Inxhinieri i madh, gjeniu shqiptar Gjovalin Gjadri, u përkujtua në Universitetin e Prishtinës nga specialistët e fushës por edhe ndjekësit e veprës së tij.
Inxhinieri i madh, gjeniu shqiptar Gjovalin Gjadri, u përkujtua në Universitetin e Prishtinës nga specialistët e fushës por edhe ndjekësit e veprës së tij. Fjala e plotë e Dekanit të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit Tiranë/Shqipëri, Neritan Shkodrani.
I nderuar Dekan i FIN të Universitetit të Prishtinës, Prof. Florim Grajcevski, të nderuar familjarë të Prof. Gjovalin Gjadrit, i nderuar Ervin Gjadri, të nderuar profesorë, kolegë, inxhinierë dhe të dashur studentë, të nderuar pjesëmarrës:
Është kënaqësi dhe nder i veçantë për mua t’i drejtohem këtij auditori në “Ditën e Gjovalin Gjadrit”, në këtë aktivitet të organizuar nga FIN i Universitetit të Prishtinës në Kosovë, për të përkujtuar veprën dhe kontributin e shquar të këtij inxhinieri të talentuar.
Si Dekan i FIN në Tiranë, ndihem i privilegjuar për t’ju përshëndetur në këtë ditë të veçantë edhe në emër të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit të UPT.
Kontributi i Gjovalin Gjadrit lidhet ngushtë me projektimin dhe ndërtimin e urave më të njohura në Shqipëri. Të shumta janë urat e projektuara prej tij.
Pas zbatimit me sukses të plotë dhe me tepër origjinalitet të projektit të urës së Matit (Zogut) pas kthimit në atdhe nga Bashkimi Sovjetik në Ministrinë e Punëve Botore në fund të vitit 1931, Inxh. Gjadri, realizon projektimin, zbatimin e ndërtimin e disa urave tepër të rëndësishme në Shqipëri që njëhkohësisht janë dhe tepër moderne për kohën, nga të cilat veçojmë :
– Ura që ndodhet mbi Lanë në Bulevardin Kryesor të Tiranës. Është projektuar dhe zbatuar në vitin 1932 nga Ing. Gjovalin Gjadri. Në atë kohë bulevardi mbante emrin e mbretit Zog. Ura u ndërtua prej betoni të armuar dhe veçantia e saj është se ka më shumë gjerësi se gjatësi. Ura ka një gjatësi prej 30,3m dhe gjerësi 35m. Të dhënat teknike jane marrë nga kopja origjinale e projektit të Inxh.Gjovalin Gjadrit që ndodhet gjithashtu ne Arkivin Qendror Teknik te Ndërtimit.
– Ura e vjetër e Gomsiqes.
Një nga veprat inxhinierike më të rëndësishme të realizuara nga Inxh.Gjovalin Gjadri ,është Ura e Vjetër e Gomsiqes, e inauguruar në 25 Gusht të vitit 1935. Projekti i kësaj ure i realizuar nga Inxh Gjovalin Gjadri ishte tepër modern dhe i avancuar për kohën. Më konkretisht formula ekskluzive e përdorur prej Ing.Gjovalin Gjadrit në projektimin e Urës së Gomsiqës e cila konsistonte në përllogaritjen e vijave influentike të harkut të inkastruar dhe shmangien e tabelave statike u konsiderua si një zgjidhje tepër origjinale e tij. Inxh.Gjadri këtë metodë të tij tepër origjinale, si dhe pjesë të tjera të projektit të kësaj ure i përmblodhi në formën e një studimi ose kumtese me titull “Mbi problemet e urave në Shqipni”.
Në këtë studim gjithashtu Inxh Gjadri analizonte momente të tjera të rëndësishme që i përkisnin ndërtimit të Urave në Shqipëri. Në vitin 1936 Ing. Gjadri paraqiti kumtesën e tij “Mbi problemet e urave në Shqipni” në Kongresin II të IABSE (International Association for Bridge and Structural Engineering) – ku ilustroi gjetjet e tij origjinale.
Studimi u klasifikua si inovacion dhe shpikje në fushën e projektimit te Urave, duke e aprovuar jo vetem pjesëmarjen e Ing.Gjovalin Gjadrit ne Kongresin e Dytë Botëror të Urave që u zhvillua në Berlin në vitin 1936, që për Shqipërinë e viteve 30-të ishte një arritje e jashtëzakonshme, por edhe paraqitjen e këtij studimi shkencor gjatë punimeve të kongresit. Studimi i Ing.Gjovalin Gjadrit u botua më pas ne vitin 1937 në përmbledhjen e punimeve të Kongresit.
