtete dërguan avionë luftarakë dhe fregata në Qipro, për të forcuar mbrojtjen ajrore dhe detare të ishullit mesdhetar, mes frikës për një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit.

Kur bëhet fjalë për Kosovën, ish-zyrtari i lartë i NATO-s, Jamie Shea, argumenton se, edhe pse kampi Bondsteel është një instalim i madh amerikan, ai nuk ka gjasa të renditet ndër objektivat prioritare të Teheranit. Kjo, për faktin se Bondsteel-i nuk është bazë ajrore dhe nuk shfrytëzohet për të mbështetur opereacionet aktuale të SHBA-së kundër Iranit.

“Mësa kuptoj, Irani ka në dispozicion një numër të kufizuar raketash balistike. Duke qenë se Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli po godasin platformat e lëshimit të tyre, Irani duhet t’i përdorë ato në mënyrë të zgjuar, për të arritur efektin maksimal”, thotë Shea për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

Sipas Zyrës së Drejtorit për Zbulim Kombëtar të SHBA-së, Irani ka rezervën më të madhe të raketave balistike në Lindjen e Mesme. Arsenali i tij përfshin raketa me rreze të gjatë që mund të arrijnë Izraelin, raketa lundruese Kh‑55 me rreze deri në 3.000 km dhe dronë Shahed, që besohet se kanë goditur bazën britanike në Qipro dhe arrijnë deri në 2.500 km.

Kjo do të thotë se, nëse lëshohet nga Irani, Ballkani mbetet jashtë rrezes së këtij arsenali.

Ish-komandanti i ushtrisë amerikane në Evropë, Ben Hodges, paralajmëron se brenda rrezes së kërcënimeve të mundshme, mund të jetë baza e Marinës amerikane në Kretë të Greqisë. Ai e konsideron atë si një objektiv të rëndësishëm në Evropë edhe për shkak të rolit të saj logjistik në rajon.

Hodges nuk përmend kërcënime specifike me raketa ose dronë ndaj Bondsteel-it, por thekson se baza duhet të trajtohet gjithmonë si nën rrezik potencial.

“Gjithmonë do të supozoja se ekziston një kërcënim, sidomos nëse ka organizata terroriste ose individë që mund të ndjehen të zemëruar për sulmet ndaj Iranit ose për vrasjen e Ajatollahut, dhe vendosin të veprojnë vetë. Prandaj, edhe në kampin Bondsteel duhet të mbahen masat e sigurisë dhe të llogaritet gjithmonë kjo mundësi”, thotë Hodges për Exposenë.

Shea thekson se për Evropën, përfshirë Kosovën, kërcënimet më të mundshme të veprimeve iraniane ose të frymëzuara nga Irani, janë sulmet terroriste, sulmet kibernetike dhe sulmet e individëve të njohur si “ujq të vetmuar” – persona të frymëzuar nga ideologji ose grupe, por që veprojnë në mënyrë të pavarur.

“Shumë kosovarë iu bashkuan Shtetit Islamik gjatë kohës së kalifatit; disa prej tyre mund të jenë kthyer në vend, disa mund të mbeten ende të radikalizuar. Kjo do të thotë se mund të ekzistojnë disa ‘xhepa’ të radikalizimit. Dhe, nuk po flas vetëm për Kosovën, sepse situatë e ngjashme mund të shfaqet edhe në vende të tjera të Evropës, brenda komuniteteve myslimane”, vlerëson Shea.

Ai paralajmëron se konflikti mund të sjellë edhe rritje të çmimeve të naftës dhe gazit, inflacion më të lartë dhe recesion të madh global. Pasojat do të jenë veçanërisht të rënda për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor në tërësi – një rajon që ai e përshkruan si ekonomikisht të brishtë dhe të varur nga investimet e huaja.

E, përveç kësaj, gjenerali Hodges ndan edhe një shqetësim tjetër – sigurinë e qytetarëve evropianë, përfshirë edhe kosovarë, të bllokuar në vendet e Gjirit dhe Lindjes së Mesme.

“Nëse janë qindra mijëra evropianë të ngujuar në Emiratet e Bashkuara Arabe, Katar ose vende të ngjashme, për shkak se linjat ajrore janë ndalur, atëherë mund ta kuptoj përse Qeveria franceze mund ta ndiejë nevojën për të dërguar forcën e saj për t’i mbrojtur ata”, thotë Hodges.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, njoftoi këtë javë se vendi i tij do të dërgojë aeroplanmbajtësin “Charles de Gaulle” në Mesdhe dhe se do të punojë për të formuar një koalicion që do të mbronte trafikun detar, i cili rrezikohet nga përshkallëzimi i krizës në Lindjen e Mesme.

Në kontekstin e masave të sigurisë për Kosovën, Shea sugjeron që autoritetet të forcojnë kontrollin e kufijve, të monitorojnë individët potencialisht të radikalizuar, të rrisin sigurinë rreth objekteve të SHBA-së dhe KFOR-it, si dhe të forcojnë bashkëpunimin operacional dhe të inteligjencës me NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara.

“Natyrisht, ekziston edhe një forcë rezervë e NATO-s që mund të dislokohet nëse situata e kërkon. Por, aktualisht, bëhet fjalë për masa të zakonshme parandaluese. Siguria duhet të përshtatet sipas vlerësimeve të kërcënimeve. Nuk duhet të reagosh më pak, por as ta teprosh me reagimin”, thotë Shea.

