Profesor Rexhep Qosja, sot, plotëson vitin e 85-të të jetës së tij. Një cak që tregon më shumë se një jetë, rrëfen një epokë kulturore. Një studiues i njohur i letërsisë, publicist dhe aktivist politik e social, ai ka shënjuar me jetën e vet në çdo aspekt përshkrimin dhe zhvillimin e Kosovës dhe jo vetëm. Me shumë guxim, ai është përballur në tema të vështira të lëmit të vet, debate, por mbi të gjitha në Rambuje me një nga momentet më të vështira të së ardhmes së ekzistencës së Kosovës. Prof. Qosja vazhdon të mbetet aktiv me mendimet e tij, shkrimet por më shumë nga të gjitha përballjet e tij me sens qytetar.
Pak i tërhequr në jetën e sotme, shpesh i mbyllur në Bjeshkë, ai nuk heq dorë nga letërsia por mbi të gjitha nga mendimet e tij, që tashmë i shkëputen me intervista nga personazhe të ndryshme apo ai i sjell përmes artikujve, ku qëndrojnë të materializuara vëzhgimet, sintezat dhe idetë e tij.
Falë tij, Kosova ka përsosur mendimin kritik dhe jo vetëm në letërsi; me anë të tij ka pasur një burrë të shquar në përballjet e vështira të konferencave ndërkombëtare dhe mbi të gjitha ka pasur një njeri, i cili ka vendosur gurë miliarë për probleme të ndryshme të natyrës së mendimit politiko-social kombëtar dhe letërsisë së shqiptarëve.
Në shenjë nderimi të thellë, Javanews, po e boton me një biografi fare të shkurtër dhe me dy nga krijimet e tij, të cilat kanë qenë të njohura prej vitesh nga publiku shqiptar.
***
Biografia e shkurtër
Rexhep Qosja ka lindur më 1936 në Vuthaj të Malit te Zi, ku dhe kreu filloren kurse tetëvjeçaren e mbaroi në Guci. Shkollën normale e mbaroi në Prishtinë dhe, po aty, u diplomua në degën gjuhë-letërsi të Universitetit të Prishtinës më 1964. Pasi u diplomua punoi si kryeredaktor i revistës “Jeta e re” dhe nisi veprimtarinë studimore e pedagogjike. Studimet pasuniversitare i ka vazhduar në Beograd dhe më 1971 merr gradën e “Doktorit të shkencave filologjike” me tezën “Asdreni-jeta dhe veprat” (1972). Prej shumë vitesh ishte drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës. Si një nga personalitetet më të shquara të kulturës dhe shkencës shqiptare është zgjedhur anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës si dhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Si punonjës shkencor në Insitutin Albanologjik të Prishtinës dhe si drejtor i atij Instituti (1972-1981) ai ka dhënë ndihmesa shumë të rëndësishme dhe ka botuar një numër të madh veprash e monografish, si : “Panteoni i rralluar” (1972), “Shkrimtarë dhe periudha” (1975). “Anatomia e kulturë” (1976), “Prej tipologjisë deri te periodizimi” (1979), “Morfologjia e një fushate” (1980), “Nocione të reja albanologjike” (1983), “Porosia e madhe” (1986), “Populli i ndaluar” (1990). Është profesor akademik. Ka shkruar edhe romane e drama, si dhe kritika e ese. Penës së tij i përkasin “Mite të zhveshura” (1978), “Sfinga e gjallë”, “Vdekja më vjen prej syve të tillë” (1974) etj.
Në krijimtarinë letrare të tij shquhet romani “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, i cili është përkthyer në disa gjuhë të huaja dhe për të cilin autori është cilësuar nga kritika e huaj si Kafka i Lindjes. Fusha kryesore e studimeve të tij është historia e letërsisë shqiptare, së cilës i ka kushtuar një varg veprash përgjithësuese. Është autor i shumë shkrimeve kritike dhe publicistike, disa dramave dhe eseve.
***
“Vdekja më vjen prej syve të tillë”
Pa kompromis dhe një nga penat që është munduar që të tregojë realisht potencialin e tij studimor dhe atë krijues. Ky është kosovari Rexhep Qosja, që kritika e huaj e ka konsideruar si një Kafkë të Lindjes.