Nga muaji Dhjetor i vitit 1935 deri në fillim të vitit 1937 Inxh. ka qenë në funksionin e sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Punëve Botore dhe nga Qershori i vitit 1937 deri në vitin 1944 Drejtor i Kontrollit Teknik në këtë ministri.
Duke filluar nga viti 1943 Inxh Gjadri me propozimin e mikut të tij të ngushtë Dom Lazër Shantoja ka qenë anëtar i Institutit Mbretnuer të Studimeve Shqiptare. Përfundimi i luftës e gjen Inxh Gjovalin Gjadrin ne Ministrinë e Ndërtimit, në funksionin e Drejtorit Teknik të kësaj ministrie.
Siç e thekson vetë Inxh. Gjadri në autobiografinë e tij,”prej ditës së çlirimit e deri në fund të vitit 1949, kam kontribue me sa kam mujt në rindërtimin e urave të shkatërruara gjatë luftës si dhe në ndërtimin e urave të reja.”Periudha e pas çlirimit të Shqipërisë për Inxh. Gjovalin Gjadrin është një periudhë pune tepër intensive Inxhinierike si nga ana teorike ashtu dhe ajo praktike.
Në datën 28 Janar të vitit 1947, emërohet anëtar i Asamblesë së Përgjithshme të Institutit të studimeve të Shqipërisë. Gjithashtu, gjatë kësaj kohe fillon për Inxh.Gjadrin një periudhë e mbushur me punë tepër intensive për projektimin e zbatimin e një numri të madh veprash inxhinierike. Në Arkivën Qendrore Teknike të Ndërtimit janë rreth 75 vepra Inxhinierike që mbajnë firmën e Prof.Gjovalin Gjadrit, kryesisht ura. Urë e rëndësishme e projektuar dhe zbatuar nga Inxh Gjovalin Gjadri në ketë periudhë është Ura e Vjetër e Rrogozhinës.
Prof. Gjovalin Gjadri në 15 Tetor të vitit 1945 dorëzoi në Institutin e Shkencave dhe Ministrinë e Ekonomise. studimin me titull:
“Aplikimi në praktikë, i konstruksionit të Urave me tuba hekuri të vendosur njeri sipër tjetrit, që ndihmon në realizimin e strukturave tepër të qëndrueshme dhe ekonomike”. Prof Gjovalin Gjadri e aplikoi këtë studim në projektimin dhe zbatimin e Urës së Rrogozhinës, si edhe atë të Hasan Beut ne Berat, gjatë viteve 1945- 1946. Instituti i Shkencave dhe Ministria e Ekonomisë në një shkresë zyrtare të datës 26 Nëntor 1945 e klasifikojnë këtë studim si një novacion për shkencën e Inxhinierisë Shqiptare. (Dokumenti origjinal ndodhet në arkivën e Prof Gjovalin Gjadrit). Vepra të tjera inxhinierike të projektuara e zbatuara prej tij, vijojnë si më poshtë:
Krahas punës studimore dhe projektuese, si edhe detyrave drejtuese në zyra dhe ekipe inxhinierike qendrore të vendit, qysh në fillimet e angazhimeve profesionale Inxh. Gjovalin Gjadri do të mbetej gjithmonë një studiues i apasionuar i shkencës së konstruksioneve. Me punën dhe veprimtarinë e tij të madhe krijuese e rezultative, ai la një trashëgimi të pasur shkencore, duke u bërë i njohur edhe në komunitetin inxhinierik europian.
