Analisti i njohur, Frrok Çupi ka komentuar zhvillimet e fundit politike. Në një intervistë për gazetën “SOT”, Z.Çupi ndan kujtimet e tij për 21 janarin e 2011, ditën ku u vranë para bulevardit katër protestues,duke vënë në dukje mungesën e transparencës dhe përgjegjësisë shtetërore që pasoi tragjedinë. Ai flet hapur për një periudhë kur korrupsioni kishte depërtuar në çdo nivel të qeverisjes, duke përshkruar një realitet ku pushteti i përdorte institucionet për përfitime personale dhe pasurimin e individëve të lidhur me politikën. Çupi thekson se qeverisja e kohës ishte shndërruar në një sistem që shtypte drejtësinë dhe u kthente shpinën qytetarëve.
-Zoti Çupi, si e kujtoni ju protestën e 21 janarit? Çfarë domethënie kishte ajo për atë periudhë politike dhe për qytetarët shqiptarë?
Si e kujtoj?… Nuk besoj se ka mbetur në kujtime shumë gjë nga protesta. Edhe pse ishte shumë e madhe. Motivi ishte korrupsioni. Jeta shtetërore ishte mbarsur shumë me të keqen. Fëmijët e Sali Berishës shfaqeshin kudo, mes rojave personale, lëviznin fije pronash, fije parash, fije bankash. Akush, i pasur apo i varfër, nuk mund të merrte kredi në banka pa pasur ‘viston’ e Argitës. Në zyrat e shtetit nuk mund të bëje asnjë veprim nëse nuk jepje para. Gjykatat u kthyen në ‘Holokaust’ ku piqej njeriu me të drejtën dhe mbijetonte e pa drejta. Lajmi se ishte vjedhur floriri nga të mëdhenjtë e shtetit e kishte bërë njeriun të dobët aq sa mendonte se ‘ nuk ia vjen më ky vend’. Pronat i kishin nëpër duar ca të afërm të Berishës, kryesisht nga Tropoja; dhe fëmijët e Berishës.
Frika nga Gërdeci ende nuk u kishte dalë nga shpirti. Floriri u vodh. Kjo la të nënkuptuar para njerëzve se ‘ nuk kemi shpëtim’. Bëhej pazar i madh në qeverisje, sa mes njëri tjetrit, sa mes tyre dhe gangsterëve nëpër botë si Fazlliç, etj. Këta u bënë të fortë, aq sa të zhduknin e nuk të paguanin. Zëvendës kryeministri Ilir Meta sapo ishte shfaqur me zë dhe më figurë në ekranet televizive duke marrë 700 mijë euro gjobë nga ministri i varësisë së tij. Ilir Meta, tregonin ministrat e tij se u kishte caktuar një ‘para të detyrueshme” Secili duhej të mblidhte 7 a 8 milionë euro në muaj dhe t’ia dërgonte Metës në shtëpi. Ndryshe nuk mund të ishin më ministra, ose mund të kishin fund më të keq. Sapo Meta u shfaq në video me 700 mijë euro të vjela me një dorë, Berisha i shkoi në shtëpi dhe deklaroi publikisht para gazetarëve se ‘pimë verë të mirë’.
… Kështu erdhi mbrëmja e 20 janarit, një natë para protestës. Ndërsa vetë protesta u mbulua nga një ngjarje tmerrësisht e rëndë: U vranë katër vetë dhe u plagosën dhjetëra protestues. Nuk mund të mbahej më asgjë tjetër në mendje. Kujtesa ka mbajtur disa skena të tjera: Një natë e ftohtë, si e mjegullt. Frikë e qelqtë para selisë së qeverisë ku u vranë protestuesit. Ecejake ankthi të disa njerëzve që mendohej se ishin ekspertë të ligjit ose mjekë. Mediat u rrudhën sa nga fika aq edhe nga dëbimi që i bëri qeveria çdo zëri që mund të tregonte ndonjë të vërtetë. Katër gazetarë u shpallën terroristë.
Gazetari i plagosur Fatos Mahmutaj nuk u la të shfaqej më; nisën ta kërcënonin se mund ta vrisnin pasi kishte shpëtuar. Natën, për gjithë natën, askush nuk kaloi më aty pari; qeveria ishte e lirë të manipulonte çdo ngjarje, siç edhe doli më vonë. Afër mesnatës u shfaq në ekran kryeministri. Fillimisht kërcënoi prokuroren e përgjithshme dhe pastaj presidentin e Republikës. Prokuroren, që e kishte quajtur Silvia Kondi, menjëherë e quajti ‘lavire e bulevardit’. Lajmet nga rrethet ku kishin banuar të rënët nga plumbat qeveritarë, nga Lezha deri në Gjirokastër, sollën atmosferën e vajit nëpër familjet që kishin hapur mortin. Kryeministri u shfaq përsëri në ekran dhe deklaroi se ‘ata kanë vrarë njeri-tjetrin. Doli përsëri më vonë e tha se ‘ protestuesit janë vrarë me revole stilolaps me helm´. Një mjek u shfaq pas doktorit kryeministër dhe ‘i vrau’ viktimat, ai tha se janë vrarë me çadrat e njëri tjetrit.
Më vonë u shfaq në ekran përsëri kryeministri dhe deklaroi se ‘ do t’ i kisha vrarë të gjithë’. Vetë në duar mbante katër snajperë… Këtu u mbyll puna e asaj nate. Ju më pyesni se ‘ a kishte kjo domethënie me periudhën politike?”. Berisha, nëse nuk do të kishte kryer krimet e njohura monstruozë, pse vallë duhej të bënte vrasjet e 21 janarit? Dhe pyetja nga ana tjetër: Pse vallë duhej t’ i vriste “ të gjithë’ në 21 Janar nëse nuk kishte krime. Në 21 Janar, Sali Berisha u ndodh para murit: “ O vrit të tjerë, o vrit veten”. Nuk kishte rrugë tjetër. Këtë kishim kryeministër.