“Vdekja më vjen prej syve të tillë”
Nga Rexhep Qosja*
Ka do ditë, ndoshta prej së mërkurës së parë të qershorit, apo, ndoshta, edhe prej së enjtes, kur binte një shi i imët, i dendur. Ti e ndien veten të shprazet, fyell; bosh, si shtogu kur ia nxjerrin palcën, si peshku kur ia shtrydhin vezët, si lehona kur ia heqin foshnjen. Të duket se një humnerë e gjerë dhe e thellë, gati e paskajshme dhe e pafund, është mbështjellë me lëkurën tënde të hollë, të butë, të bardhë që e skuqin menjëherë rrezet e diellit, duke të detyruar të kërkosh hijen që i le të qeta nervat e tua të ndjeshme për së tepërmi, që t’i ndezin aq shpejt ndjenjat dhe imagjinatën. Tashti nuk ndien nevojë as të ulesh pranë tryezës që s’t’i zë mirë këmbët përfundi, që me lapsat, fletët, fletoret, skedat, ngjitëset, kutitë e shprazëta të cigareve, shpuzoret, stilografët, kapëset, të qitura vend e pa vend, dhe me makinën “Erika”, të kthyer anash, dëshmon se një shqetësim është realizuar në harmoninë e imagjinatës duke lënë realitetin e saj në gjendje çrregullsie. Tani mund të dalësh në kafenenë “Khajami”, në Rrugën e Këpucatreve, ku mblidhen poetët, prozatorët, artistët, regjisorët, piktorët, kompozitorët, këngëtarët dhe gazetarët, ku je i sigurtë se do të gjesh edhe Hajrushin e Kënduesit, Musliun e Kapeshnikut, Idrizin e Skerës dhe Aliun e Karahodës, që zakonisht, i prijën muhabetit për piramidën e lartë të letërsisë, filozofisë, estetikës dhe linguistikës moderne, duke mos e gjetur asnjëherë gjuhën e dallëndyshes rreth tyre. Mund të inkuadrohesh edhe ti në këto muhabete të shpeshta dhe të zjarrta që bëhen me kafe turke, çaj kinez, konjak të Korçës, raki të kumbullave dhe koka-kolë përpara, e të dëgjosh Hajrushin, dramaturgun që përbuz teorikët e kafenesë, kur thotë, me një ton patetik dhe gjeste teatrale, se si në piramidën e arteve dhe të shkencës mund të hyjnë ata që kanë prirje dhe s’përtojnë t’i kërkojnë hyrjet e shumta, që shpien në brendësinë e saj të përshkuar prej labirinthesh…Dhe mund të shkosh në shfaqjen e baletit “Liqeni i mjellmave”, t’i shohësh balerinat dhe balerinët, si fluturojnë në krahët e ambicieve, të shpresave dhe të ëndrrës dhe si, ndonjëherë kur shiriti i ëndërrës u ndërpritet, lëshohen në dyshemenë e ashpër dhe tendosin durimin e shikuesve, dhe mund të ndalesh më gjatë në parasallën, t’i shikosh çiftet e hekurosura që ekspozojnë lumturinë e rrejshme, fustanet e shkurtuara deri te laku i prapanicës, paradat e takave të holla, si gjilpëra e këpucëtar Arifit të Gojanit, që shpojnë tepihun bojë mjalti; vithet e gjera, të përmbledhura në bele, që përdridhen si rrota e mullirit; këmishat e bardha me kravata flutura që sillen vërdallë duke dhënë e marrë përshëndetje kolltuku derisa të bjerë zilja e fillimit të aktit të parë, të dytë apo të tretë. Tani, kur kërkon frymëzimin dhe, si duket, akoma nuk do ta gjesh, mund të shkosh në pjacën e qytetit, Rrugës së Gjyqit apo Rrugës së Televizionit, përskaj teneqexhinjve, që e mbushin hapësirën me tingujt moderne të veglave të tyre primitive, t’i numërosh kuajt e gomeret që mes veturave që fluturojnë asfaltit, ecin krenarë përpara kësulave të bardha, të tretura në mesin e kravatave dhe të kapelave. I qet këmbët, me kujdesin e lehonës, ndërmjet grumbujve të domateve, specave, kastravecave, mollëve, karrotave, spinaqit, balancave, bezhdileve, minjve të ngordhur, duqeve të cigareve, i ngin sytë me ngjyra dhe hundën me erë e, pastaj, kërkon frymëzim prej setrave të zhgunit, pantallonave të leshta, tirqve, këmishave të leckosura, qafave të rrudhura, të palara, faqeve të përshkuara prej të çarash të holla, të kryqëzuara si shigjetat e grekëve e të persianëve, gishtave të përdredhur, tërë nyja-nyja, si burgjitë e Salajdin Batallit që e ka dyqanin aty pak me tutje, në hyrje të pjacës; syve që shikojnë nën vetullat e kërleshura, ku qimet përleshen me njëra-tjetrën.