Në vitin 1949 Prof. Gjovalin Gjadri do të shquhet përsëri me një studim tjetër tepër origjinal, pas atij që paraqiti në Kongesin e Urave në Berlin në vitin 1936. Studimi i ri titullohej “ Funksioni i Adezjonit në Lëvizjen e trenit hekurudhor. ”Ky studim me 46 faqe i botuar në vitin 1949 në Buletinin e Institutit të Shkencave -Tiranë,e kapërcente kontekstin e angazhimeve të “zakonshme “të tij që ishin strukturat e urave. Prof.Gjadri shfaqet në këtë studim si një personalitet poliedrik, me dije të thelluara edhe në fushat e Matematikës së aplikuar Fizikës, e Mekanikës. Me argumente shkencore, e duke ju referuar studimeve të shkencëtarëve e inxhinierëve më të shquar të botës, si Dalamber, Kulon, Stefenson etj… Në këtë studim të shkëlqyer Prof.Gjadri vlerëson zgjidhjet e drejta e të guximshme, të bëra rreth një shekull më parë (1854) në ndërtimin e së parës hekurudhë malore ( alpine) asaj të Semmeringut, duke u mbështetur në rolin e adezionit midis rrotave të lokomtivës dhe shinave të trenit. Në fund të viteve 1950, duke hedhur në letër punën e tij për rikonstruksionin e urës së Mifolit, ai boton studimin me titull “Ura e Mifolit, zgjidhja e problemit te harkut me mbështetje, si sistem 4-fish statitikisht të papërcaktuem”
Në vitin 1965 Prof.Gjovalin Gjadri botoi vëllimin e I të veprës madhore të tij “Shkenca e Konstrukcioneve”. Kjo është monografia e parë shqiptare në këtë fushë. Ajo dallohet jo vetëm për analizat e thelluara teorike, por dhe për aplikimet fine inxhinierike. Prof. Gjadri e kishte konceptuar veprën e tij “Shkenca e Konstrukcioneve” në tri vëllime me rreth 2000 faqe në total. Por vdekja në vitin 1974 nuk e lejoi që ta dërgojë për botim vëllimin II, ku trajtoheshin edhe teoritë e Mekanikës së trojeve dhe as të përfundojë vëllimin III, ku do të përfshihej i plotë studimi origjinal i tij mbi analizën statike të strukturave tip-hark.
Është ndërmarrë një nismë kohët e fundit nga Fakulteti Inxhinierisë së Ndërtimit, për botimin e dy vëllimeve të tjera, të cilat janë me dorëshkrimin e Profesorit.
Duhet nënvizuar se librin i tij “Shkenca e konstruksioneve” Prof. Gjovalin Gjadri filloj ta shkruaj në vitin 1955, vit në të cilin ishte i atashuar në punë mësimore-shkencore pranë katedrës së Rezistencës së materialeve të Fakultetit të Inxhinierisë Tiranë (sot Departamenti i Mekanikës të strukturave në Fak. Inxh. Ndërtimit). Kjo është një periudhë tjetër shumë e rëndësishme e veprimtarisë së tij shkencore e pedagogjike. Ai gjatë 18 viteve si profesor në universitet, jep një kontribut të jashtëzakonshëm në edukimin dhe mësimin e shumë brezave të inxhinierëve të rinj.
Unë nuk dua të flas më shumë për këtë kontribut, sepse vepra shkencore dhe inxhinierike e tij do të zbulohet pak nga pak, dhe me detaje në kumtesat që do të mbahen në këtë aktivitet nga kolegët e nderuar të FIN Prishtinë dhe Tiranë, N. Pojani, M. Misini, M. Baballëku, G. Struga, F.Dhima, R. Alite e B. Morava.
Por si një inxhinier i formuar në vitet 1980-1990 nuk mund te ri pa përmendur impresionin që ne si inxhinierë të rinj që në atë kohë kishim nga vepra e këtij gjeniu të inxhinierisë shqiptare. Ky impresion vazhdon edhe sot, gjysmë shekulli pas ndarjes nga jeta e Gjovalinit.
I formuar jo vetëm si inxhinier por edhe si shkencëtar Prof. Gjovalini ka lënë një trashëgimi të shquar edhe me veprën e tij “Shkenca e Konstruksioneve”, një pjesë e së cilës do të prezantohet edhe sot në një kumtesë të dedikuar. Kjo vepër është konceptuar në tre vëllime dhe me mjaft interes do të ishte prezantimi i plotë i saj për profesionistët e fushave të ndryshme të inxhinierisë. Si profesionist i lidhur me Gjeoteknikën kam një kuriozitet të madh të njihem sidomos me Volumin e Dytë të kesaj vepre, e cila i kushtohet Mekanikës së Trojeve/Dherave.
Prof. Gjovalini nuk e jetoi jetën vetëm si inxhinier dhe shkencëtar. Ndoshta për shkak të rrethanave në mënyrë shumë të natyrshme ai krijoi dhe la pas edhe një vepër letrare, për të cilën do të flitet sot ne disa kumtesa, që priten me mjaft interes, nga profesorët e nderuar A. Ndreca, A. Blakaj, J. Basho dhe shkrimtari N. Ukaj.
Sot, ky aktivitet i kushtohet kontributit të Prof. Gjovalinit, si inxhinier, shkencëtar dhe artist. Ai na sjell sot më pranë veprave të krijuara prej tij në një kohë disi të largët, por që madhështia e krijimit të tyre i bën që të jenë kaq aktuale dhe interesante për t’i prezantuar edhe sot.
Dekan i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit Tiranë/Shqipëri, Neritan SHKODRANI
Prishtinë 13-03-2024