Me kalimin e çdo dite që lufta vazhdon, rreziqet bëhen gjithnjë e më të paparashikueshme. Hodges thotë se Uashingtoni nuk e ka përcaktuar kurrë qartë se si dëshiron të duket Irani kur lufta të mbarojë – gjë që, sipas tij, e bën konfliktin më të vështirë për t’u përfunduar.

Ai paralajmëron, gjithashtu, për presionin mbi rezervat ushtarake amerikane dhe mbi kapacitetin e përgjithshëm të parandalimit.

“Sa më gjatë që zgjat konflikti, aq më shumë vihet në provë aftësia e SHBA-së për të siguruar mjaftueshëm municion. Kjo nuk lidhet vetëm me operacionet aktuale, por edhe me ruajtjen e kapaciteteve të parandalimit ndaj Kinës. Unë jam i sigurt se po ushtrohet presion i madh mbi industrinë, për të rritur prodhimin. Por, këto nuk janë produkte të thjeshta – bëhet fjalë për armë shumë të sofistikuara, të shtrenjta dhe që kërkojnë kohë për t’u prodhuar. Nuk mund të trefishosh apo katërfishosh menjëherë prodhimin e interceptorëve Patriot, sistemeve HIMARS apo raketave Tomahawk”, thotë Hodges.

Presidenti Trump tha më 4 mars se forcat e Shteteve të Bashkuara janë në një pozicion shumë të fuqishëm në Iran. Sipas tij, ato kanë bërë një përparim të madh, “edhe pse lufta ka më pak se një javë që ka nisur”. Dhe, ndoshta, faktori më i rëndësishëm për këtë është “rindërtimi i ushtrisë gjatë mandatit tim të parë”, tha Trump.

Në Ballkan, Ministria e Sigurisë e Bosnje e Hercegovinës rriti masat e sigurisë në një nivel më të lartë, për shkak të përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e krahasoi sulmin e SHBA-së ndaj Iranit me fushatën ajrore të NATO-s kundër ish-Jugosllavisë.

Me fjalët e Jamie Sheas, kjo është thjesht një “analogji krejtësisht e rreme” dhe retorikë e përsëritur e Serbisë, e cila ka mbështetjen edhe të Iranit në kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës.

Irani, me një popullsi prej mbi 91 milionë banorësh, nuk e njeh Kosovën si shtet dhe nuk ka marrëdhënie diplomatike zyrtare me vendin.

Next Post

LIVE! PS zbulon raportin për Ballukun, mblidhet Grupi Parlamentar

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Lëvizje në Policinë e Shtetit, ja drejtuesit e rinj të komisariateve Devoll dhe Peqin (EMRAT)

Gara për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, zbulohen emrat e kandidatëve

March 9, 2026
Rama – SPAK-t: Kur na kërkoni arrestime, ejani me prova! Jo me incizime me dy gra

Rama – SPAK-t: Kur na kërkoni arrestime, ejani me prova! Jo me incizime me dy gra

March 9, 2026

“Nuk ngre karton që t’i hiqet imuniteti”, Rama për Ballukun: Do ketë në krah vetëm avokatët e saj

March 9, 2026
GPS “i çmendur” dhe anije në pritje, kaosi detar në Ngushticën e Hormuzit

GPS “i çmendur” dhe anije në pritje, kaosi detar në Ngushticën e Hormuzit

March 9, 2026
Pas sanksioneve të SHBA-së, BE mbështet Gjykatën Ndërkombëtare Penale: Institucioni duhet të jetë i lirë dhe pa asnjë presion

Von der Leyen vë në pikëpyetje besimin e Evropës në rendin e bazuar në rregulla

March 9, 2026

GJKKO pranon kërkesën e Veliajt, vendos t’i vërë në dispozicion të gjitha aktet hetimore

March 9, 2026
“Ku ndryshojmë nga ata që dje e deshën të pushkatuar gjyshin e saj”, Rama për Ballukun: Prezumimi i pafajësisë është vija ndarëse mes demokracisë dhe diktaturës

“Ku ndryshojmë nga ata që dje e deshën të pushkatuar gjyshin e saj”, Rama për Ballukun: Prezumimi i pafajësisë është vija ndarëse mes demokracisë dhe diktaturës

March 9, 2026
“Gjyqi mediatik i Veliajt, masakër gurësh e pështymash”, Rama: Prezumimi i pafajësisë, viktima më e madhe e reformës në drejtësi

“Gjyqi mediatik i Veliajt, masakër gurësh e pështymash”, Rama: Prezumimi i pafajësisë, viktima më e madhe e reformës në drejtësi

March 9, 2026
Izraeli përdori fosfor të bardhë në Liban, HRW ngre alarmin për efektet e tmerrshme

Izraeli përdori fosfor të bardhë në Liban, HRW ngre alarmin për efektet e tmerrshme

March 9, 2026
Rama-SPAK-ut: Heto privatizimin e 4 hidrocentraleve në kohën e Berishës, nëse do të luftosh korrupsionin

Rama-SPAK-ut: Heto privatizimin e 4 hidrocentraleve në kohën e Berishës, nëse do të luftosh korrupsionin

March 9, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In