*fragmente
***
“Porosia e Madhe”
Nga Rexhep Qosja
Prej pasurisë ideore dhe tematike të veprave, prej procedimeve sipas të cilave sendërtohen ato ide dhe tema, prej larmisë gjinore, llojore dhe nënllojore të krijimeve, prej mundësisë që të merret me fushat e ndryshme të krijimtarisë artistike dhe diturore, prej njohurive të gjera letrare, filozofike dhe shkencore, që dëshmohen në veprat e fushave të ndryshme krijuese- prej të gjitha këtyre shihet qartë se Naim Frashëri është krijues me dhunti të shumëllojshme dhe me kërshëri të gjera në letërsinë shqipe të romantizmit. Si dhe numri më i madh i romantikëve tanë të tjerë, të lindur e rritur në Shqipëri apo ndër arbëreshët e Italisë, por të shkolluar në gjuhë të huaja, nëpër qendra më të vogla apo më të mëdha evropiane, ashtu dhe Naim Frashëri ka pasur mundësi që t’i kënaqë kërshëritë e tij të shumta dhe t’i shprehë dhuntitë e tij të shumëllojshme. Jeta dhe shkollimi, pavarësisht prej vështirësive që do ta përcjellin, si pjesëtar të një kombi të robëruar, do t’i bëjnë të mundshme atij që të pajiset me një kulturë, sidomos, letrare të gjerë për kohën në të cilën jeton dhe për mjedisin në të cilin do ta zhvillojë veprimtarinë e tij letrare, arsimore dhe kulturore përgjithësisht. Rrethanat në të cilat do të lindet dhe do të rritet do t’i bëjnë, ashtu, të mundshme Naim Frashërit të njohë më mirë jo vetëm kulturën e popullit të tij po, pak a shumë, edhe kulturën evropiane apo, madje, botërore. Duke qenë se më tepër se tridhjetë vjet të jetës do t’i kalojë në Shqipëri, Naim Frashëri do t’i bëhet e mundshme që ta njohë drejtpërdrejtë dhe ta kuptojë mirë traditën historike dehj kulturore kombëtare, n ëpërgjtihësisht, kurse letërsinë e kënduar dhe të kallzuar, popullore, në veçanti. Pavarësisht pse me njohuri folklorike nuk është stolisur sikundër janë stolisur, rëndom, shkrimtarët e romantizmit kudo në vendet evropiane, posaçërisht në dhjetëvjetshat e parë të shekullti XX, veprat e tij dëshmojnë se Naim Frashëri e njeh në thelb artin popullor shqiptar. Po, duke qenë se në fëmiijërinë e hershme do të marrë mësime prej hoxhëve të fshatit dhe do të marrë mësime prej tyre në gjuhët në të cilat ata mësonin atëherë fëmijët shqiptarë- në turqisht, në arabisht dhe, kur e kur, në persisht- kurse më vonë do të shkollohet në gjimnazin e njohur të Zosimejave në Janinë, në të cilin mësoheshin mirë greqishtja e vjetër, latinishtja dhe fërngjishtja, Naim Frashëri do t’i bëhet e mundshme të pajiset me njohuri, pak a shumë, të gjera për letërsitë e popujve të ndryshëm dhe për letërsitë e kohëve të ndryshme. Në radhë të parë ai do të arrijë të pajiset me njohuri të gjera për letërisnë në përgjithësi; para se të gjithash, për letërsinë persiane, arabe dhe turke; për letërsinë e vjetër greke; për letërsinë e vjetër romake; për letërsinë italiane dhe për letërsinë franceze. Kultura letërare, kombëtare dhe e huaj, me të cilën është pajisur Naim Frashëri gjatë gjithë jetës dhe shkollimit, detyrimisht, e ka përcaktuar edhe ndjeshmërinë dhe është shprehur në krijimtarinë poetike dhe diturore. Për këtë arsye edhe mund të thuhet se njohja e krijimtarisë së tij është e lidhur me njohjen e zanafillës së saj. Në të vërtetë, njohja e rolit të traditës letrare vendase, në njërën anë, dhe të traditës botërore, në anën tjetër, në krijimtarinë e Naim Frashërit është e nevojshme për tri arsye kryesore: e para, për arsye se ashtu e kuptojmë dhe e përimtojmë më mirë krijimtarinë e tij poetike, në tërësi; e dyta, për arsye se ashtu e caktojmë më drejtë vendin e veprave të tij të veçanta poetike dhe të krijimtarisë së tij të përgjithshem në traditën letrare shqipe, dhe e treta, për arsye se duke njohur rolin e traditës letrare vendase dhe të traditës botërore në krijimtarinë e Naim Frashërit i njohim më lehtë dhe më mirë mundësitë që kjo krijimtari ia ka hapur letërsisë shqipe të