“E prisnim për pushime, do vinte këto kohë”. Kështu shprehen familjarët e Erjon Toros, shqiptarit që humbi jetën nga tërmeti i djeshëm në Itali.
Erjoni ishte djali i vetëm i familjes, me tre motra më të vogla. Familja ka hapur dyert e mortit dhe bën apel për sjelljen e trupit të djalit me cdo kusht, qoftë edhe t’i paguajnë vetë shpenzimet. Nëna e Erjonit është e sëmurë me kancer dhe dhimbja tashmë e ka vënë përfund. Familjarët kanë treguar për “Neës 24” se ka qenë daja që u ka dhënë lajmin e tmerrshëm, se Erjoni ka humbur jetën dhe familja e tij ka mbetur e lënduar nga tërmeti.
“Nuk mund ta besojmë vdekjen e Erjonit. Ishte gjithçka e papritur, por nuk kemi në dorë asgjë, madje as natyrën. Në orën 10:00 të paradites na lajmëruan me telefon dhe na thanë se ai kishte vdekur”.
Ky është rrëfimi i Fatjon Toros, djalit të xhaxhait të Erjon Toros, emigrantit shqiptar, i cili mbeti viktimë mes 120 personave të tjerë nga tërmeti që përfshiu mëngjesin e sotëm Italinë qendrore. Në një intervistë për ‘BalkanWeb’, Fatjoni tregon se si e morën vesh lajmin e kobshëm.
Ndër të tjera kushëriri tregon se gruaja e Erjonit ndodhet në spital, bashkë me dy vajzat, 5 dhe 3 vjeç. “Erjoni ishte djalë i vetëm. Kishte edhe tre motra. Ishte i lidhur shumë më nënën.”, shkon më tej rrëfimi i Fatjonit.
INTERVISTA
Kush jua dha lajmin e kobshëm për humbjen e kushëririt tuaj?
Në orën 10:00 të paradites na ka ardhur një telefonatë. Na njoftoi daja i Erjonit. Daja jeton bashkë me motrën e tij në Amatrice. Ata na e dhanë lajmin e hidhur. Jemi të gjithë të shokuar si fis, ishte një humbje e madhe për të gjithë ne. Sidomos për familjen. Erjoni ishte pika e dobët e familjes, djali i vetëm mes 3 motrave.
Keni marrë informacioneve se si është gjendja e gruas së Erjonit dhe dy vajzave?
Aktualisht të trija janë duke marrë ndihmën mjekësore në spital. Nga ato që na thanë familjarët tanë, gruaja e Erjonit ka fraktura dhe ka thyer legenin, ndërsa vajzat fatmirësisht janë mirë.
Si arriti të shpëtonte gruaja bashkë me vajzat? Keni mësuar diçka mbi këtë fakt?
E gjithë ka ndodhur falë ndërhyrjes së shpejtë. Ata që kanë dhënë ndihmën e parë kanë mundur të nxjerrin nga shtëpia gruan e Erjonit dhe vajzat, ndërsa kushëriri im ngeli mes rrënojave.
E ka mësuar bashkëshortja lajmin për vdekjen e Erjonit?
Jo ende nuk e ka mësuar. Menduam se është herët për të që t’ja thoshim, pasi është e sëmurë.
Po gjendja e familjarëve të Erjonit si është?
Nëna dhe babai i Erjonit sapo e morën vesh lajmin, u hidhëruan. Nëna dhe tre motrat, (dy prej tyre jetojnë në Shqipëri dhe tjetra në Greqi) marrin ndihmë mjekësore në shtëpi. Jemi të gjithë keq. Nuk kemi fjalë.
Sa vite kishte Erjoni që jetonte emigrant në Itali? Kur ka qenë hera e fundit që ka ardhur në Shqipëri?
Erjoni, kishte 15 vite që kishte emigruar në Itali. Punonte në ndërtim në Amatrice. Ndërsa e shoqja kujdesej për dy vajzat, një 5 vjeçe dhe tjetra 3 vjeç. Kishte dy vite pa ardhur në Shqipëri. para një jave xhaxhai im u kthye nga Italia bashkë me gruan e tij. Pasi shkonin shpesh tek ai.
E mbani mend nga bisedën e fundit me Erjonin? Çfarë ju ka thënë?
Para një jave kam folur. Shkoja shumë me të. Ishim si vëllezër. Ishte një bisedë e thjeshtë në ‘FB’. Gjera normale.
A ka ardhur ndonjë zyrtar në familjen e xhaxhait tuaj për t’ju dhënë informacioneve për vdekjen e Erjonit?
Jo nuk ka ardhur asnjë, sepse nuk ishte konfirmuar lajmi ende. Ne edhe pse e dinim, shumë vonë u dha emri i tij në mediat italiane, e më pas doli dhe njoftimi i Ministrisë së Jashtme se Erjoni kishte vdekur. Tani duhet të presim për procedurat e ardhjes së trupit në Shqipëri, nga 1 javë deri në 10 ditë.
/r.a