Sherret e përhershme të trajnerit të Chelseat, Jose Mourinho me arbitrat po e prishin imazhin e Premier Leagues, thotë Keith Hackett, ish-menaxher gjeneral i Shoqatës së arbitrave profesionalë në Angli. Federata e Futbollit e Anglisë (FA) ka ngritur procedurë disiplinore ndaj Mourinhos për fyerje ndaj arbitrit Jon Moss, i cili më pas përjashtoi portugezin nga ndeshja në humbjen e Chelsea 2:1 nga West Ham United, fundjavën e shkuar.
Trajneri i Chelsea, i cili është nën presion të madh, gjithashtu është ankuar edhe për gjobën prej 50 mijë funteve dhe një ndeshje suspendim, pasi kishte deklaruar se arbitrat po “frikësohen” të japin penallti për ekipin e tij. Këtë deklaratë e kishte dhënë pas humbjes në shtëpi nga Southamptoni në fillim të këtij muaji, shkruan Koha Ditore.
“Për fat të keq, imazhi i Premier Leagues po prishet nga veprimet e trajnerit te Chelsea, Jose Mourinho. Ai gjithmonë duket se është njeriu i vetëm i pakënaqur, i cili sulmon arbitrat për të arsyetuar paraqitjet e dobëta të ekipit të tij”, është shprehur Hackett.