kohës së tij dhe letërsisë shqipe të pas asaj kohe. Megjithëse në krahasim me romantikët e tjerë shqiptarë mund të quhet vjershëtari i letërsisë shqipe më i pavarur, prej poezisë dhe, përgjithësisht, prej imagjiantës popullore prappë nuk mund të mos vërhet se Naim Frashëri është vjershëtar që, doemos, e shpreh përvojën jetësore dhe krijuese, filozofinë dhe etikën e kësaj letërsie. Përvojën jetësore e krijuese, filozofinë dhe etikën e njohur të letërsisë popullore, ndërkaq, ai sot; i shprehë ashtu sikundër nuk janë shprehur deri atëherë në krijimtarinë e vjershëtarëve të jerë shqiptarë. Në qoftës do të krahasoheshin marrëdhëniet e poezisë së tij me poezinë popullore dhe marrëdhëniet e poezisë së tij me romanitkësh të tjerë me poezinë popullore- para se të gjithas, të poezisë së Jeronim de Radës, të Gavril Darës të Riut të Zef Serembes apo, tekembramja, dhe të Konstandin Kristoforidhit- do të mud të vëreheshin ndryshime të dukshme në gjerësinë dhe në mënyrat e sendërtimit të këtyre marrëdhënive. Lidhjet e poezisë së Naim Frashërit me poezinë popullore, gjithsesi, janë të kushtëzuara prej dhuntisë së tij natyrore, por edhe prej kushteve shoqërore në të cilat lindet dhe ndërtohet mendërisht ai. Përvojën e letërsisë popullore Naim frashëri e përvetëson si krijues më dhunti të dalluar, që çdo përvojë tjetër ai nënshtron përvojës së vet; por, përvojën e poezisë popullore ai e përvetëson edhe mbi një ndjeshmëri të formuar që, sado kudo, ndryshon prej ndjeshmërisë poetike të shumicës së romantikëve tanë të tjerë. I edukuar në një familje, e cila kishte hyrë në administratën turke e, mandej, i mësuar prej hozhës së fshatit që të shijojë e të çmojë, mbi të gjitha, letërsinë arabe, persiane dhe turke, Naim Frashëri sikur është i përgatitur për një përvetësim të veçantë të letërsisë popullore, që vetvetiu ndryshon prej përvetësimit të romantikëve tanë të tjerë, posaçërisht të romantikëve të lindur në fshatra të Shqipërisë apo të Italisë. Nuk mund të mos vërhet se në qëndrimet ndaj letërsisë popullore romantikët tanë- e me ta edhe Naim Frashëri- tregojnë mjaft ngjashmëri historikisht të kuptueshme, por nuk mund të mos vërehet se shijet dhe prirjet e tyre të ndryshme krijuese bëjnë që qëndrimet e ngjashme të sjellin përvetësime të ndryshme të saj. Pavarësisht pse në veprat e tij nuk bëhet fjalë veçmas për letërsinë popullore, sikundër bëhet fjalë, për shembull, në veprat e Jeronim de Radës; pavarësisht pse ai nuk merret me mbledhjen e letërsisë popullore, sikundër merret, për shembull, Jeronim de Rada, Frangjisk Anton Santori apo Thimo Mitko; dhe, pavarësisht sesi e shpreh ai përvojën popullore, Naim Frashëri nuk mund të quhet vjershëtar i paanshëm ndaj letërsisë popullore. Vendi që zënë përvojë jetësore dhe artistike e letërsisë popullore në veprat e tij poetike dëshmon se ai shquhet me një ndajafërsi të veçantë ndaj saj. Në kohën kur Naim Frashëri fillon të shkruajë në gjuhën shqipe, letërsia popullore është edhe më tej veprimtaria qendrore kulturore e popullit shqiptar. Ajo është pasuria më e madhe, thesari, pothuaj, i vetëm i përgjithshëm shpirtëror i Kombit, për të cilin interesohen të gjithë, në mënyrë të veçantë ata intelektualë të Rilindjes Kombëtare, që kishin arritur ta kuptojnë më mirë gjendjen politike dhe historike të popullit të tyre. Në qoftë se në Evropë, sidomos, në Evropën Perëndimore, kërshëria romantike ishte e tejkaluar, prandaj edhe interesimi për letërsinë popullore të popujve të ndryshëm ua kishte lëshuar vendin interesimeve të reja, që kishte sjellë zhvillimi i kapitalizmit, në Shqipëri kërshëria romantike tani kishte arritur shakllën më të lartë, prandaj edhe interesimi për letërsinë popullore po shtohej dhe po zgjerohej gjithnjë e më shumë. Interesimi romantik për letërsinë popullore, sado me një vonesë, do të pushtojë edhe vëllezërit Sami dhe Naim Frashëri. Në vitin 