– A mendoni se Sali Berisha mban përgjegjësi për katër viktimat e asaj dite tragjike? Dhe a keni besim se zbardhja e plotë e kësaj ngjarjeje do të ndodhë ndonjëherë?
Në radhë të parë duhet të kemi besim. Në radhë të dytë duhet të forcojmë besimin. Në radhë të tretë duhet të meritojmë besimin… Po të mos zbardhet e dënohet ky krim i madh shtetëror, shteti ynë merr të tatëpjetën e përjetshme. Do të detyrohen të tjerët nga brezat, edhe kur Sali Berisha të jetë harruar se ka jetuar ndonjëherë. Po nuk u ndëshkua ky krim, çdo krim tjetër mund të ndodhë e mund të kalojë nëpër lëkurën e secilit në këtë vend. Pse e mbylli hermetikisht Berisha?
Sepse e di se me atë krim në kurriz nuk mund të jetojë as ai as të bijtë, as varret e të parëve të tij. U desh të ishte familja e Aleks Nikës që të zbardhte faqen e të rënëve, faqen e të gjallëve dhe faqen e shtetit. Drejtësia e kontinentit e quajti krim shtetëror. Tani nuk kanë nga shkojnë pa e zbuluar. Saliu ka njerëzit e tij në SPAK e në gjithë Drejtësinë, por 21 Janari nuk ka ku shkon pa u zbuluar. Ka prova direkte dhe prova jo direkte. Po ndodh si në Gjermani pas Aushvicit. Edhe atje krimet hitleriane u kryen deri në vitin 1945, por kriminelët u dënuan në vitin 1963 e më vonë. Sepse kudo kishte hitlerianë si në gjykata edhe në popull. ‘Hitlerianë’ ka në PD, ka në PS, ka në qeverinë Berisha, ka në mes fukarenjve hajdutë, ka në gjykatë e në SPAK.
– Deklarata e fundit e z. Berisha, ku tha se sot do të vepronte njësoj sikurse më 21 janar 2011, tregon mungesë pendese për katër viktimat. Si e shihni ju këtë qëndrim të tij? Çfarë mesazhi përcjell kjo për shoqërinë shqiptare?
Po pra, këtë po them. Sali Berisha e di se në Gjyqësor ka njerëzit e tij. I ka paguar dhe i paguan sa të ngopen me gjakun e të vrarëve. Nisur nga kjo siguri ai thotë se ‘ do të vras përsëri’ . Shiko çfarë guximi: Edhe i vret njerëzit, edhe u del përballë viktimave e u thotë “ U vras përsëri”. Nuk është vetëm çështje sentimenti. Këtu është çështje e SPAK dhe e Drejtësisë. Sot SPAK duhet të marrë Berishën të pandehur pas kësaj deklarate. Që në atë moment Berisha ka kryer krimin e ‘kërcënimit të viktimave dhe dëshmitarëve”, dhe “ përdhosjen e kujtimit e të varreve të viktimave”. Duhet urgjentisht të veprojë Drejtësia. Ndryshe po amnistohet krimi i madh, më poshtë njerëzit do të masakrojnë njëri tjetrin.
-Si e mendoni bashkëpunimin që ndërtoi Edi Rama mes Spitalit Onkologjik të Tiranës dhe Izraelit?
Është një pikë kulmore ku mbërrin shteti i dobishëm, shteti i drejtë dhe shtet i të drejtës s lartë. Mund të them se shteti ynë po arrin në majat e përsosmërisë politike e qytetare që ka Evropa. Këtë situatë spitalore mund të gjesh sot në Milano, në Berlin, në Lil… Ne në këtë aspekt jemi në mes të Europës. Njeriu e merr mjekimin në nivel të lartë që ka Perëndimi, edhe këtu në Tiranë Vendi ynë tani ka kapur disa nivele të larta që ka Evropa. Madje është shtet edhe më i ri e më i bukur në disa momente. Punët e mëdha që janë kryer këto vite, nuk mund të ishin kryer në asnjë kohë pa këtë punë për kushtuese e të ditur nga qeveria Rama. Por me rastin e Onkologjikut, mund të them një gjë: E shikoni se si shpërblehet mirësia e një kombi? Kombi ynë i strehoi izraelitët në kohën më të vështirë të jetës s tyre, Lufta e Dytë. Kombi izraelit nuk e harroi kurrë. Ja ku jemi…
-Si e shikoni rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit? A kanë forcë partitë e reja?
Partitë ‘e reja’ nuk janë të reja. Janë aq të vjetra sipas sjelljeve të tyre. Mazhoranca e sotme, pa dyshim fiton zgjedhjet. Jo ‘padyshim’, por pa diskutim. Sepse përballë nuk ka tjetër. As do të ketë. Deri në kohën kur të lindin forca që të marrin në sy dobinë për popullin. Këta të ‘ opozitës’ sot nuk e kanë këtë vlerë. Edhe sikur të duan, nuk dinë. Këta e kanë provuar veten se dinë vetëm të bëjnë piramida, të bëjnë terror dhe të marrin për vete. Por edhe sikur të mos e bëjnë këtë, këta nuk fitojnë kurrë besimin e popullit që e kanë masakruar. Mazhoranca nuk ka përballë politikë, por ka inatçorë… Inatçori shkarkohet menjëherë.
Intervistoi: Rigels Seliman