Sokol Sanxhaktari, 34 vjeç, është ndaluar tashmë nga Policia e Elbasanit si i dyshuar për vrasjen e 30-vjeçarit Florjan Lamçes.
Sipas Policisë, personat e përfshirë në konflikt ishin në gjendje të dehur. Madje, burimet nga uniformat blu bënë të ditur se 34-vjeçari Sanxhaktari në momentin e shoqërimit në Polici ka qenë në një gjendje të rëndë, pas konsumimit në sasi të lartë të alkoolit.
““Florin e kam shok. U takuam pasdite dhe kemi qenë në disa lokale. Në darkë u ulëm me Ardianon dhe me Florianin tek lokal Piazza dhe kemi pirë shumë, pije të ndryshme. Nuk e kujtoj as si nisi debati dhe as pse më qëlloi dhe e qëllova. Jam i shokuar. Nuk e di si ka ndodhur. Ne jemi miq”,-ka thënë sot gjatë dëshmisë së tij para efektiveve te policisë.
Sokol Sanxhaktari dhe Qazim Sejdini me familjen
POR KUSH ËSHTË SOKOL SANXHAKTARI?
Sokol Sanxhaktari, dhëndri i ish-kryebashkiakut Qazim Sejdini, është një personazh i njohur për drejtësinë.
Sanxhaktari është akuzuar se ka kryer një sërë veprash penale, por me sa duket, gjithmonë i ka shpëtuar drejtësisë. Ndërkohë Sanxhaktari njihet edhe si miku i afërt i Sokol Çelës, ky i fundit i akuzuar si i përfshirë në ngjarjen që ndodhi mesnatën e 18 shtatorit kur një automjet i blinduar tip “Audi A8” goditi makinën e patrullës së Policisë, brenda të cilit ishte ish-zv.drejtori i Policisë, Gjergji Oshafi.
Po ashtu, mbetur vetëm në “thashethemet” mediatike dhe akuzat politike të opozitës shqiptare, dhëndri i Qazim Sejdinit, Sokol Sanxhaktari, dyshohet se është i përfshirë në grupin kriminal të bandës së Çelës.
Ai është arrestuar disa herë, por gjithnjë ia ka dalë të rifitojë lirinë, duke i shpëtuar drejtësisë me dënime qesharake. Zakonisht ndodhte që viktimat të tërhiqeshin nga akuzat që ngrinin ndaj Sanxhaktarit, ose prokurori detyrohej të largohej nga çështja e hetimit, ose Policia shpallej nga gjykata në tejkalim kompetencash sepse kishte shoqëruar dhëndrin e kryetarit të Bashkisë.
Në janar të vitit 2016 Sokol Sanxhaktari i shkruan drejtuesit të prokurorisë Elbasan, Besnik Cani, që të zëvendësojë prokuroren e çështjes Erinda Lamkën. Në letrën e shkruar, 34-vjeçari aludonte se akuzat i ishin ngritur për shkak të lidhjes që ai kishte me ish-kryetarin e Bashkisë së Elbasanit.
Sanxhaktari vijonte duke thënë se prokurorja e çështjes po kryente hetime tendencioze dhe keqdashëse ndaj tij, pasi Qazim Sejdini nuk kishte pranuar t’i punësonte bashkëshortin. Ngjarja për të cilën prokuroria ngriti akuza penale ndaj Sanxhaktarit kishte ndodhur mbrëmjen e 20 dhjetorit 2015. Salla operative e Policisë në Elbasan atë kohë është njoftuar se një person ndodhej i armatosur në ambientet e një lokali “Lloto-Sporti”, ne lagjen “Luigj Gurakuqi” të qytetit të Elbasanit.
Në vendngjarje, përveç patrullës, mbërrijnë edhe drejtues më të lartë të policisë së qarkut, të cilët personin e armatosur e identifikojnë si Sokol Sanxhaktarin./ panorama
g.kosovari
Edi Rama e ka liruar kete,kjo dihet ne gjithe Elbasanin