1882 Sami Frashëri do ta ketë gati për shtyp një përmbledhje me krijime popullore , që ishte titulluar “Mbledhje e këngëve shqip të vjetëra e ta ra”por të cilën nuk do ta botojë kurrë. Edhe puna që me të vëllain, Samiun, bënte rreth një fjalori të shqipes-për çka flet vetë në një letër që ia çon një miku në Bukuresht më 1896- e dëshmon qartë interesimin e tij për thesarin shpirtëror të popullit, në këtë mes për thesarin gjuhësor. Me ndryshim prej poezisë dhe, në përgjithësi, të krijimtarisë së romantikëve tanë të tjerë, sikundër Jeronim de Rada, Frangjisk Anton Santori, Gravil Dara i riu, Zef Serembe, Thimi Mitko, apo, më në fund Konstandin Kristoforidhi, në të cilën gjurmët e letërsisë popullore mund të vërehen më lehtë, sepse ndikimi i saj te ata është në i drejtpërdrejtë, në poezinë dhe, në përgjithësi, në krijimtarinë e Naim Frashërit gjurmë e tilla, sikur mund të vërehen më vështirë, sepse edhe ndikimi i saj në të është disi i ndërmjetuar. Ngjet kështu për arsye se ndikimi i poezisë popullore në poezinë e tij, gjithsesi, është më i përvetësuar, prandaj edhe i ngritur në një shkallë më të lartë të veprimit artistik. Jo njëherë mjete stilistike, përbërjet rtimike, mendimet apo stiuatat që cilësojnë poeziën dhe, në përgjithësi, imagjiantën popullore, e ndërrrojnë plotësisht veçantinë folklorike në poezinë eNaim Frashrit dhe duken se janë prodhim i drejtpërdrejtë i imagjinatës së tij. Kështu, për shembull, nuk është fare e lehtë të vërehet sesi mendimi, ashtu edhe metafora, në këto vargje me të cilat ironizohet gatishmëria e Mustafa begut që ta shpërblejë me një grusht florinj ushtarin që do t’i zërë gjallë Moisiun, janë ndërtuar në mbështetje të kashelashës popullore…
Ndikimi i poezisë së tij në poezinë popullore
Naim Frashëri, pa dyshim, është njeri prej vjershëtorët të paktë shqiptarë, veprat e të cilit jo vetëm janë lexuar dhe lexohen shumë prej lexuesve të shtresave të ndryshme, por edhe kanë ndikuar në krijimtarinë gojore, posaçërisht në poezinë, kurse disa vargje të tij janë bërë popullore. Ndikimi, kurse në disa raste, përvetësimi i vargjeve të tij prej popullit sikur është plotësisht i kuptueshëm. Vjershat e një krijuesi, sikundër është Naim Frashëri, që e tregojnë ashtu poetikisht mënyrën e mendimit dhe të botëpërjetimin popullor siç e tregojnë vjershat e tij, fare lehtë mund të përvetësohen prej popullit si krijimtari e tij gojore dhe të këndohen a të kallëzohen si të ishin krijime popullore. Prej të gjitha shkrimeve të Naim Frashërit ndikimin më të madh dhe më të gjerë në popull e ka pasur poezia e tij: qoftë poezia lirike, qoftë poezia epike. Është se disa vjersha lirike dhe disa këngë të poemave heroike, “Ïstori e Skënderbeut” dhe “Qerbelaja”, janë mësuar përmendësh prej nxënësve dhe prindërve të tyre në vitet e fundit të shekullit XIX dhe në vitet e para të shekullit tonë. Me kohë vargje të këtyre vjershave dhe këngëve janë bërë aq popullore saqë kanë filluar të këndohen si këngë popullore. Kështu, për shembull, disa vargje të Këngës V të poemës heroke atdhetare, “Ïstori e Skeënderbeut”, janë shënuar të kënduara në rrethinën e Krujës, në Skrapar edhe në Gramsh; vargu i njohur i Naim Frashërit dallëndyshe bukuroshe, më parë i panjohur në poezinë popullore, është shënuar në një melodi shumëzërëshe të kënduara në fshatra të rrethit të Manastirit; disa vargje të poemës përshkruese baritore, “Bagëti e “Bujqësija”, janë bërë këngë popullore, e quajtur “”Ku mërzen cjapi me zile” dhe e kënduar në krahinat juglindore të Shqipërisë; në Përmet, në Skrapar, në Korçë dhe në Pogradec. Njëri prej ndryshorëve të këngës së kënduar me vargjet e kësaj poeme, është edhe ai shënuar në vitin 1949 në Krutje të Sipërme:
Kur mërzen cjapi me zile,
Atje fryn veriu me erë,
Për atje qan zemra ime,
O të rrinja një copë herë
Edhe qyqja kur këndonte,
Nëpër pemë fluturonte
Fush e male lulëzonte.
Edhe më mirë sesa shembujt e sipërtreguar, ndikimin e veprës së Naim Frashërit në mendimin e popullit shqiptar dhe në krijimtarinë popullore e dëshmojnë fjalët e tij të urta, që janë bërë popullore. Duke pasur aq shpesh përbërjen figurative dhe ritmike të poezisë popullore, disa prej fjalëve të urta të Naim Frashërit janë përvetësuar prej popullit, janë bërë të tijat dhe janë treguar, në raste të ndryshme, si fjalë të urta popullore. Një numër i këtyre fjalëve të urta të Naim Frashërit sot gjenden të shënura në përmbledhje të fjalvë të urta popullore sepse janë mbledhur në popull si thesar i krijuar prej tij.
Vendi i tij në letërsinë shqipe
Çdo njeri ka përgjegjësi para popullit të vet për dhuntinë krijuese që ia ka dhënë natyra. Prej krijimtarisë së tij të gjithanshme mund të shihet se Naim Frashëri do të kjdeset që, ashtu- sikundër kishte thënë piktori i famshëm, Zhak Lui David, në Konventin francez, të ketë përgjegjësinë e duhur ndaj popullit të vet, prandaj edhe ta shfrytëzojë mirë dhunëtinë e rrallë krijuese, që ia kishte dhuruar natyra: ta shfrytëzojë mirë në disa fusha të krijimtarisë artistike dhe diturore. Prej veprës së tij mund të shihet qartë se Naim Frashër është një figurë e gjithanshme dhe gjithanshëm e rëndësishme në letërsinë, në kulturën dhe, në përgjithësi, në historinë e popullit shqiptar. Ai është vjershëtor, por ai është edhe mendimtar, djetar, pedagog dhe mësues i popullit. Këshëria e gjithanshme mendore do ta bëjë të gjerë dhe të gjithanshme edhe veprën e tij, në të cilën spikasin shikimet e përpikta të dijetarit, shikimet e gjera të mendimtarit dhe shikimet e thelluara imagjinare të vjershëtorit- të krijuesit racionalist, që botën e njeh me mendje dhe të romantikut, që për botën kallëzon emocioalisht. Dhuntia e gjithanshme i ka bërë të mundshme që letërsisë, kulturës dhe, në përgjithësi, ato që më së shumti iu kanë dashur në një periudhë aq të rëndësishme sikundër ishte ajo e Rilindjes Kombëtare dhe ato që, mandej, do t’i duhen në periudhat e mëvonshem. Me ato që ka sjellë, por që kanë munguar, ai ka arritur ta çojë përpara jetën arsimore, kulturore, letrare morale, në tërësi, jetën shpirtërore të popullit shqiptar. Naim Frashëri, pa dyshim, është shkrimtari deri më sot më i madh në letërsinë shqipe. Rëndësia historike letrare dhe kulturore e veprës së tij, para së gjithash, qëndron në vlerën e saj të pakaluar artistike. Në gjirin e krijjimtarisë së tij të përgjithshme janë disa krijime, sikundër janë vjershat e përbledhejks “Ëndërrime”, poema përshkruese “Bagëti e Bujqësija”, disa vjersha të përmbledhjes së “Luletë e Verës”etj. Tendosja e përgjithsme artistike, i kanë mbijetuar kufizimet e rrethanave historike, me të cilën sendërtohet domethënia e tyre i radhitë ndër krijimet më të vlefshem të letërsisë së deri sotëme shqipe. Rëndësia historike-letrare dhe kultuore e veprës së Naim Frashërit, gjithashtu, qëndron në ndikimin e saj të gjerë dhe të gjatë në jetën e popullit shqiptar. Ajo ka luajtur rol të madh letrar, arsimor, kulturor, moral dhe kombëtar në kohën kur është botuar, por rol të tillë ka vazhduar të luajë edhe më vonë, deri në ditët tona. Përpos veprave letrare, me vlerë të pakaluar artistike, sikundër janë të larttheksuara, në jetën shpirtërore të popullit shqiptar në kohën kur janë botuar do të luajnë rol edhe veprat e tij mësimore –shkollore. Vepra e Naim Frashrit iu takon atyre veprave të mëdha të letërsive kombëtare pas të cilave, rëndom, letërsitë dhe kulturat kombëtare nuk mund të jenë sikundër kanë qenë përpara tyre. Do shikuar letërsia dhe kultura shqiptare përpara dhe do shikuar letërsia dhe kultura shqiptare pas Naim frashërit për të parë se sa i madh, në të vërtetë, se sa historik është roli i veprës së tij.
Rëndësia frymëzuese e veprës së tij
Krijimtaria mendore në të cilën bëhen përgjithësime të mëdha, gjithmonë, do të jetë krijimtari e nxitjeve dhe e fryëmzimeve të mëdha. Përvoja hsitoriko-letrare dëshmon se të gjithë shkrimtarët e mëdhenj, në veprën e të cilve jan përmbedhur dhe përgjithësuar prirjet mbizotëruese në krijmtarinë e kohëve të ëprparme, aknë sjellë shumë risime në letërsinë epopullit ëttyre apo, madje, kanë sjellë shumë në përgjithësi. Në veprën e tyre nuk zbulohet vetëm një periudhë: në veprën e tyre, rëndom, zbulohen disa periudha të mëparshme dhe hershohen disa perudha të mëvonshme. Rëndësia përgjithësuese dhe, njëkohësisht, frymëzuese e veprës e Naim Frashërit mudn të shihet në një sërë fushash, por në mënyrë të veçantë, të fushë të gjuhës. Nuk ka shkrimtar shqiptar që mund të na jetë sot gjuhësisht i afërt aq sa na është i afërt Naim Frashëri. Krijimtarinë e asnjë shkrimtari shqiptar deri në Luftën e Dytë Botërore lexuesit e sotëm shqiptarë nuk mund ta kuptojnë dhe e përjetojnë krijimtarinë letrare dhe diturore të Naim Frashërit. Pse? Sigurisht për arsye se asnjë shkrimtar tjetër shqiptar deri në atë kohë nuk e shkruan gjuhën shqipe në një mënyrë stilistikisht aq ndikuese dhe në një mënyrë historikisht aq parathënëse sia i. Në gjuhën e tij, në të vërtetë, hershon prirjet themelore të zhvillimit të mëtejmë historik të gjuhës shqipe. Ardhmëria e gjuhës shqipe u ka dhënë prirjeve themelore të gjuhës së krijimtarisë së tij. Është e kuptueshme, prandaj, pse gjuha e veprës ë tij do të mund të bëhet mbështetja dhe, njëkohësisht, nxitja kryesore e prirjeve afryese të dialektikave kryesore të gjuhës shqipe: e dialektit toskë dhe të dialektit gegë. Po duke qenë mbështetja e prirjeve afruese të zhvillimit histork të gjuhës shqipe, gjuha e Naim Frashërit do të bëhet, njëkohësisht, mbështetje e prirjeve afruese në jetën shpirtërore të popullit shqiptar, në përgjithësi. Krijimtaria e Naim Frashërit do të luajë një rol nxitës dhe frymëzues në letërsinë shqipe jo të mëtejmë të gjuhës shqpe, por edhe me cilësinë artistike të gjuhës poetike dhe me cilësinë diturore të gjuhës së tij diturore. Vetëm në qoftë se e krahasojmë gjuhën e shkrimeve të tij me gjuhën e shkrimeve të shkrimtarëve të tjerë jo vetëm deri në kohën e tij, por deri në Luftën e Dytë Botërore, do të munde të shihej se sa më i gjatë, sesa më vendimtar, sesa më i rëndësishmëm se i të tjerëve për gjuhën e letërsisë shqipe, në përgjithësi, është hapi i tij gjuhësor. Dhe, pse mos të jetë? Prej veprës së tij mund të shihet se Naim Frashëri i kutpon thellësisht lëvizjet në gjuhën shqipe gjatë Rilindjes Kombëtare. Prirja mbizotëruese gjuhësore e rilindjes Kombëtare, që zë fill nga Naum Veqilharzhi dhe përshkon, mandej, krijimtarinë e shumicës së shkrimtarëve të saj- prirja e afrimit të dy dialekteve kryesore të shqipes- gjen përmbushjen e plotë jo vetëm historike kombëtare, por edhe stilistike në krijimtarinë e tij. Duke bërë përftesën e përpjekjeve themelore në fushën e shkrimit të gjuhës shqipe, në fushë të arsimit të popullit në gjuhën e vet dhe, më në fund, në fushën e vetë letërsisë, Naim Frashëri do të bëjë, edhe përftesën e prirjeve themelore historike gramatikore stilistike në fushë të gjuhës shqipe. Si edhe në fusha të tjera, edhe në fushë të gjuhës, përgjithësimi është. Ashtu, shquarje cilësore e prirjeve të përparme dhe, njëkohësisht, nxitje e prirjeve të pastajme. Si gjedhe më krijuese e gjuhës së shkruar shqipe gjatë Rilindjes Kombëtare Shqitare, gjuha e veprës së Naim Frashërit bëhet gjuha në të cilën përmes veçorive leksikore, gramatikore dhe stilistike jo vetëm se zbulohen dhe tregohen, por dhe dëshmohen të arriturat dhe mundësitë krijuese të popullit që atë gjuhë e flet dhe e shkruan. Pikërisht me cilësitë leksikore, gramatikore dhe stilistike të gjuhës së tij Naim Frashëri e dëshmon dhe e nxit ndërgjegjen kombëtare të populit të vet po aq sa edhe me përmbajtjet historike që trajton në veprat e tij. Pse mund të thuhet kështu? Sigurisht për arsye se gjuha e veprës së tij, si gjuhë që përfaqëson prirjen më krijuese në gjuhën e shkruar shqipe deri në atë kohë, është gjuhë që traditën kulturore kombëtare po aq sa me të dhënat e dëshomn me cilësinë e e saj të lartë. Pasuria e ësaj leksikore, sintaksore dhe stilistike, vetvetiu, bëhet shprehje e pasurisë kulturore shekullore të popullit shqiptar. Në gjuhën e veprës së Naim Frashërit, si gjuhë më e pasur, stilistikisht më e thelluar dhe, në përgjithësi, më e zhilluar e letrësisë shqipe deri në atë kohë, sikur është shkruar vazhdimësia kulturore e popullit. Cilësia e dëshmuar është kujtesa më e mire e hsitorisë së saj. Në qoftë se, prandaj, për të gjithë shkrimtarët romantik gjuha është përbërës parësor i mëvetësisë kombëtare, në krijimtarinë e Naim Frashërit ajo do të shquajë si përbërës i vetëqenies kombëtare. Gjuhë që përshkruan, gjuah ekrijimtarisë së tij, në sajë të cilësisë së lartë poetike, bëhet, njëkohësisht, gjuhë që përfaqëson shkallën më të lartë ët vetëdijes kombëtare. Duke i zbuluar dhe duke i dëshmuar vlerat dhe mundësitë e saj leksikore, gramatikore dhe stilistkore deri në kohën e tij, Naim Frashëri më dukshëm se paraardhësit apo kohëtarët e tij do ta aftësojë gjuhën shqipe edhe për mudnësi të reja. Po të lexohet sot poezia e tij krahas poezisë shqipe të shkruar përpara dhe në kohën e tij nuk do të jetë e vështirë të shihet se si mundësitë e saj stilistike, në të vërtetë, bëhen edhe mundësi gramatikore të gjuhës shqipe. Mjete letrare, figurat dhetrajtat e ligjërimit që përdor ai, jo vetëm se i pasurojnë mundësitë e gjuhës p[oetike, por pasurojnë mudnësit ëe gjuëhs shqipe, në përgjtihësi. Kështu mund të thuhet jo vetëm për mjetet letrare që për herë të parë përdor ai, por edhe për mjete letrare që përpar tij i kanë përdorur vjershëtarët e tjerë shqiptarë. Në shkrime të e tij, edhe mjetet letrare retorike, të përdoruar aq shpesh prej të tjerëve, jo rrallë duken të reja. Pse? Sigurisht për arsye se janë të futur në kontekste cilësishtë më të larta, më të zhvilluara të gjuhës poetike a të gjuhës diturore ishin kontekstet në të cilat ishin përdorur përpara. Mjete letrare të gjuëhs poetike a të gjuhës diturore të Naim Frashërit bëhen, ashtu, mjete të rëndësishme gramatikore të gjuhës shqipe, para së gjithash, për arsye se i zgjerojnë, i thellojnë dhe, në përgjithësi, i ngrenë më lartë mundësitë kuptimore dhe gramatikore të gjuhës shqipe. Nuk është thënë kot se “në rrugën prej gramatikës drejt stilistikës dëgjohet ecja e gramatikës drejt përsosmërisë së saj”.
Vetëkuptohet se duke zhvilluar dhe duke pasuruar mundësitë leksikore, gramatikore dhe stilistike të gjuhës shqipe, në përgjithësi, Naim Frashëri do t’i zhvillojë dhe do ti pasurojë edhe mundësitë e vjershërimit shqip, në veçanti. Krjiues që më mirë se asnjë vjershëtor tjetër shqiptar, paraardhës apo kohëtar, arrin t’i zbulojë mundësitë ritmike dhe stilistike të gjuhës shqipe, është plotësisht e kuptueshme që Naim Frashëri, më mirë se çdonjeri prej tyre, të arrijë të zbulojë dhe, njëkohësisht, t’i shtojë edhe mundësitë e vjershërimit të saj. (Javanews)